
Një studim i ri i organizatës së mbrojtjes së fëmijëve, NSPCC, ka zbuluar një situatë alarmante lidhur me sigurinë e fëmijëve në internet. Sipas raportit, të publikuar nga The Guardian, 1 në 10 prindër në Mbretërinë e Bashkuar thonë se fëmija i tyre është shantazhuar online, me kërcënime që shpesh përfshijnë publikimin e fotove intime ose detajeve të ndjeshme personale.
Sondazhi, i realizuar me mbi 2,500 prindër, zbulon gjithashtu se 1 në 5 prindër njohin një fëmijë tjetër që ka përjetuar shantazh online, ndërsa 2 në 5 pranojnë se rrallë ose kurrë nuk diskutojnë me fëmijët e tyre për rreziqet e internetit. Agjencia Kombëtare e Krimit në MB (NCA) raporton më shumë se 110 raste sextortion çdo muaj, ku banda kriminale mashtrojnë adoleshentët sidomos djemtë, që t’u dërgojnë foto intime për t’i përdorur më pas për shantazh.
Sipas The Guardian, autoritetet në MB, SHBA dhe Australi konfirmojnë rritje të madhe të rasteve të shantazhit seksual nga grupe kriminale kibernetike të bazuara kryesisht në Afrikën Perëndimore dhe Azinë Juglindore. Fatkeqësisht, disa raste kanë përfunduar me tragjedi, përfshirë vetëvrasjen e dy 16-vjeçarëve – Murray Dowey në Skoci (2023) dhe një adoleshenti në Londër (2022), pas presionit të rëndë nga shantazhi online.
Organizata NSPCC akuzon kompanitë teknologjike se “po dështojnë në mbrojtjen e fëmijëve”, duke theksuar se siguria duhet të jetë pjesë e thelbit të platformave, jo një shtesë e vonshme. “Fëmijët meritojnë të jenë të sigurt në internet, dhe kjo siguri duhet të jetë e integruar në vetë strukturën e platformave,” deklaron Rani Govender nga NSPCC. Përkufizimi i shantazhit në raport përfshin jo vetëm kërcënime për publikimin e imazheve intime, por edhe informacion të ndjeshëm si seksualiteti apo materiale të krijuara me inteligjencë artificiale.
Nga kush vjen shantazhi?
Sipas të dhënave, autorët mund të jenë: banda kriminale ndërkombëtare, persona të panjohur në internet, miq, shokë shkolle ose persona të afërt me fëmijën. Kërkesat e shantazhuesve variojnë nga paraja, më shumë foto, deri te detyrimi për të vazhduar një marrëdhënie.
Raporti thekson rrezikun e rritjes së “sharenting” publikimi i fotove dhe informacioneve të fëmijëve nga prindërit online, pasi këto të dhëna mund të bien në duart e palëve të rrezikshme.
Ekspertët rekomandojnë: t’u mësohet fëmijëve si të njohin shantazhin digjital, të flitet hapur dhe shpesh për sigurinë online, të krijohen momente të përditshme bisedash, si gjatë vakteve ose udhëtimeve.
NSPCC intervistoi edhe vetë të rinjtë, të cilët pranuan se shpesh nuk tregojnë për shantazhin sepse ndihen në siklet, duan të flasin më parë me një mik, ose mendojnë se mund ta zgjidhin vetë.


