
Administrata e Trump-it pezulloi më shumë se 2 miliardë dollarë fonde federale për Universitetin e Harvardit, vetëm disa orë pasi universiteti refuzoi një listë kërkesash të ardhura nga Shtëpia e Bardhë. Në një deklaratë zyrtare, Departamenti Amerikan i Arsimit u shpreh se sjellja e Harvardit përforcon “mentalitetin shqetësues të të drejtave të pakufizuara që është i përhapur në universitetet elitare të vendit”.
Lista e kërkesave, e cila u dërgua nga Shtëpia e Bardhë javën e kaluar, përfshinte ndryshime të thella në strukturën e qeverisjes së universitetit, praktikat e punësimit dhe procedurat e pranimit. Sipas administratës të Trump-it, këto ndryshime ishin të domosdoshme për të luftuar antisemitizmin që, sipas tyre, është bërë gjithnjë e më prezent në kampuset universitare amerikane, sidomos pas shpërthimit të protestave kundër luftës në Gaza dhe mbështetjes së SHBA-së për Izraelin.
Universiteti i Harvardit është i pari institucion arsimor i nivelit të lartë që sfidon publikisht këtë presion qeveritar. Në një letër dërguar komunitetit universitar, Presidenti i Harvardit, Alan Garber, konfirmoi se universiteti nuk do të pranojë kërkesat e propozuara nga Shtëpia e Bardhë. Ai theksoi se këto kërkesa përbëjnë një përpjekje për të “kontrolluar” komunitetin akademik dhe për të ndërhyrë në mënyrë të papranueshme në pavarësinë institucionale. “Ne e kemi informuar qeverinë, përmes përfaqësuesve tanë ligjorë, se nuk do të pranojmë marrëveshjen e propozuar”, u shpreh Garber.
Ai gjithashtu theksoi se Harvardi nuk do të heqë dorë nga pavarësia e tij institucionale dhe as nga të drejtat e garantuara me Kushtetutë. Sipas tij, edhe pse disa nga kërkesat synonin luftën kundër antisemitizmit, pjesa më e madhe e tyre përfaqësonin një rregullim të drejtpërdrejtë të “kushteve intelektuale” nga ana e qeverisë.8
Menjëherë pas shpalljes së vendimit të Harvardit, Departamenti i Arsimit njoftoi pezullimin e të gjitha fondeve federale në vlerë prej 2.2 miliardë dollarësh, përfshirë këtu edhe 60 milionë dollarë kontrata. Kjo është masa më e ashpër e marrë ndonjëherë nga një administratë amerikane ndaj një universiteti të njohur në vend.
Shënim – Ky shkrim është pronësi intelektuale e “BBC”. Lexo këtu.


