Më 16 nëntor 2025, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dëgjoi në altoparlant një zë të panjohur. Ky bashkëbisedues i ri, që fliste me një theks amerikan të mprehtë, kishte një plan për Zelenskyn: një seri pikash, të gjitha të miratuara nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, që përcaktonin se çfarë duhej të bënte Zelensky për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Lista e kërkesave vazhdonte pa fund. Ukraina do të duhej të pranonte kufizime të reja për ushtrinë e saj, duke e penguar atë që të arrinte avantazhet ushtarake që Rusia kishte në plan. Ukraina do të duhej gjithashtu të hiqte dorë nga çdo ëndërr për t’u bashkuar me NATO-n. Teksa aftësia e Ukrainës për të mbrojtur veten po zvogëlohej, sanksionet ndaj Rusisë do të hiqeshin së shpejti dhe Moska do të pranohej përsëri në skenën gjeopolitike, sikur lufta të mos kishte ndodhur kurrë.

Por kjo nuk ishte e gjitha. Sipas udhëzimeve të këtij zëri të ri, Ukraina do të duhej të hiqte dorë përfundimisht jo vetëm nga Krimea, por nga i gjithë Donbasi, përfshirë territore që Rusia as nuk i kishte pushtuar. Pas vitesh luftimesh dhe miliona viktimash, Ukraina do të duhej të dorëzonte territore dhe të braktiste popullsi ukrainase që Rusia nuk i kishte pushtuar kurrë.

Propozimet shkonin përtej çdo gjëje që Zelensky ose administrata e tij kishin dëgjuar ndonjëherë. Ato shkonin përtej çdo propozimi të bërë nga kushdo jashtë Moskës. Kërkesat në mënyrë efektive do ta dobësonin rëndë Ukrainën, duke siguruar që Kievi të mbetej përgjithmonë i cenueshëm ndaj Rusisë. Në fakt, ato dukeshin më pak si një listë pikash të negociuara dhe më shumë si një listë dëshirash që vinte drejtpërdrejt nga Kremlini.

Zelensky nuk e dinte në atë kohë, por lista e kërkesave, sipas burimeve të cituara, nuk kishte origjinën në ndonjë kryeqytet perëndimor, por në Moskë. Njeriu që po ia paraqiste këto kërkesa të reja ishte Jared Kushner, i cili po dilte nga prapaskena dhe po merrte një rol qendror në luftën e vazhdueshme midis Rusisë dhe Ukrainës, ishte aty për t’i thënë Zelenskyt se plani tani ishte bërë plan i Uashingtonit dhe se Kushner ndodhej aty për të siguruar zbatimin e tij.

E gjithë saga e diskutueshme e të ashtuquajturit “plan paqeje” të Kushnerit në fund të vitit 2025 shkaktoi menjëherë tituj të shumtë në media dhe reagime të ashpra. Por ndërsa shumë njerëz u përqendruan te natyra e çrregullt dhe e keqmenaxhuar e vetë planit dhe te fakti se pothuajse askush përveç Kushnerit dhe partnerit të tij, Steve Witkoff, nuk i njihte detajet paraprakisht, më pak vëmendje iu kushtua pasojave të propozimit dhe asaj që ai nënkuptonte për ndikimin gjithnjë e më të madh të oligarkëve në politikën e jashtme amerikane.

Kushner kërkonte që Ukraina të dorëzonte territore që Rusia nuk kishte arritur t’i fitonte në fushën e betejës, rikthimi i tij në qendër të luftës më të madhe që Evropa kishte parë në pothuajse një shekull tregonte shumë më tepër, jo vetëm për të ardhmen e tij personale, por edhe për të ardhmen e oligarkisë në Shtetet e Bashkuara dhe për atë që rritja e saj mund të nënkuptonte për stabilitetin global.

Le të fillojmë me Kushnerin.

