Një tjetër sherr me thika mes adoleshentëve u raportua të premten e 13 dhjetorit në vend, këtë radhë në një gjimnaz të Fierit. Sherri mes 17-vjeçarëve kishte ndodhur në oborrin e shkollës, në sy të nxënësve dhe mësuesve dhe thuhet se kishte nisur për një postim në rrjetin social “Snapchat”. Pas interesimit të gazetarëve, prindi i adoleshentit të plagosur u shpreh i frikësuar për sigurinë e fëmijës së tij dhe tha se nuk do e dërgonte më në shkollë.

Në fakt, muajin e fundit janë rritur diskutimet lidhur me sigurinë e nxënësve në shkolla dhe rritjen e incidenteve të dhunshme mes adoleshentëve, sidomos me përdorimin e thikave, që pas ngjarjes tragjike ku një fëmijë 14-vjeçar humbi jetën në kryeqytet. Fenomeni ka mbushur portalet me shkrime dhe televizionet me kronika si dhe është bërë temë e debateve në programe televizive dhe nëpër tavolina të qytetarëve. Por a po shtohen vërtet sherret me thika mes adoleshenteve, apo është thjesht media që po u kushton më shumë rëndësi atyre?

Moment nga një prej protestave për sigurinë në shkolla në kryeqytet

Rastet e sherreve mes adoleshentëve

Debati për sigurinë nisi me vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani më 18 nëntor, pranë shkollës 9-vjeçare “Fan Noli”. Një ngjarje që tronditi të madh e të vogël dhe u bë shkak dhe për nisjen e protestave dhe kërkesave për dorëheqjen e ministres së Arsimit, Ogerta Manastirliu. Ngjarja ka ngritur pikëpyetje të mëdha mbi sigurinë e fëmijëve shqiptarë në shkolla, procesin e edukimit, diskutime kush e ka fajin dhe si mund të zgjidhet ky fenomen. Kryeministri Edi Rama duket se ia faturoi fajin rrjeteve sociale dhe doli me një propozim: Mbylljen e plotë ose të pjesshme të “TikTok”-ut (lexo këtu).


Brenda së njëjtës ditë që u vra Martin Cani në kryeqytet, në Fier kishte ndodhur një tjetër sherr mes adoleshentëve. Ditën e nesërme, më 19 nëntor në Korçë, dy fëmijë rreth 12 vjeç u zunë gjatë një loje futbolli ku njëri goditi tjetrin me gur në kokë. Nuk kaluan shumë, vetëm 2 ditë të tjera më vonë ndodhi një tjetër sherr mes dy të rinjve në Qytetin Studenti, ku mbeti i plagosur me thikë një 20-vjeçar.
Me kalimin e ditëve dhe javëve rastet u shtuan. Po të marrim në konsideratë vetëm këtë javë, e hëna nisi me një plagosje pranë pallatit të sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet, ku pas një loje basketbolli, dy grupe adoleshentësh u rrahën me shkopinj, rripa pantallonash dhe flakadanë dhe si pasojë një fëmijë 10-vjeç dhe një tjetër 14-vjeç mbetën të lënduar. Policia gjeti dhe 3 thika në vendin e ngjarjes. Po këtë javë ndodhi një sherr në Peshkopi, ku mbeti i plagosur një 18-vjeçar, ndërsa rasti më i fundit është ai i së premtes në Cakran të Fierit, ku një 17-vjeçar u plagos po me thikë. Pra të paktën 3 raste brenda kësaj jave rezultojnë nga vrojtimi i Gogo.al.
Natyrshëm lind pyetja, a është ky fenomen në rritje apo është thjesht një problem i trajtuar më shpesh në media pas vrasjes së 18 Nëntorit? Mund të jenë të dyja. Nga policia nuk ka ende shifra zyrtare që tregojnë nivelet e dhunës me armë të ftohta tek fëmijët dhe adoleshentët. Por duke ndjekur raportimet në media, rezulton se raste të tilla ka patur më parë, por nuk janë mediatizuar aq shumë.

Sherre mes adoleshentëve kishte dhe para Nëntorit

Kujtojmë rastin e plagosjes së një 18-vjeçari në Fushë-Krujë në ambientet e gjimnazit, ngjarje e ndodhur më 30 Tetor. Apo dhe vrasjen e një 15-vjeçari në Shkodër nga një bashkëmoshatar, edhe kjo ngjarje e ndodhur në Tetor të këtij viti, konkretisht me datë 14. Pra fiks një muaj para ngjarjes së Tiranës. Vrasja vërtet u raportua në media, por askush nuk doli të protestojë për adoleshentin në Shkodër. Kjo histori u raportua si një ngjarje e thjeshtë kronike.

Është e vështirë të përcaktohet nëse incidentet e dhunshme mes adoleshentëve janë në rritje, apo nëse media po u kushton më shumë rëndësi. Por është e mundur që vëmendja e shtuar mediatike të krijojë një iluzion të një rritjeje të dukshme të këtij fenomeni, e pa shifra zyrtare pyetja nuk merr një përgjigje të saktë por kërkon analiza të thelluara. Megjithatë problemi ekziston dhe nevoja për ndryshime është e dukshme. Prindërit në protesta kërkojnë ndërhyrje nga autoritetet dhe rritjen e sigurisë në shkolla.

Në vitin 2017, Mbretëria e Bashkuar u përball me një situatë të ngjashme, ku pati një rritje të incidenteve me thika tek të rinjtë (lexo këtu). Zgjidhjet që Mbretëria e Bashkuar përdori ishin disa, që nga rritja e forcave të sigurisë me vendosje dedektorësh në hyrje të shkollave, deri te edukimi i prindërve dhe i të rinjve, forcimi i legjislacionit e me radhë… por më shumë sukses fushata pati në Skoci, ku problemi u trajtua si një problem i shëndetit publik. A mund të jenë këto zgjidhje dhe për Shqipërinë?

LËR NJË KOMENT

Klevi Metaj u përball i vetëm me 6 policë. Rrjeti është dominuar në fotoja e portretit të tij. Qëndresa e e Metajt ka tërhequr vëmendjen e komentuesve. Në protestën e...
/ Oct 13
Nga Ola Xama Të dhënat për numrin e policëve të plagosur apo vlerën e objekteve të dëmtuara në protestë, për herë të parë nuk më bëjnë përshtypje. Personalisht kam pëlqyer...
Gogo.al hap studion e podkastit duke ftuar një pjesëtar të audiencës sonë besnike, Olard Siqecën. Një qëndrim mbi Call Centerat i themelueses dhe gazetares Valmora Gogo, u bë shkak për...
/ Oct 12
Shtëpia e Bardhë kërkoi dorëheqjen e Guilfoyle pasi "The Wall Street Journal" raportoi se ajo i kishte kërkuar 100,000 dollarë një donatori të Trumpit. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Katie...
/ Oct 13