Ilir Beqaj duke dalë nga SPAK

Mëngjesin e të enjtes së 4 Korrikut, kur nisi të qarkullojë informacioni se u arrestua ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, publiku shqiptar priste të lexonte mbi detajet e dosjes voluminoze për të cilën Beqaj ankohej se nuk kishte para ta fotokopjonte: hetimin e sterilizimit. Për çudi, Beqaj u arrestua krejt për arsye të tjera.

Ndërkohë që publiku priste pasi lajmet mbi arrestimin kishin qarkulluar, SPAK-u njoftoi disa orë më pas se Beqaj ishte arrestuar në cilësinë e drejtorit të përgjithshëm të SASPAC. Por çfarë është SASPAC? Është Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës.

Beqaj dyshohet se si drejtor ka urdhëruar kryerjen e tetë tenderave fiktivë duke abuzuar me fondet e dhëna nga BE-ja.

Për çfarë u arrestua Beqaj

Konkretisht, në njoftimin zyrtar të SPAK-ut për arrestimin e Beqajt thuhet se në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të SASPAC-ut përgjatë viteve 2022-2023, ai dyshohet se ka kryer procedura prokurimi fiktive në bashkëpunim me Ermal Kurtulaj (koordinator i projektit EUSAIR), i cili është i arrestuar së bashku me Alfred Nikollajn (drejtor ekzekutiv i firmës).

E ndërkohë edhe dy persona të tjerë po hetohen në masë arrest shtëpie (biznesmeni Gazmend Haxhia dhe menaxheri i futbollistëve Elton Marini) si dhe 2 të tjerë janë me detyrim me paraqitjeje (Bledar Leka, Bjona Zijaj).

Beqaj akuzohet për korrupsion, mashtrim, fshehje pasurie e shkelje të barazisë në tendera.

Si pronari “De Facto” i restorantit “Gzona” në kryeqytet, ish-ministri dyshohet sipas SPAK-ut se e ka përdorur subjektin e tij për fatura fiktive.

Specifikisht, SPAK thotë se për konferencën “Festa” mbajtur në datat 03-05 Prill 2023, për të cilën ishte kontraktuar shoqëria që administrohet nga i dyshuari Gazment Haxhia, janë paguar dy fatura. Fatura e parë në vlerën 125.000,00 Euro nga agjencia që drejtonte Ilir Beqaj, dhe fatura e dytë nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit me vlerë 38.509.550 lekë (konvertuar në 380 mijë euro).  Të dyja së bashku kapnin vlerën rreth 500 mijë euro.

Por sipas hetuesve “I vetmi shërbimi i ofruar në kuadër të këtij eventi nga kjo shoqëri tregtare është organizimi i darkës… në një vlerë prej 4.189.000 lekë.” Darka i është paguar pra restorantit të Beqajt.

Më poshtë video e arrestimit të Beqajt.

Hetimet për sterilizimin e çuan në dyert e SPAK-ut, por jo në burg

Afera e sterilizimit kontrata e së cilës shkon mbi 100 milion euro dhe mban firmën e Ilir Beqajt duket se nuk paskërka qenë e mjaftueshme për të çuar në arrestimin e Beqajt. Megjithatë ai u thirr në SPAK për të dëshmuar si person në dijeni, e më pas u mor dhe si i pandehur.

Deri më tani sipas dosjes së Prokurorisë, ndër gjetjet e konstatuara janë procedurat e ndjekura për fituesin dhe mos realizimi i kushteve të parashikuara në kontratë. Kompanisë fituese iu dorëzua një qendër moderne sterilizimi, ndërtuar në Qendrën Spitalore Nënë Tereza me kredi nga qeveria, por ajo nuk u vu asnjëherë në funksionim.

Lidhur me këtë aferë ish-ministri i shëndetësisë u mor i pandehur disa muaj më parë, e më 18 mars iu komunikua edhe akuza shpërdorim detyre e kryer në bashkëpunim.

Beqaj madje u ankua publikisht duke thënë se i duheshin 10 milionë lekë për t’i marrë të fotokopjuara aktet e dosjes dhe për t’u njohur me to. Pasi refuzoi të paguante, Beqaj mori versionin elektronik të dosjes me usb.

I vetmi zyrtar që u arrestua për sterilizimin deri më tani është Klodian Rjepaj.

Biznesmeni përfitues i koncensionit Ilir Rrapaj dhe zv/ministri i Shëndetësisë Klodian Rjepaj dyshohen se kanë shfrytëzuar miqësinë e tyre (njihen që në fakultet) për të realizuar koncesionin afro 100 milionë eurosh, 8 vite më parë dhe se gjithçka ka qenë e paramenduar.

Mbrojtja e vazhdueshme nga Rama

Kur Beqaj akuzohej për korrupsion, lidhur me koncensionin e sterilizimit apo edhe akuza të tjera, kryeministri Edi Rama e mbante afër atë.

Në vitin 2021, Beqaj ishte kandidat i PS-së në Shkodër dhe madje ishte zgjedhur nga Rama edhe drejtues politik i kësaj force politik në qarkun verior.

Posteri i Beqajt për fushatë

Sikur të mos mjaftonte kjo, Rama i besoi negociatat e aderimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Në të njëjtin vit, Rama i besoi një post të dytë, drejtimin e Agjencisë Shtetërore të Programit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC).

Ky ishte posti që mesa duket e bëri më të lehtë për hetuesit të “gjenin prova” mjaftueshëm sa për ta vënë Beqajn në pranga.

Nuk dihet si do shkojë halli ligjor i njeriut që nguliti në publikun shqiptar shprehjen tipike të tij “Suksese në jetë!”. Na mbetet të presim të rejat nga drejtësia që vendosi të godasë ditën e 4 korrikut, në festën e SHBA-ve.

LËR NJË KOMENT

Navanethem "Navi" Pillay, një juriste nga Afrika e Jugut dhe ish-komisionere e lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut, fitoi Çmimin Nobel për Paqen 2026, "për përpjekjet e saj...
/ Oct 9
Nga Gjergj Erebara Banka e Shqipërisë bleu shifrën rekord të 428.5 milionë eurove gjatë muajve prill, maj dhe qershor të këtij viti, një shifër e cila, sipas të gjitha gjasave,...
/ Oct 10
A mendon se Korreshi po investon në partinë e duhur? Kur do ta tejkalojnë Berishën? A gjendet emri i një eksponenti të lartë të PD-së në dosjen e Ballukut? Çfarë...
/ Oct 6
Ndonëse kanë kaluar 36 vite nga rrëzimi i komunizmit, Shqipëria duket se ka ndërruar emërtimin e sistemit politik, por jo përmbajtjen e saj. Kjo shembullzohet me efektet dhe diksursin publik...
/ Oct 10