Edi Rama duke ecur mbi rrota gjatë përmbytjeve. Djathas ura e shembur e Drojës

Edi Rama pas 4 vitesh në pushtet, teksa ka hyrë në të pestin me siguri do jetë ndjerë në vështirësi kur uji vërshonte nga të gjitha anët.

Me të njëjtën strategji si në fushatë u mundua të fuste në lojë dhe të hidhte në teatrin e madh të politikës edhe emrin e rivalit të tij politik, Lulzim Bashës, duke e përsëritur disa herë se e falenderonte që e la të merrej me përmbytjet.

Por strategët e kryeministrit, me në krye vetë atë, duhet të kenë qenë të vetëdijshëm se tanimë nuk qenë në fushatë dhe gjithë ç’po ndodhte nuk ishte çështje premtimesh. Kur merr pushtetin dhe vendi të përmbytet dhe sidomos kur nuk ke kujt t’ia faturosh fajin sepse qeveria parardhëse je po ti vetë, edhe provokimet e ministrave të tu rrugëve mes banorëve të ngratë që u ishte përmbytur gjithçka, me frazën ”keni votuar kundërshtarët” mbeten në nivelin e tentativave bajate që të nxjerrin bllof.

Janë të paktën 4 arsye, të faktuara, pse Rama dështoi jo me menaxhimin e krizës këtë vit, por me atë që duhet të kishte bërë paraprakisht.

1. Situatë rutinore, asgjë e jashtëzakonshme

Edhe pse aktorët e pritshëm të shfaqjeve televizive nisën veprimin: Erion Veliaj nga Tirana, Edi Rama nëpër Shqipëri, Armando Subashi dhe Dritan Leli në Fier e Vlorë duke dashur të japin përmasat e një përmbytjeje jashtë të zakonshmes, ekspertët e meteorologjisë e thanë qartë: kjo ishte një përmbytje rutinore. E njëjta sasi  rreshjesh në vend bie çdo 2-3 vjet, e parashikuar dhe e theksuar për institucionet tona.

Pra çështja nuk duhet shtruar: a e menaxhoi mirë qeveria momentin e përmbytjeve, por çfarë bëri para saj.

2. Qeveria Rama, qeveri e fasadës

Gjatë 4 viteve ka bërë vetëm një gjë në infrastrukturë Rama: rikonstruksionet e qendrave të qyteteve, paketuar me termin e famshëm të ”Rilindjes Urbane” duke hequr dorë nga investimi në rrugë apo vepra të rëndësishme që përtej estetikës do të kishin funksion afatgjatë në shërbimin ndaj qytetarëve, si fjala vjen do të qe investimi në kanale kulluese anash apo poshtë trafikndarëses së autostradësTiranë-Durrës. Por jo. Fokusi i Ramës mbetet te ajo çfarë sheh mbi sipërfaqen e tokës.

Madje investimi që do realizohet po në rrugën Tiranë-Durrës dhe që llogaritet të jetë 2.5 milionë euro ka lidhje vetëm me zëvendësimin e palmave me pisha. Shtuar kësaj edhe 500 mijë eurot investuar për estetikën e Lungomares në Vlorë nëpërmjet stolave inteligjentë, vlera 3 milionë euro do qe një goxha investim për parandalimin e përmbytjeve.

3. Ura të ndërtuara keq

Edhe ndonjë ndërtim lokal, tek-tuk, prokuruar nga Agjencia e Prokurimeve Publike, rezultoi që ishte bërë keq. Ura e Drojës, që lidh Thumanën me Mamurrasin u shemb pak muaj pasi ishte ndërtuar duke treguar fytyrën e vërtetë të investimeve skandaloze.

E njëjta gjë ndodhi me Urën e  Vanës në Sarandë, ku furgoni me pasagjerë mbeti me rrota në ajër duke rrezikuar jetën e pasagjerëve.

Prokuroria ka nisur hetimet për bllokimin e autostradës Tiranë-Durrës por mbetet për t’u nëse për këtë 2 ura të ndërtuara keq, duke rrezikuar jetë banorësh do të ndërmarrë ndonjë veprim, jo vetëm ndaj ndërtuesve por edhe audituesve shtetërorë.

4. Buxheti qesharak i Emergjencave Civile

1.3 milionë euro është fondi për Emergjencat Civile, i cili tingëllon krejtësisht qesharak po ta krahasosh me shumatoren e 2 investimeve estetike të Edi Ramës, pishave dhe stolave inteligjentë.

Edhe koncesionet e dhëna nga Rama këto 4 vjet në shuma marramendëse do ta zhvlerësonin krejtësisht këtë buxhet. Koncesione që kryesisht kanë patur qëllim shfrytëzimin e burimeve natyrore dhe jo mbrojtjen e tyre. 

 Shënim: Shkrim i publikuar më 04/12/2017
Valmora Gogo është gazetare dhe lektore e Komunikimit dhe e Gazetarisë. Prej 17 vitesh ajo kontribuon në hapësirën mediatike në Shqipëri, duke nisur që prej gazetës Shekulli e deri te mediet online si Newsbomb.al, Shuplaka.al dhe Hashtag.al. Gogo mban gradën “Doktor në Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” dhënë nga Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, Universiteti i Tiranës. E fokusuar në kërkim dhe kryesisht në politikë, Gogo kujdeset në informimin e saktë të opinionit publik shqiptar.

Leave a Reply

  • (not be published)