
Avokati Altin Goxhaj ka përgatitur një kallëzim penal që do e dorëzojë të hënën në SPAK ndaj kreut të Policisë së Shtetit, Skënder Hita. Sipas Goxhajt, Hita ka përndjekur në mënyrë të paligjshme dhe të pabazuar në ligj qytetarët kundërshtarë të “establishmentit” siç e quan ai, për veprën penale të “Shpërdorimit të Detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, si dhe për çdo vepër tjetër penale që mund të rezultojë gjatë hetimit”, shkruan ai. Reagimi vjen pas daljes për mediat të Hitës i cili bëri të ditur nisjen e hetimeve për review-t negative të dërguara ndaj bizneseve shqiptare, edhe të Gjergj Lucës, mes të tjerëve.
Sipas Goxhajt, Hita tha se ishin identifikuar mijëra llogari dhe ishte ngritur grup hetimor, ndërsa avokati vëren se nuk u komunikua asnjë procedim konkret. Goxhaj theksoi se nuk është komunikuar asnjë dispozitë konkrete e Kodit Penal ku mbështetet hetimi dhe baza ligjore që autorizon identifikimin dhe analizimin masiv të mijëra përdoruesve të rrjeteve sociale.
Lidhur me mungesën e bazës ligjore për ndërhyrjet e Policisë ai shprehet se në deklaratën publike të Drejtorit të Policisë nuk identifikohet asnjë vepër penale konkrete që justifikon identifikimin masiv të qytetarëve, analizimin e aktivitetit të tyre në internet, mbledhjen e të dhënave mbi përdoruesit dhe ngritjen e grupit hetimor. Ndaj Hitës ka edhe dyshime për tejkalim të kompetencave. Avokati Goxhaj shkruan: “Nëse rezulton se nuk ekzistonte një procedim penal i regjistruar mbi një vepër penale konkrete ose nuk ekzistonte një dyshim i arsyeshëm për kryerjen e një vepre të tillë, atëherë ekziston dyshimi se kompetencat e Policisë janë ushtruar në kundërshtim me ligjin”.
Krahas çështjes së kompetencave, Goxhaj ngre edhe shqetësimin për mbledhje të dyshimta të dhënash. Duke cituar Hitën i cili deklaroi se janë evidentuar rreth 10 000 llogari, Goxhaj shtron pyetjet për mjetet teknike të përdorura, marrjen e të dhënave digjitale, përdorimin e të dhënave nga operatorët elektronikë apo Inteligjenca Artificiale. Në vijim të procedurës, Goxhaj thotë se duhet verifikim i plotë bazës ligjore mbi të cilën janë marrë të dhënat.
Duke iu referuar nenit 143 /b të Kodit Penal, avokati kërkon të trajtohet edhe qëndrimi zyrtar i mbajtur nga institucionet shtetërore. Ai rendit fakte se edhe vetë institucionet nuk e kanë klasifikuar publikimin e revieë-ve apo fushatave të bojkotit ekonomik si objekt për Kodin Penal. Për Goxhajn: “Deklaratat publike të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, sipas të cilave qytetarët mund të përballen me përgjegjësi penale në kuadër të “krimeve kompjuterike” për shkak të publikimit të revieë-ve negative, krijojnë dyshime serioze për një interpretim që bie ndesh me mënyrën se si vetë administrata shtetërore e specializuar e ka shpjeguar dhe zbatuar këtë dispozitë”.
Më tej Goxhaj veçon se ka dyshime për përdorimin e hetimit penal si mjet presioni ndaj protestuesve. “Në këtë kontekst, paralajmërimi publik se mijëra qytetarë do të “përballen me forcën e ligjit”, pa bërë publik një referim të qartë ndaj një dispozite penale konkrete, krijon dyshime të arsyeshme se procedurat e identifikimit dhe verifikimit mund të kenë prodhuar një efekt frikësues (chilling effect) ndaj ushtrimit të lirive kushtetuese të protestës dhe të shprehjes”, shkruan Goxhaj. Shkelja e Kushtetutës dhe e Konventës Evropiane është një tjetër pikë e cila pritet të futet në kallëzimin e Goxhajt në SPAK për Hitën, ndër të tjera ai citon nenin 17 të Kushtetutës: **”1. Kufizime të të drejtave dhe lirive të parashikuara në këtë Kushtetutë mund të vendosen vetëm me ligj për një interes publik ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve.
Kreu i Policisë së Shtetit, Skënder Hita ka bërë një dalje publike duke u shprehur se review-t negative janë një shqetësim serioz: “Kjo veprimtari, nëse konfirmohet nga hetimet, rrezikon të dëmtojë jo vetëm biznese të caktuara, por dhe sektorin e turizmit dhe imazhin e Shqipërisë si një vend i sigurt dhe mikpritës.” Hita flet për aktivitete të dyshuara si të koordinuara në platformat online, që sipas tij: “Konsiston në publikimin masiv të vlerësimeve (reviews) dhe komenteve negative ndaj hoteleve, restoranteve dhe s ubjekteve të tjera që ushtrojnë aktivitet në sektorin e turizmit në Shqipëri… Rezultojnë indicie për ekzistencën e një rrjeti llogarish që kanë vepruar në mënyrë të sinkronizuar në platformat ndërkombëtare të vlerësimit të hoteleve, restoranteve, resorteve dhe destinacioneve turistike.”


