
Një shef më i vjetër po korrigjonte një punonjëse më të re në moshë duke i thënë “Nuk ka P te fjala ‘brejtësi’.” Punonjësja rreth të 20-tave i përgjigjet: “Por unë kështu e shkruaj.” Pas kësaj shefi i sugjeroi që të konsultoheshin me një fjalor. Punonjësja thirri nënën e saj, e vuri në altoparlant dhe e përlotur këmbënguli që ajo t’i thoshte shefit të saj të mos tregohej kaq i keq.
Punonjësja e përlotur duket se e ka ngulitur në mendje nocionin “e vërteta ime”, një frazë popullore që synon të racionalizojë bindjet e folësit dhe t’i mbrojë ata nga kritikat e bazuara në fakte. Pra ju mund të thoni se 1+1=2, por “e vërteta ime” është se bën tre. Post-modernistët e konsiderojnë këtë mënyrë të të menduarit të sofistikuar. Keith Hayward e quan këtë fëminore. Ai ka të drejtë.
Por Hayward i cili është një kriminolog në Universitetin e Kopenhagës, shkon shumë më tej. Në librin e tij me titull “Infantilised” (që në shqip do të thotë të trajtosh dikë si fëmijë) ai pretendon se të rinjtë sot janë më pak të pjekur se brezat e mëparshëm dhe se kultura perëndimore është fajtore për këtë. Ai ofron shumë shembuj të “talljes” për të përforcuar idenë e tij. Disa njerëzve u pëlqen të rikrijojnë kënaqësitë e tyre të fëmijërisë duke u veshur si “Poni i vogël” dhe duke blerë bileta për në vendet ku mund të hidhen apo dhe të bëjnë luftëra me jastëk. Disa vazhdojnë të ndjekin daljet e adoleshentëve në klubet e natës edhe në fillim të moshës së mesme.
Gjatë shumë viteve si lektor, Hayward nisi të shqetësohej se studentët e tij 18-vjeçarë “u ngjanin adoleshentëve më pak të pjekur në prag të moshës madhore dhe nxënësve më të frikshëm të shkollës që po kalonin në një botë të huaj të autonomisë së të rriturve”. Njëri mbërriti në klasë i veshur me kombinoshe gjumi, duke vënë në dukje se ishte ftohtë dhe i pëlqente të ndihej rehat. A nuk ishte “i shqetësuar për nuancat fëminore të një veshjeje të tillë?”– e pyeti profesori Hayward. “Jo, unë dua të më trajtojnë si një fëmijë.”– erdhi përgjigja. “Të jesh i rritur është e vështirë.”
Këtu autori ofron provat e tij më të forta, megjithëse do të jenë të njohura për shumë lexues. Në vendet e pasura ka pasur një rënie dramatike në përqindjen e njerëzve që, deri në moshën 30-vjeçare, kanë arritur shenjat tradicionale të moshës madhore: largimi nga shtëpia, fitimi i pavarësisë financiare, martesa, lindja e një fëmije. Në Britani, mosha mesatare për një martesë të pare është 33 për burrat dhe 31 për gratë, një dekadë më e lartë se sa ka qenë në fillim të viteve 1960. Në vitin 2016, një studim i Pew zbuloi se për herë të parë në 130 vjet, 18-34-vjeçarët amerikanë kishin më shumë gjasa të jetonin me prindërit e tyre sesa me një partner në një vendbanim të veçantë.
Hayward beson se kultura pop po i kthen njerëzit fëminorë. Kinemaja moderne feston papjekurinë. Me shfaqje si “School of Rock” dhe “Ted” (ku luan një arush pelushi që pi birrë) te ripërshtatjet e pafundme të filmave “Batman” dhe “Spider-Man”, “një vizitë në kinema këto ditë ndjehet më shumë si një vizitë te një dyqan lodrash”. Shfaqjet reality në televizion “normalizojnë kalamallëkun” duke i bërë “të famshëm 40 dhe 50-vjeçarët që vishen si makina lodrash, arinj dhe dinosaurë”. Shumë reklama janë një “sulm ndaj moshës madhore”. The Milky Bar Kid është portretizuar nga aktorë të të gjitha moshave. Fushata “Jeto i ri” e ujit “Evian” paraqiti të rritur me bluza që tregonin bustin e një foshnje nën qafën e tyre.

Edhe sistemi arsimor meriton njëfarë faji. Studentët janë të mbrojtur nga idetë potencialisht shqetësuese: Universiteti i Aberdeen në Skoci vendosi një paralajmërim për “Peter Pan”, duke thënë se studentët mund t’i gjejnë “perspektivat e çuditshme mbi gjininë” në libër “sfiduese emocionalisht”.
Nxënësve të shkollës u thuhen gjëra që janë haptazi të pavërteta, të tilla si “Ju mund të jeni gjithçka që dëshironi të jeni”. Historia, sociologjia dhe filozofia janë të ngjeshura në një “përrallë morali të fëmijërisë” të “të privilegjuarve” dhe “të shtypurve”. Shkollat dhe universitetet mësonin “idenë e pakontestueshme se studentët do të duhet të rregullojnë sjelljen e tyre dhe të përshtaten me botën nëse duan të funksionojnë në mënyrë efektive brenda saj”. Jo më shumë.
