PS nuk e lëshoi ish-zv.kryeministren Belinda Balluku te SPAK-u që ka kërkuar ta arrestojë. Në mbledhjen e grupit Parlamentar të PS-së deputetët diskutuan mbi raportin që do i përcillet kuvendit ku nuk kanë dhënë asnjë autorizim për arrestimin e saj me argumentin se SPAK-u nuk ka arritur të provojë nevojën për të arrestuar Ballukun dhe se për Ramën socialistët nuk kanë asnjë arsye pse të votojnë sikurse ka ndodhur në rastet e mëparshme. Vetë SPAK-u përmes një deklarate njoftoi se Balluku akuzohet për “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”. Hetimet janë zhvilluar për projektin e tunelit të Llogarasë, segmenti Orikum-Himarë si seksion i autostradës Vlorë-Sarandë. Tenderi është hapur fillimisht më 11 dhjetor 2020, por më pas është anuluar dhe rihapur më 22 qershor 2021, me një fond limit prej afro 190 mln euro pa TVSH.

Momenti kur Rama zë me dorë buzët e tij

Hetimi lidhet me ndikimin që dyshohet të ketë patur Balluku në procesin e prokurimit. “Deri në këtë fazë të hetimeve paraprake, faktet penale, objekt akuze në ngarkim të të pandehurës Belinda Balluku, kanë të bëjnë me veprimet e saj, në cilësinë e Ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për njërën nga procedurat e prokurimit, objekt i këtij hetimi, “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”,-deklaron SPAK ku lihet të nënkuptohet se mund të ketë të tjera tendera, sikurse ish-kreu i SPAK-ut Altin Dumani u shpreh në kuvend edhe për Aeroportin e Vlorës dhe për ndërtimin e autostradës Thumanë-Kashar.

Rama mosdhënien e autorizimit e ka quajur “bërje të detyrës” dhe një mbështetje për drejtësinë, madje ka kërkuar që të shterohet çdo pistë që mund të çojë procesin në akuza për korrupsion. Duke thënë se “nuk do i mbajë pishën asnjë personi”, Rama për 1 orë 20 minuta ka përsëritur se Balluku nuk është akuzuar për korrupsion, por vetëm për shkelje të barazisë në tendera. “Nuk kam ndërmend dhe nuk më lejohet t’i mbaj pishën asnjë personi. Nuk kam jo e jo ndërmend ta shpall të pafajshme, apo të shkel për të vijën e kuqe dhe që vlen për të gjithë njësoj, duke e marrë në mbrojtje nga drejtësia. Le ta hetojnë deri në fund Belinda Ballukun. Le ta ulin në gjyq për shkelje të barazisë në tendera të bërë para 6 viteve, por të mos fyejnë inteligjencën tonë dhe të na thonë që ajo prish provat. Pastaj gjykata të vendosë si ta shohë të arsyeshme, është plotësisht pushtet i pavarur. Ky është qëndrimi jonë, pikë”, vijoi kryeministri.

Ai sot është tërhequr nga roli i avokatit të paktën në sy të publikut duke thënë: “Nuk e kam as të mundur, por as të lejuar, qoftë nga ligji dhe nga zakoni që t’i mbaj pishën asnjë bashkëpunëtori. I uroj fatin që meriton cilido qoftë fati i saj në betejën ligjore që do të ketë në krah vetëm avokatët e saj”. Pavarësisht kësaj ai ka vijuar të shprehë vlerësimet për Ballukun e punën e saj në 7 vite si ministre dhe e rikonformoi në krye të qarkut të Fierit si drejtuese politike.

Duke e lënë Ballukun të qetë në punën e saj, Rama ka bërë vetëm kritika për SPAK-un dhe GJKKO-në që nuk e kursyen krahun e tij të djathtë. Sipas kryeministrit, ata kanë vrapuar të japin masat e sugurisë dhe i shqetësuar për kërkesën për arrestimin e Ballukut tha: “Për të legjitimuar një kërkesë ekstreme të arrestit me burg pa gjyq na vënë në pozitën absurde ne, shumicën socialiste që i kemi dhënë shpirtin betejës për reformën në drejtësi, por i kemi vënë në dispozicion dhe lëkurën drejtësisë së pavarur.” Në pjesën tjetër të fjalimit ai u përpoq të hidhte poshtë pretendimet e drejtësisë për “Unazën e Madhe” e cila sipas tij ka një iventar imagjinar dhe shumë projekte që ishin përfunduar nga Balluku.

