
Ndryshimet e bëra nga Edi Rama në kabinetin e tij qeveritar, pas shkarkimit nga detyra të Belinda Ballukut, nuk mbetën pa u vënë re dhe pa u komentuar në skenën politike. Riformatimi i qeverisë erdhi në një moment të ndjeshëm dhe patjetër që do të shoqërohej edhe me reagime të shumta ku mes tyre kemi edhe reagime të antarëve të PS-s së vjetër.
Reagimi i Ermelinda Meksit, politikanes shqiptare që ka mbajtur pozicione të ndryshme në Këshillin e Ministrave gjatë viteve 1997–2005 dhe gruas së parë në Shqipëri që ka mbajtur të njëjtin post si Belinda Balluku atë të zëvendëskryeministres. Në analizën e saj publike, ajo ka theksuar se ndryshimet në qeveri duhen parë me qetësi dhe larg reagimeve emocionale.
Sipas Meksit, fakti që hetimet e drejtësisë sjellin pasoja politike nuk do të thotë se drejtësia “dikton” qeverinë, pasi ekzekutivi ka të drejtën kushtetuese të riformatojë kabinetin në çdo moment. Thelbi i debatit, sipas saj, nuk është numri i ministrave të ndryshuar, por standardi institucional që vendoset, a lejohet drejtësia të hetojë pa pengesa, a respektohen vendimet gjyqësore dhe a do të shmangen ndërhyrje ligjore që mund të dobësojnë institucionet e reja të drejtësisë. Ajo veçon edhe deklarimin e kryeministrit se “SPAK nuk preket, vetëm mbështetet”, duke theksuar se demokracia matet pikërisht në momentet kur pushteti vihet në provë dhe kur nivelet më të larta të qeverisjes përballen me hetim pa imunitet politik.
Postimi i plotë i Ermelinda Meksit
“Ndryshimet e fundit në qeveri meritojnë një analizë të qetë, larg reagimeve emocionale. Për muaj me radhë u artikulua teza se “pushtetet janë të ndara” dhe se drejtësia nuk mund të diktojë ekzekutivin. Nga ana tjetër, është e pamohueshme që vendimet e SPAK dhe të GJKKO prodhuan efekt politik dhe çuan në riformatim të kabinetit qeveritar. Por fakti që një hetim sjell pasoja politike nuk do të thotë se drejtësia “diktoi” qeverinë. Ekzekutivi ka të drejtën kushtetuese të ndryshojë përbërjen e tij në çdo moment. Një riformatim i qeverise mund të synojë rimarrjen e iniciativës politike, reflektim mbi performancën qeverisese apo funksionim në një realitet ku drejtësia është më aktive dhe standardet janë më të larta. Çështja nuk është sa ministra ndryshohen.
Pyetjet që shtohen janë:
A lejohet drejtësia të hetojë pa pengesa?
A respektohen vendimet gjyqësore?
A do shmangen ndryshime ligjore që dobësojnë institucionet e reja?
Nga fjala e Kryeministrit Edi Rama do veçoja ate që ai e tha qartë se: “Kurrë nuk do ndërhyjmë në çështjet që i takojnë drejtësisë.” dhe “SPAK nuk preket, vetëm mbështetet.” Por demokracia matet nga shembulli që jepet kur pushteti vihet në provë. Nëse edhe nivelet më të larta të qeverisjes përballen me hetim pa imunitet politik dhe pa pengesa nga shumica, atëherë kemi një standard më të lartë institucional se dje. Dhe kjo nuk është vetëm çështje e balancës së pushteteve. Është çështje besueshmërie përpara qytetarëve dhe përpara Bashkimi Evropian. Sepse integrimi nuk është vetëm proces teknik, por provë konkrete e funksionimit të shtetit ligjor. Nëse ky standard mbahet dhe konsolidohet, atëherë jo vetëm që forcohet demokracia, por përshpejtohet realisht rruga drejt anëtarësimit në BE, objektiv i premtuar që kërkon prova.
Kjo është çështja më thelbësore sot.
E.Meksi 27 Shkurt 2026″
Por paralelisht me qasjen e Ermelinda Meksit, brenda së majtës janë dëgjuar edhe zëra të tjerë. Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, ka pasur një thirrje ndaj strukturave drejtuese të Partisë Socialiste që, në mbledhjen për çështjen “Balluku”, të kërkonin dorëheqjen e kryeministrit. Ai e cilësoi situatën si një moment reflektimi për socialistët, duke e krahasuar me vitin 2005, kur PS-ja përjetoi ndryshime të thella të brendshme. Sipas Malajt, mesazhet e institucioneve ndërkombëtare financiare si Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, si edhe qëndrimet e Bashkimit Evropian, tregojnë se çdo cenim i drejtësisë mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta për negociatat e anëtarësimit. Ai paralajmëroi se mosndryshimi i situatës politike mund të krijojë pengesa serioze në rrugën europiane të vendit.

Në Partinë Socialiste duket se po rikthehen zërat e vjetër të cilët kanë vendosur të mbajnë qëndrimin e tyre përballë ndryshimeve në qeveri.