Së fundi, Hayward qorton komentarin liberal. Nga njëra anë, ata e vlerësuan Greta Thunbergun, një ish- nxënëse aktiviste, si një “të mençur të gjithëdijshme”, pavarësisht se ajo nuk zotëronte “asnjë ekspertizë shkencore” dhe nuk thoshte “asgjë origjinale për çështjet klimatike”. Kjo, pohon ai, është dëshmi e “një ndryshimi të rolit në të cilin të rinjve u jepet gjithnjë e më shumë gravita intelektuale dhe autoriteti kulturor për të arsimuar të rriturit”.

Nga ana tjetër, kur Shamima Begum, një nxënëse britanike përafërsisht në të njëjtën moshë si Thunbergu, shkoi për t’iu bashkuar Shtetit Islamik me vrasje masive dhe përdhunime në masë, të njëjtët ekspertë liberalë dënuan vendimin e qeverisë britanike për të mos lejuar kthimin e saj në Britani për t’u përballur me drejtësinë, duke e paraqitur atë “si një fëmijë të mashtruar … shumë e re dhe naive për të njohur mendjen e saj, dhe për këtë arsye jo përgjegjëse për veprimet e saj të mëvonshme“. “Kur shoqëria vepron në një mënyrë kaq hipokrite, duke u rritur nga njëra anë dhe duke u kthyer në fëminore nga ana tjetër, ajo është duke luajtur një lojë të rrezikshme dhe dyfishe.”– thotë Hayward.
Ndoshta kështu. Por argumenti kryesor liberal për lejimin e Begumit që të kthehet në shtëpi është se është kundër ligjit ndërkombëtar të lësh dikë pa shtetësi. Nëse nuk do të ishte, shtetet mund t’i hidhnin të gjithë kriminelët e tyre në brigjet e huaja dhe të refuzonin t’i merrnin përsëri. Hayward nuk e përmend këtë.
Ka disa pika në këtë libër. Ky recensues ishte i intriguar kur mësoi se, sipas Laboratorit të Imoralitetit të “emërtuar në mënyrë përrallore” në Universitetin e Kolumbisë Britanike, ata që viktimizohen rregullisht janë më të prirur të gënjejnë dhe të mashtrojnë për qëllime egoiste, një zakon nga i cili njerëzit supozohet të dalin. Dhe nuk mund të jetë gjë e keqe t’u kujtojmë votuesve amerikanë atë që Donald Trumpi raportoi se ishte e dhimbshme, kur zëvendëspresidenti i tij refuzoi ta ndihmonte atë të përpiqej të përmbyste rezultatet e zgjedhjeve që humbi në 2020: “Unë nuk dua të jem miku juaj më nëse nuk e bëni këtë!”
Por argumenti i profesorit Hayward ka dy të meta. Njëra është se është kaq i inatosur. Pse të rriturit nuk duhet të vishen si personazhe të librit komik, nëse u pëlqen? Çfarë ka të gabuar të pëlqesh filmat e animuar “Wallace dhe Gromit”? Të jesh i rritur do të thotë të marrësh përgjegjësi për veprimet e tua; nuk do të thotë vetëm të kërkoni argëtimin.
E meta e dytë, më e madhe është se Hayward fshihet pas shpjegimeve më bindëse për rritjen e supozuar të sjelljes “fëmijërore” që ai dënon. Ndoshta ka më shumë dëshmi të paharrueshme të të rriturve që sillen në mënyrë fëminore këto ditë, sepse të gjithë kanë një aparat fotografik dhe postojnë klipe zbavitëse në mediat sociale. Gjërat idiote që bënë brezat mbi të 20-tat e tyre janë pothuajse të gjitha të harrueshme. Produktet më budallaqe të anëtarëve më budallenj të “Gen Z” kanë tendencë të bëhen virale.
Dhe ndoshta arsyeja pse të rinjtë po gjejnë punë dhe po bëjnë fëmijë në një kohë më vonë në jetë se gjeneratat e mëparshme është se ata po qëndrojnë më gjatë në arsim. Një përqindje e madhe e amerikanëve (rreth 40%) të moshës 25 vjeç e lart tani kanë diploma kolegji, nga 8% që kishin në vitin 1960. Ky është një ndryshim i madh dhe zakonisht konsiderohet një gjë e mirë, edhe nëse disa diploma janë të kushtueshme dhe të pakuptimta. Ata që janë ende duke studiuar në moshën 25 vjeçare nuk ka gjasa të jenë financiarisht të pavarur dhe për këtë arsye mund të hezitojnë të kenë fëmijë. Kjo nuk është fëminore; është e mençur.
Shkrimtarë të tjerë, si Jonathan Haidt dhe Jean Twenge, kanë përpiluar kërkime interesante dhe nganjëherë shqetësuese për të rinjtë, nga nivelet e tyre në dukje të larta të ankthit mendor e deri te mbështetja e tyre për lirinë e fjalës. Por, të përjashtosh një brez të tërë si “bebe të mëdha”, duket si fyerje.
Artikullin origjinal mund ta gjeni te “The Economist”