Pas muajsh gjatë të cilëve kishte vepruar larg vëmendjes publike, duke organizuar punësime dhe duke ndikuar politikat nga prapaskena, gjysma e dytë e vitit 2025 e pa Kushnerin të rikthehej në qendër të vëmendjes.

Kishte marrëveshjet e tij financiare, të cilat po zgjeroheshin gjithnjë e më shumë në përmasë dhe rëndësi. Një prej tyre kishte partneritet me mbështetës sauditë, ku bleu një kompani videolojërash. Kishte gjithashtu qeverinë shqiptare, e cila përshpejtoi procedurat për projektin më të fundit të Kushnerit për zhvillimin e pasurive të paluajtshme shtetërore, duke i dhënë atij toka të rëndësishme dhe të çmuara nga shqiptarët gjë që, sipas autorit, çoi në protesta të mëdha në Shqipëri, të cilat vazhdonin ende.

Më së shumti, ishte përfshirja e Kushnerit në hartimin e një të ashtuquajture armëpushim në Gaza, i cili, sipas autorit, i dha Izraelit të drejtën të vazhdonte kontrollin dhe pushtimin e pjesës më të madhe të territorit dhe përshpejtoi objektivin e Izraelit për të penguar përgjithmonë krijimin e një shteti palestinez.

Por e gjithë kjo ishte vetëm një parapërgatitje për përfshirjen e papritur të Kushnerit në drejtimin e përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara për t’i dhënë fund luftimeve në Ukrainë.

Në fund të tetorit 2025, Kushner dhe Witkoff u takuan në Majemi për disa ditë me Kirill Dmitriev, një figurë e Kremlinit ndaj së cilës ishin vendosur sanksione dhe që kishte për detyrë të afrohej me Kushnerin në interes të Moskës.

Gjatë një serie “diskutimesh intensive”, Kushner dhe Witkoff përgatitën një grup pikash që supozohej të ishin origjinale, me qëllim zgjidhjen e konfliktit midis Rusisë dhe Ukrainës.

Por, siç zbuluan më vonë gazetarët Christo Grozev dhe Michael ëeiss, i ashtuquajturi plan i paqes i Kushnerit ishte gjithçka tjetër përveçse origjinal. Përkundrazi, “shumë nga kushtet e tij më të diskutueshme gjendeshin në një dokument” që kishte qarkulluar nga Kremlini disa muaj më parë.

Plani i Kushnerit, i cili rendiste të gjitha mënyrat se si Ukraina do t’i nënshtrohej Moskës, përmbante “formulime specifike që dukeshin pothuajse fjalë për fjalë të njëjta me një tekst të mëparshëm, një tekst i hartuar vetëm nga Dmitriev”, shkruajnë gazetarët.

Dy dokumentet në fjalë nuk ishin plotësisht identike. Disa klauzola ishin ndryshuar, ndërsa të tjera ishin zgjeruar ose hequr. Por, në përgjithësi, siç vazhduan Grozev dhe ëeiss, shumë nga “konceptet kyçe” të planit të Kushnerit nuk kishin origjinën te Kushneri, por te Kremlini.

Çuditërisht, Dmitriev madje duket se e pranoi këtë. Në një telefonatë të rrjedhur me një zyrtar tjetër rus, Dmitriev thuhet se kishte deklaruar se do ta “përcillte në mënyrë joformale [dokumentin e Moskës] drejtpërdrejt, duke thënë se e gjithë kjo është joformale. Dhe ata, pra Kushner dhe Witkoff “mund ta paraqesin atë si të tyrin”.

Dhe pikërisht kjo ndodhi.

Nëse Kushner thjesht do të ishte kapur duke përpunuarr dhe paraqitur si të tijat pikat e propagandës ruse, kjo është njëra anë e medaljes. Por ia vlen të ndalemi te pasojat e kësaj çështjeje, jo vetëm për Ukrainën apo Rusinë, por për pjesën tjetër të botës. Kushneri nuk ishte vetëm simboli përfundimtar i ngritjes së oligarkisë në Uashington; ai tani po promovonte një plan që kërcënonte të destabilizonte botën në një shkallë më të gjerë dhe të ndezte një epokë të re bërthamore, si dhe një garë drejt përhapjes së armëve bërthamore, ndryshe nga çdo gjë e parë në dekadat e fundit.

