Në valën e debatit të madh, nëse Shqipërisë i janë pakësuar turistët apo jo, Gogo.al i drejtoi një kërkesë të thjeshtë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për të vënë në dispozicion të publikut se sa është numri i shtetasve shqiptarë dhe të huaj, që kanë hyrë dhe kanë dalë nga Republika e Shqipërisë nga data 1-12 Korrik. Sot është data 23 Korrik, dhjetë ditë nga data e kërkesës dhe ende nuk kemi një përgjigje.

Duke qenë se nga Policia nuk morëm përgjigje, Gogo.al u interesua edhe në Institutin e Statistikave. Megjithëse Instituti i Statistikave na u përgjigj, as atje nuk gjetëm shifra për lëvizjen e shtetasve për muajt Qershor dhe Korrik. INSTAT na vuri në dijeni se momentalisht shifrat për këto dy muaj nuk i ka ende të disponueshme, por së shpejti do publikohen të muajit Qershor. Ndërkohë, shifrat për periudhën Janar-Maj, janë të disponueshme dhe mund t’i gjeni duke klikuar këtu.

Për muajin Maj, sipas INSTAT-it rezulton se numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 973.688. Ky numër është rritur me 38.1 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.

Sigurisht muajt që përbëjnë interes për publikun momentalisht janë Qershori dhe Korriku (kryesisht Korriku) jo vetëm se është piku i sezonit turistik, por është edhe periudha për të cilën po debatohet aq shumë në media dhe politikë, ku teza të ndryshme janë ngritur nga kampe të ndryshme lidhur me numrin e turistëve në vend.

Po kështu eksploruam gjithë hapësirën publike të përfaqësuesve të qeverisë, institucioneve dhe madje vetë kryeministrit nëse kanë dhënë shifra për këtë periudhë. Por ajo që është e qartë, është që qeveria po i fsheh shifrat: gjithmonë flasim për korrikun për të cilin po debatohet.

Megjithatë, kryeministri Edi Rama ka qenë tejet entuziast në daljet e tij publike, për të denoncuar deri edhe portale që sipas tij po bëjnë fushata dezinformimi lidhur me numrin e turistëve.

Strategjia e qeverisë

Qeveria duket se po ndjek këtë strategji: Krijimi i një debati publik në media, në ka apo jo një fushatë dezinformimi, ndoshta të financuar nga agjenturat e huaja.

Kjo tezë u ngrit fillimisht në Parlament nga deputeti i PS-së Denis Deliu.

Kur kreu i SPAK-ut Altin Dumani po raportonte para deputetëve në Parlament të hënën e 15 Korrikut, mes shumë çështjesh të tjera që mund të pyetej, Deliu iu drejtua Dumanit duke e pyetur nëse SPAK po heton mediet shqiptare që qarkullojnë lajme dezinformuese për publikun (lexo këtu).

Ai hidhte gjithashtu dyshime se mund të kenë ndikim edhe shërbimet inteligjente të huaja me qëllim sabotimin e turizmit në vendin tonë.

“Turizmi është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë dhe ditët e fundit kemi parë nëpër portale një sabotim të turizmit. Sivjet ka një rritje të nivelit të dezinformimit. A ka hapur SPAK një hetim për sabotazh kundrejt këtij fenomeni nga shërbime të huaja inteligjente, a ka informacione nga SHISH dhe struktura të tjera, pasi mendoj që këto lloj dezinformimesh dëmtojnë ekonominë shqiptare.”– tha deputeti Deliu, duke iu referuar disa lajmeve se në plazhet shqiptare këtë vit ka më pak pushues për shkak të çmimeve të larta.

Kjo tezë e Deliut u përforcua akoma më shumë edhe nga kryeminsitri Edi Rama, i cili përsëriti të njëjtën gjë.

“Të jeni të vetëdijshëm që ka sulm të organizuar për të dëmtuar turizmin shqiptar. Kam folur me krerët e bashkive bregdetare që janë të habitur nga shumë video, lajme e komente të rreme, të manipuluara, të bëra me qëllim që duan të thonë se këtu s’ka ardhur njeri. Sulmi vjen nga disa anë. Sistemet tona të sigurisë kanë ndezur dritën e kuqe, të sigurisë kibernetike.”- deklaroi Rama në një takim me kryebashkiakët më 17 korrik.