Duke kritikuar SPAK-un e duke lavdëruar Ballukun, Rama tha: “Nuk kam ndërmend që as në një moment si ky t’i lë pa përmendur transformimet e mëdha në dy sektorët që ministrja ka ndjekur përditë, pa ndaluar asnjë ditë”, tha Rama në fjalën e tij para kryesisë së PS duke renditur një sërë detyrash të kryera prej Ballukut. Përmes tyre, s’i kurseu as ca komente për opozitën duke i atribuuar një sërë projektesh të parealizuara e të mbetura “ëndrra në beze”.

Ai solli shembujt e rrugëve: “40 kantierë janë të hapur në të gjithë vendin. Nga aksi Elbasan-Rrogozhinë që mbyllet në 2027-ën, me ecuri mbi 60%, te Elbasan-Qafë Thanë, duke i vënë në dispozicion Shqipërisë, BE-së e NATO-s, Korridorin VIII që për 30 vjet u bllokua në Komisionin Europian e nga të tjerë për të mos u klasifikuar si Korridor i Rrjetit Europian të Transportit dhe e zhbllokuam në samitin e BE-së me Ballkanin Perëndimor dhe është shpallur “Korridor Sigurie për Mobilitetin e Forcave të NATO-s”. Edhe Elbasan-Banjë, bajpasi i Fierit e i Vlorës, rrugë që numëroheshin me daulle, të cilat ishin vetëm gropa borxhesh e plagë të hapura rruge, sot janë vepra siç u krye Orikum-Dukati ku flitet për miliona e “meleona” të vjedhur, por të vetmit miliona e “meleona” janë ato të përfituara më tepër nga rritja  e fluksit të makinave drejt jugut.”-tha Rama.

Ai vijoi duke listuar të tjera rrugë: “Palasë-Dhërmiu, Kardhiq-Delvina, e shumëpremtuar dhe ajo, edhe ajo në kalendarin imagjinar të ditëpunëziut. Korçë-Ersekë, Qukës-Qafë Plloça që na mbeti në kurriz bashkë. E nisëm krejt nga e para si projekt duke e bërë fytyrën shollë para investitorëve. Bajpasi i Tepelenës, “Rruga e Arbrit”, Thumanë-Kashari, dy ëndrra në beze kur thonë tironsit, ndërsa sot janë realitete me dobi të jashtëzakonshme”.

Për Unazën e Madhe tha: “Këtë e llogaris te katrani i madh te ai inventari imagjinar i mijëra kilometrave, u bë realitet vetëm pasi iu qep ministrja duke qëruar oriz se në çdo 100 metra kishte një problem, jo shpronësimi i pabërë këtu, jo kanali atje, jo kabllot e nëndhenshme të RTSH-së më tutje, jo kolektori poshtë, jo lumi me klubin, jo lavazhi, jo dreqi me leje, jo i biri pa leje, jo ky me legalizim, ai në proces legalizimi, ata që s’luanin vendi, ata që s’hapnin rrugën se ishin me ata, jo dreqërit që nxisin protestat me bllokime, bam bariu e bam i biri, bum Falliu e bam i ati derisa u qëruan të tërë dhe u krye edhe Unaza e Madhe e Tiranës”,-kur Unaza është një nga pretendimet e drejtësisë ndaj Ballukut.

Rama vijoi më tej me të tjera segmente: “Bulqizë-Martaneshi, Maqellarë-Peshkopia, Ura e Madhe e Kukësit, të gjitha të mbetura në havanë e premtimeve shumëvjeçare. Doli edhe “Rruga e Kombit” nga gryka e shishes, pa llogaritur peripecitë e tjera të saj. Janë në ndërtim Rruga e Ksamilit, zgjerimi i autostradës Tiranë-Durrës, segmenti i bajpasit Vaqarr-Kashar, rruga Ndroq-Plepa, bajpasi i Sarandës, segmentet e Korridorit Blu janë të tëra në përgatitje kantieresh”, -shtoi Rama, duke përmendur punët e Ballukut duke iu drejtuar SPAK-ut e GJKKO-së.