Nuk ishte vetëm fakti që Kushneri, me mbështetjen e vjehrrit të tij, po promovonte një politikë pajtimi ndaj agresorit, duke i dhënë një fuqie imperialiste mundësinë të mbyste dhe nënshtronte një fqinj më të vogël. Çështja është se, papritur, para nesh po shfaqej një parim i ri i gjeopolitikës.

Me planin e Kushnerit, Shtetet e Bashkuara po premtonin të njihnin të drejtën e një fuqie bërthamore për të copëtuar një fqinj që nuk zotëron armë bërthamore. Rusia nuk do ta merrte të gjithë Ukrainën, të paktën ende jo. Por Moska do të merrte të paktën një pjesë: disa territore ukrainase, popullsi ukrainase dhe do të mbetej e gatshme për të vazhduar pushtimin në një moment të mëvonshëm.

Me fjalë të tjera, kërcënimet dhe shantazhi bërthamor i Rusisë kishin funksionuar.

Ky ishte një mësim që nuk do t’u shpëtonte fuqive të tjera jobërthamore, Japonisë dhe Koresë së Jugut, Kanadasë dhe Polonisë, Kazakistanit, Australisë, Gjermanisë dhe shumë të tjerave, të cilat përballen me fuqi imperialiste të armatosura me armë bërthamore pranë kufijve të tyre.

Ishte një mësim që vinte drejtpërdrejt nga goja e një oligarku amerikan: një miliarder i pazgjedhur, i cili nuk i nënshtrohej asnjë mbikëqyrjeje apo kërkese për transparencë, dhe që ndodhej në atë pozitë vetëm për shkak të marrëdhënies së tij me Trumpin.

Një person që tani po ushtronte ndikim të madh në politikëbërjen amerikane dhe në shumë çështje të tjera.

Ka dhjetëra faktorë të tjerë që kanë çuar drejt kësaj epoke të ardhshme të përhapjes së armëve bërthamore, nga imperializmi rus te pretendimet territoriale të Kinës, nga mungesa e largpamësisë strategjike e Shteteve të Bashkuara deri te paaftësia e saj për të menaxhuar me sukses aleancat.

Por, kur të shkruhet historia e kësaj rritjeje të re të fuqive bërthamore, ngritja e një oligarkie amerikane do të jetë në qendër të saj, një oligarki që vepron për përfitimin e vet, me pak mendim për pjesën tjetër prej nesh ose për atë që sundimi i saj mund të nënkuptojë për botën apo për atë që mund të mbetet prej saj.

Ky artikull është përshtatur nga libri United States of Oligarchy: How America’s wealthiest Ally with Dictators, weaken the U.S., and Destroy Democracy, nga Casey Michel.

LËR NJË KOMENT

Klevi Metaj u përball i vetëm me 6 policë. Rrjeti është dominuar në fotoja e portretit të tij. Qëndresa e e Metajt ka tërhequr vëmendjen e komentuesve. Në protestën e...
/ Oct 13
Nga Dorian Matlija Gjatë gjithë jetës sime profesionale kam besuar te zgjidhja paqësore e konflikteve, te ligji dhe institucionet. Helbete, avokat hesapi dhe kështu i bie të mendoj në kohëra...
/ Oct 14
Gogo.al hap studion e podkastit duke ftuar një pjesëtar të audiencës sonë besnike, Olard Siqecën. Një qëndrim mbi Call Centerat i themelueses dhe gazetares Valmora Gogo, u bë shkak për...
/ Oct 12
“Sa më shumë polici, aq më shumë studentë” është parulla me të cilën studentët u bëjnë thirrje të rinjve t’i bashkohen protestës së sotme, më 14 tetor, në orën 14:00,...
/ Oct 14