Edi Rama: Sot ka një sulm të organizuar për të dëmtuar turizmin shqiptar

Edi Rama: Sot ka një sulm të organizuar për të dëmtuar turizmin shqiptar

Posted by Gogo.al on E mërkurë, 17 korrik 2024

Ama kemi dhe gazetarë të cilët thonë që realisht ka një fushatë dezinformimi, duke mbështetur tezën e hedhur nga kryeministri. Këtu mund të përmendim Flogert Muçën, drejtuesin e portalit Lexo.al, i cili deklaroi në një intervistë për “Dritare TV” se i kanë ofruar para për të thënë se jugu është braktisur.

“Më është ofruar që të hedh lajme që thonë se jugu është braktisur, është i pistë, është super i shtrenjtë. Ata do paguanin edhe sponsorizmin e shkrimit në portal dhe do më jepnin mua para kesh.”– shprehej ai.

Por cilat janë shifrat e turistëve që jep kryeministri Rama për publikun dhe ministrat e tij? Në të njëjtin takim me kryebashkiakët të përmendur më lart, Rama tha që ”Fakti është që nga Janari në Qershor ka 1.7 milionë qytetarë të Kosovës që kanë hyrë në Shqipëri, ose 25% më shumë se vjet”.

Të vërteta apo jo, debati nuk është mbi sa turistë kanë vizituar Shqipërinë në Janar, Shkurt, Mars, Prill, apo Maj. Madje dhe Qershori nuk po diskutohet aq shumë, i gjithë problemi, shqetësimi është mbi muajin Korrik. Askush nuk ka ngritur debat deri më tani për numrin e turistëve në muajin Maj përshembull.

Videot dhe fotot që kanë qarkulluar në rrjet dhe ankesat që janë bërë lidhur me numrin e turistëve kanë qenë pikërisht për muajin Korrik, që konsiderohet si piku i sezonit. Periudha kur realisht nis fluksi çdo vit.

Nëse kryeministri është kaq i shqetësuar për dezinformimin në media, pse nuk i bën publike shifrat për të paktën dy javët e para të këtij muaji? Që dhe mediat dhe publiku të bien në qetësi. Departamenti Për Kufirin Dhe Migracionin i regjistron këto të dhëna në kohë reale dhe po të donte, kryeministri mund t’i jepte këto shifra.

Megjithatë, shifrat zyrtare të deritanishme të bëra publike nga Ministria e Turizmit dhe e Mjedisit tregojnë se të paktën në gjashtëmujorin e parë të vitit, kanë hyrë në Shqipëri 4.5 milionë turistë të huaj, ose 34% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2023. 

Vetëm muaji qershor sipas ministres Mirela Kumbaro, solli 1.2 milionë flukse hyrëse në vendin tonë ose 19.1% më shumë se qershori i vitit që shkoi.

“Kemi hyrë në pikun e flukseve turistike ku së bashku me operatorët privatë që çdo ditë prezantojnë ofertën shqiptare por edhe me përgjegjësinë e jashtëzakonshme të ofrimit të cilësisë së shërbimit, si edhe me bashkitë bashkë me gjithë institucionet publike jemi në koordinim për mbarëvajtjen e sezonit veror.”- shkruante ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro pas publikimit të këtyre shifrave.

Strategjia mediatike e opozitës për të mposhtur qeverinë Rama

Ky debat i nisur fillimisht në rrjetet sociale, është kapur nga opozita e cila duket se ka zgjedhur ta përdorë si strategjinë e radhës mediatike për të kundërshtuar qeverinë e kryeministrit Edi Rama.

Kështu, javën e dytë të Korrikut e deri më tani, kudo në rrjet janë shpërndarë foto ose video nga bregdeti, ku në shumicën e rasteve çadrat shfaqen bosh.

Mirëpo një syri kritik nuk i shpëton fakti që në shumë postime që opozitarët bëjnë, filmimet janë bërë në pikun e drekës, kur zakonisht pushuesit largohen nga çadrat për të drekuar. Dhe këtë fakt nuk e fshehin, pasi siç e shihni në postimin e kryetarit të Partisë Demokratike Sali Berisha, ai vetë e pranon që video është e orës 12:00.

Këto raportime nuk i shohim vetëm në postime në rrjetet sociale, por edhe në kronikat televizive të medieve të njohura si më pranë opozitës.

Tanimë opozita ka nisur luftën në rrjet me foto e video të plazheve bosh, ndërsa qeveria i përgjigjet me foto dhe video me plazhet plot.

Debati publik mbi turizmin dhe arsyet e frenimit

Ndonëse kjo kauzë po përdoret nga opozita, fillimisht shqetësimi mbi numrin e turistëve u shfaq përmes medieve dhe rrjeteve sociale.

