
Ka mjaftuar një postim në rrjetin social X nga një llogari anonime që origjinaliteti i veprës letrare të shkrimtarit me origjinë nga Haiti Thélyson Orélien të vihet në pikëpyetje, duke i bllokuar garimin në festivalet letrare në Francë, si dhe aktivitetet promovuese në disa shtete. Në postimin e publikuar hidhen akuza që Orélien ka përdorur Inteligjencën Artificiale për shkrimin e një pjesë të konsiderueshme të veprës letrare “C’était ça ou mourir”, duke argumentuar se për zbulimin e këtij fakti kanë përdorur programin Pangram. Nisur nga këto akuza l’Académie Goncourt në Paris njoftoi heqjen e “C’était ça ou mourir” nga lista me 15 veprave letrare të nominuara, me qëllim “ruajtjen e integritetit të çmimit Goncourt” dhe vlerësimin e talentit njerëzor.
Institucioni letrar francez tha se kishte marrë parasysh faktin se “disa analiza nga studiues dhe gazetarë të besueshëm” bashkohen dhe nxjerrin në pah se romani është “me shumë gjasa produkt i Inteligjencës Artificiale”, megjithëse është e vështirë, por jo e pamundur, ta provosh këtë pa asnjë dyshim. Akademia shpjegoi se e bëri këtë zgjedhje për të ruajtur integritetin e saj dhe atë të Çmimit Goncourt, duke kujtuar se roli i saj qendror është të “promovojë dhe kurorëzojë letërsinë e shkruar nga njerëzit”.
Pas polemikave të krijuara në kritikën letrare franceze, reagoi edhe eseisti Samuel Fitoussi, i cili zbuloi se ai ishte një ndër personat që fshihej pas postimit në rrjetin X, ku u ngritën akuat për përdorim të “AI” dhe plagjaturë. Përmes një interviste të dhënë për Le Point, Fitoussi një eseist në të përditshem Le Figaro tha se zgjodhi të ishte anonim, pasi shkrimin nuk e bëri i vetëm dhe për më tepër nuk donte të krijonte keqkuptime lidhur me bindjet e ndryshme që ai dhe Thélyson Orélien kanë.

Shkrimtari Thélyson Orélien ka refuzuar të japë intervista për akzuat që janë ngritur ndaj tij, por ka ndarë vetëm një koment të shkurtër për median franceze Libération, ku mohon përdorimin e “AI” në shkrimin e veprës letrare.
“Gjithmonë e kam dashur krijimtarinë letrare, nuk e kuptoj pse duhet të përdorja një robot për shkrimet e mia”, tha Orélien.
Më tej, Orélien e konsideroi gjithë sulmin ndaj tij si një përpjekje dashakeqe për ta heshtur dhe për ta penalizuar nga çmimet letrare. Botuesi i veprës së tij, tha gjithashtu se do të nisin sërish verifikime për origjinalitetin e veprës.



