
Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Andis Harasani u nda nga jeta këtë të dielë, në moshën 53-vjeçare. Lajmin e bëri të ditur miku i tij, Agim Muco. Muco njoftoi se Harasani kishte dy vite që vuante nga një sëmundje e rëndë. “Ishte vërtetë një student inteligjent. Më pas punuam bashkë te Deloitte&Touche Tirana. Ishte një tirons i omël por dhe djal i zoti.”– shkruan ndër të tjera Muco.
Pas tij ka reaguar dhe bashkëshortja e Harasanit, Suela Harasani nëpërmjet një postimi ajo shkruan se nuk arritëm dot të luftonim sëmundjen me kancerin. “Andisi ynë luftoi për jetën me forcën, besimin dhe vendosmërinë që e karakterizonte gjithmonë. Ai luftoi fort për ne dhe nuk rreshti kurre së dhuruari dashuri, mbështetje e forcë. Fatkeqësisht, e humbëm betejën kundër kancerit.”– shkruan ajo.

Karriera e tij në politikë
Harasani ishte i njohur në politikë në sektorin energjetik. Ai ishte një prej zyrtarëve të Partisë Socialiste, ku shërbeu si deputet në periudhën 2005-2009. Harasani drejtoi Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) për tre vite, nga viti 2002 deri në vitin 2005. Pas largimit nga jeta politike, Harasani u angazhua në fushën e biznesit, duke krijuar një kompani në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai mori pjesë aktive në ekipin menaxhues për ngritjen e katër bankave tregtare në tre vende të ndryshme. Harasani prej disa vitesh jetonte në SHBA me familjen e tij. Ai la pas dy fëmijë, Thea-n dhe Henry-in.