Figura publike por edhe qytetarë dolën në media duke u ankuar se këtë vit ka më pak turistë në Jug të Shqipërisë, krahasuar me vitet e kaluara. Bizneset po ashtu, operatorët turistikë në intervistat televizive nisën të pohonin të njëjtën gjë. Dhe për këtë gishti iu drejtua kryesisht rritjes së çmimeve.

Madje kreu i Shoqatës së Hoteleri-Turizmit, Zak Topuzi, deklaroi se numri i vizitorëve të huaj në Shqipëri ka rënë me 30% gjatë këtij viti.

“Muaji korrik ka paraqitur një situatë me shumë të panjohura. Ky ka qenë shqetësimi i kësaj jave. Ne e kemi diskutuar, jemi rreth 370 hotele në gjithë Shqipërinë, kryesisht në bregdet që komunikojmë përditë nëpërmjet rrjetit Whatsapp dhe shqetësimi i tyre ka qenë rënia me 25-30 % e turistëve në vijë bregdetare. Kryesisht është përcjellë ky difekt në zonën e Vlorës, pastaj gjithë bregdeti deri në Ksamil.”– deklaroi Topuzi në një intervistë për Euronews Albania.

Ai thotë se një pjesë të fajit mund ta ketë vetë industria që nuk është e pregatitur dhe nuk ka koncepte të qarta për zhvillimin e turizmit. Përmend gjithashtu kostot e larta që turistëve iu është dashur të paguajnë pasi mbërrijnë në Rinas.

“Ti mund të zbresësh në Rinas me 30-60 euro, por për të shkuar në Ksamil do të duhen 200-250 euro. Do të duhet të paguash edhe çadrën. Që këtu prishet bilanci.”- thotë kreu i Shoqatës së Hoteleri-Turizmit.

Liberalizimi i vizave për shqiptarët e Kosovës më 1 Janar të këtij viti mund të jetë gjithashtu një nga faktorët sipas Topuzit, pasi ata mund të kenë zgjedhur vende të tjera në Europë për shkak se më në fund kanë lirinë për të udhëtuar pa viza dhe mund të duan të shohin një vend ndryshe, ose do duan të takojnë familjarë të tyre në Europë. Pra janë shumë faktorë që janë ngritur si arsye.

Gazetari Blendi Fevziu është një nga personazhet që vazhdimisht ka publikuar videomesazhe lidhur me këtë çështje dhe ka qenë ndër të parët që e ka ngritur si problem.

“Një nga problemet më të mëdha që kam ndeshur ditët e fundit është një lloj shqetësimi i operatorëve turistikë të jugut të Shqipërisë, restorante, hotele, njerëz që merren me shërbime, lidhur me mungesën e turizmit 7-ditor në Jug të Shqipërisë.”- thotë ai.

Fevziu thotë se problem nuk është mungesa e ardhjes së turistëve të huaj në Shqipëri, por ai problemin e gjen diku tjetër, pikërisht tek çmimet shumë të larta. Sidomos në Jug.

“Me këto çmime, natyrisht që është e pamundur për një pjesë të madhe të turistëve të huaj që vizitojnë Shqipërinë. Nëse doni ta shtrini aktivitetin tuaj në vite mos rrisni çmimet, mos rrisni çmimet, mos rrisni çmimet kot!”– thotë ai. Sipas gazetarit, Jugu mbetet ekskluzivitet i shqiptarëve të pasur dhe janë të pamundura për pjesën më të madhe të shqiptarëve të tjerë dhe të pamundura për turistët.

Në të tjera video, ai thotë se kjo do të ketë pasoja për biznesnet e lidhura me turizmin por dhe ekonominë e vendit.

Në fakt, kjo çështje për çmimet e larta dhe të pajustifikueshme është kapur gjithashtu si një faktor që po përdoret nga qeveria. Ndonëse pretendon se i gjithë ky debat është i stisur dhe ka dezinformim, Rama jo pak herë ju është drejtuar bizneseve të jugut, duke iu kërkuar të mos mbajnë çmimet aq lart.

Konkretisht Rama përmend Vlorën dhe Sarandën si dy rajonet ku rritjet e çmimeve në sezonin turistik janë të ndjeshme dhe u ka kërkuar kryebashkiakëve të këtyre dy qyteteve që të bisedojnë me operatorët turistikë dhe t’u shpjegojnë pasojat e kësaj “strategjie të gabuar”.

“Më mirë syri se sa nami. Vlonjatëve ju ka dalë edhe syri, edhe nami, ju kanë dalë dhe trutë nga vendi atyre që kanë ato hotelet dhe nuk dinë më se çfarë bëjnë, kështu që është mirë ta kuptojnë, do zbresin pak me këmbë në tokë.”– shtonte ai në takimin me kryebashkiakët.