“Kur të shkojnë për të kërkuar arrestimin e një deputeti të shkonin me prova e “jo me inçizime me dy gra”. Kur të vijnë herën tjetër, duhet të vijnë të armatosur me prova, si erdhën në 2 rastet e mëparshme. Ti vish kuvendit me një procesverbal e inçizim qesharak me një grua e dy gra? Duke na vënë në pozitë absurde që i kemi dhënë shpirtin betejën reformës në drejtësi, u kemi vënë në dispozicion dhe lëkurën drejtësisë së pavarur. Bëni ç’keni për të bërë. Dinjiteti i parlamentit nuk ka dalë në pazarin e gjësë së gjallë”, tha Rama.

Ai mban të njëjtin qëndrim të prerë edhe për akzuat e PD-së se Balluku ka kërcënuar dëshmitarët, dhe për këtë nuk duhej lënë e lirë. Rama e hodhin poshtë edhe këtë dhe tha se: “SPAK-u solli si provë të re një inicizim mes një të pandehure dhe një bashkëbisedueseje ku pretendohet se Balluku e ka kërcënuar të ndryshojë dëshminë. Kjo nuk ishte një provë e re, por SPAK-u e nxori pas vendimit të Kushtetueses, duke thënë se erdhi në Kuvend dhe kërkoi kokën e një zgjedhuri me muhabete telefoni”.

Duke u kthyer në akuzues, Rama kërkoi që SPAK-u të hetojë privatimin e 4 hidrocentraleve në kohën e Berishës, nëse do që të luftojë korrupsionin, “meqënëse nuk ka fuqi të ngrejë akuza për 21 janarin”.  “Ka ndodhur shkatërrimi total i sistemit të shpërndarjes. E dyta, privatizimi kriminal i 4 hidrocentraleve Shkopet, Ulëz, Bistrica 1 dhe Bistrica 2 si kthim TVSH-je. Nëse duan korrupsion dhe duan të luftojnë korrupsionin se krimin mesa duket, nuk e kanë të lehtë ta luftojnë deri në fund përderisa nuk kanë fuqi të ngrenë akuzë për ‘21 janarin’, të shkojnë dhe të marrin dosjen e këtyre 4 veprave të ndërtuara nga populli dhe që i takonin vetëm popullit dhe iu dhanë një kompanie që nuk i kthehej TVSH-ja, thanë TVSH-s’jua kthejmë, por merrni këtë hidrocentralin. Këta janë sot ata që vijnë vërdallë si qentë e pazarit me flakë nëpër duar dhe me llapën jashtë”, u shpreh Rama.

Rama numëron akuzat për Berishën e thotë se: “Në fund të pushtetit të tij, vetëm disa javë para humbjes së zgjedhjeve të 23 qershorit 2013, qeveria e Sali Berishës finalizoi privatizimin e HEC-ve Ulëz, Shkopet, Bistrica 1 dhe Bistrica 2. Në atë kohë, Partia Socialiste në opozitë, e denoncoi privatizimin si korruptiv dhe me një kosto prej 125 milionë eurosh për shqiptarët”. 

Balluku nuk ka më asnjë funksion qeveritar dhe fati i mandatit të saj vendoset në kuvend. Opozita ka reaguar duke kërkuar dorëheqjen e Ramës pas mosdhënies së autorizimit për arrestimin e ish-zv.kryeministres dhe ka paralajmëruar protesta masive.

LËR NJË KOMENT

Klevi Metaj u përball i vetëm me 6 policë. Rrjeti është dominuar në fotoja e portretit të tij. Qëndresa e e Metajt ka tërhequr vëmendjen e komentuesve. Në protestën e...
/ Oct 13
Nga Dorian Matlija Gjatë gjithë jetës sime profesionale kam besuar te zgjidhja paqësore e konflikteve, te ligji dhe institucionet. Helbete, avokat hesapi dhe kështu i bie të mendoj në kohëra...
/ Oct 14
Gogo.al hap studion e podkastit duke ftuar një pjesëtar të audiencës sonë besnike, Olard Siqecën. Një qëndrim mbi Call Centerat i themelueses dhe gazetares Valmora Gogo, u bë shkak për...
/ Oct 12
“Sa më shumë polici, aq më shumë studentë” është parulla me të cilën studentët u bëjnë thirrje të rinjve t’i bashkohen protestës së sotme, më 14 tetor, në orën 14:00,...
/ Oct 14