Rrjeti rus po përdor TikTok-un, Telegram-in dhe madje edhe platforma videolojërash për të rekrutuar adoleshentë ukrainas duke i motivuar ata me para për të kryer sulme dhe sabotime kundër vendit të tyre. Historia e një 17-vjeçari, i cili udhëtoi mbi 800 kilometra nga lindja e Ukrainës në Rivne për të marrë një bombë dhe një telefon të fshehur, tregon rrezikun dhe manipulimin e adoleshentëve nga kjo skemë e sofistikuar.

I njohur si “Vlad”, adoleshenti tregon për BBC-në se i ishin premtuar rreth 1,700 euro për të vendosur një bombë në një furgon të përdorur nga shërbimi ushtarak i Ukrainës. “Kur i lidha telat, mendova se mund të shpërthente në atë moment. Mendova se mund të vdisja,” rrëfen ai. Vlad pranoi se fillimisht ngurronte, por u bind të merrte përsipër një sërë misionesh gjithnjë e më të rrezikshme, përfshirë marrjen e një granate dhe djegien e një furgoni të një qendre rekrutimi.

SBU, Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës po monitoronte veprimet e tij dhe arriti ta parandalonte sulmin, duke shpëtuar potencialisht jetë. Vlad tani është 18 vjeç dhe pret gjyqin për akuza për terrorizëm, të cilat mund të çojnë deri në 12 vite burg. Ai nuk ka lidhje me Rusinë dhe nuk kishte qenë i përfshirë më parë në aktivitete kriminale, por si shumë të rinj të tjerë, u manipulua nga premtimi i fitimeve të shpejta.

Autoritetet ukrainase raportojnë se në dy vitet e fundit më shumë se 800 ukrainas janë identifikuar si të rekrutuar nga Rusia, 240 prej tyre të mitur, disa vetëm 11 vjeç. Ekspertët e sigurisë kibernetike raportojnë edhe raste fëmijësh në moshë 9 ose 10 vjeç që janë kontaktuar për misione të ndryshme. Zëvendësdrejtori i Policisë Kombëtare të Ukrainës, Andriy Nebitov, shpjegon se rekrutuesit përdorin strategji të qarta për të gjetur individë të cenueshëm që mund të manipulojnë lehtësisht.

Sipas BBC-së përveç premtimeve monetare, ata përdorin një gjuhë që nxit zemërimin e disa ukrainasve ndaj shërbimit të rekrutimit ushtarak, duke përforcuar mosbesimin dhe inatin. Rekrutimi kryhet kryesisht përmes aplikacionit Telegram, por gjithashtu edhe në TikTok dhe platforma të tjera online, dhe motivimi kryesor i të rinjve është shpërblimi financiar, jo mbështetja për Rusinë.

Kanalet ku bëhet rekrutimi ofrojnë një “çmim” për sulme të ndryshme, duke filluar nga 1,500 dollarë për zjarrvënie në një postë, deri në 3,000 dollarë për një bankë. Për shumë të rinj që kërkojnë punë, oferta të tilla mund të duken si një mundësi, por rreziku është i madh. Disa të dyshuar janë vrarë nga eksplozivët që mbanin vetë, ndërsa të tjerë përballen me gjyqe të rënda.

Autoritetet ukrainase kanë publikuar emrat e disa anëtarëve të shërbimeve sekrete ruse që dyshohen si “operatorë” të këtyre sabotatorëve. Megjithatë, është e vështirë të vërtetohet në mënyrë të pavarur nëse shteti rus drejtpërdrejt udhëzon këto veprime. Disa vende europiane kanë raportuar raste të ngjashme, ku agjentë rusë kanë rekrutuar të rinj për akte vandalizmi, zjarrvënie ose mbikëqyrjeje.

Vlad ka një mesazh për të rinjtë që mund të joshën nga rekrutuesit: “Nuk ia vlen. Ose do të mashtroheni dhe përfundoni në burg si unë, ose do të përfundoni me një bombë në duar dhe ajo do t’ju hedhë në erë.”

LËR NJË KOMENT

Navanethem "Navi" Pillay, një juriste nga Afrika e Jugut dhe ish-komisionere e lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut, fitoi Çmimin Nobel për Paqen 2026, "për përpjekjet e saj...
/ Oct 9
Nga Irena Beqiraj “Vetëm fanatikët e rrezikshëm refuzojnë të bëjnë kompromis" - ky do të ishte një justifikim i mirë për argumentin e Braçes i cili votoi pro një reforme...
/ Oct 12
Gogo.al hap studion e podkastit duke ftuar një pjesëtar të audiencës sonë besnike, Olard Siqecën. Një qëndrim mbi Call Centerat i themelueses dhe gazetares Valmora Gogo, u bë shkak për...
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Greqi, Kimberly Guilfoyle, është vënë sërish në qendër të vëmendjes pas një investigimi të "The Wall Street Journal", sipas të cilit ajo është mburrur...
/ Oct 11