Lidhur me këtë ka folur gazetarja Beti Njuma, e cila ngre një tjetër problem: Infrastrukturën. Ndonëse Rama fajëson bizneset e jugut për çmimet e larta si faktorë largimi të turistëve, Njuma i kujton kryeministrit që në Vlorë konkretisht ka një sërë problemesh, duke nisur nga mungesa e ujit, probleme me plehrat, insektet, infrastruktura rrugore, punimet vend e pa vend.

“E shkepi Vlorën dhe e bëri si Kandahar dhe pa pikë turpi ua hedh fajin vlonjatëve. Vlonjatët vërtet i kanë rritur pak çmimet këtë vit por Vlora është e padëshiruar se s’ka ujë, është e mbytur nga plehrat dhe mushkonjat, i ka rrugët tërë gropa e gunga e në rastin më të keq të pashtruara. Zona e Ujit të Ftohtë e matanë është me punimet Lungomares që nisën në mars në të gjithë gjatësinë dhe jo me lote. Kryeministri që dha lejen për punimet nuk u shqetësua se do të shkatërrohej ky sezon turistik dhe bizneset, se ngjitur me shezllonin pushuesve do t’u kalonin betonieriet e dhëmbët do t’u bluanin pluhur. Provoni të futeni në lagjet e brendshme të qytetit të shihni çfarë shëmtie do ju shfaqet para syve. Vlora është llum por për këtë nuk e kanë fajin vlonjatët! Të vetmit përgjegjës janë pushteti qendror dhe ai lokal!” -shkruan Njuma.

Sigurisht në këtë debat janë përfshirë shumë më shumë personazhe, por thelbi është i njëjtë. Në Shqipëri aktualisht ka një shqetësim shumë serioz lidhur me turizmin dhe më e mira do qe sikur të debatohej mbi zgjidhjet, të kishte transparencë nga qeveria mbi numrin real të turistëve, nëse turistët janë vërtet më të paktë këtë muaj. Gjë që ende nuk e dimë zyrtarisht.

Megjithatë ky nuk është një shqetësim që e ka vetëm Shqipëria. Duket se dhe Turqia aktualisht po kalon të njëjtin problem, ndoshta më shumë se sa ne.

Problemi i Turqisë me turizmin

Media amerikane “Bloomberg” në një artikull të ditëve të fundit, shkruante se në një periudhë kur çmimet në Turqi kanë arritur nivele rekord, shumë qytetarë turq po i kthehen Greqisë për pushime.

Sipas gazetës, kjo ka shkaktuar një rënie të dukshme në biznesin e restoranteve në qytetet turistike turke.

Sikurse ndodh shpesh në Shqipëri, edhe në Turqi mjaft qytetarë të zemëruar kanë përdorur rrjetet sociale për t’u ankuar për faturat e tyre të kripura.

Ndërsa në ishujt grekë të Mesdheut, pushuesit turqë tregojnë se po paguajnë shumë më pak se çmimet që kanë në vendin e tyre. (lexo këtu).

Nëse kjo gjë po ndodh realisht në Turqi, një nga destinacionet më të preferuara ndër vite në rang botëror dhe jo vetëm për rajonin, nuk është e habitshme që Shqipëria të përballet me të njëjtën gjë.

Një kamerier u shërben klientëve në një restorant buzë detit në Halkidiki, Greqi. Fotografi: Konstantinos Tsakalidis/Bloomberg

LËR NJË KOMENT

Navanethem "Navi" Pillay, një juriste nga Afrika e Jugut dhe ish-komisionere e lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut, fitoi Çmimin Nobel për Paqen 2026, "për përpjekjet e saj...
/ Oct 9
Nga Gjergj Erebara Banka e Shqipërisë bleu shifrën rekord të 428.5 milionë eurove gjatë muajve prill, maj dhe qershor të këtij viti, një shifër e cila, sipas të gjitha gjasave,...
/ Oct 10
A mendon se Korreshi po investon në partinë e duhur? Kur do ta tejkalojnë Berishën? A gjendet emri i një eksponenti të lartë të PD-së në dosjen e Ballukut? Çfarë...
/ Oct 6
Ndonëse kanë kaluar 36 vite nga rrëzimi i komunizmit, Shqipëria duket se ka ndërruar emërtimin e sistemit politik, por jo përmbajtjen e saj. Kjo shembullzohet me efektet dhe diksursin publik...
/ Oct 10