
Këtë të hënë Gjykata e Romës ka marrë një tjetër vendim që godet marrëveshjen Rama-Meloni për kampin e emigrantëve. Kur kanë kaluar vetëm 3 ditë nga mbërritja e shtatë emigrantëve në portin e Durrësit, Gjykata e Romës vendosi për kthimin e tyre drejt qytetit të Brindisit në Itali, duke e referuar çështjen deri në Gjykatën e Drejtësisë të BE-së.
Ky është vendimi i dytë që vjen, pas kthimit të 12 emigrantëve të parë, nga të cilët 16 prej tyre mbërritën fillimisht në kampin Gjadër, vendim i cili solli mjaft reagime. Ishte vetë kryeministria e Italisë, Giorgia Meloni që arsyetoi se këto vendime i përkasin qeverisë dhe jo gjykatës. Për më shumë detaje, kliko “KËTU”.

Media italiane Ansa.it raporton se pas vendimit të Gjykatës së Romës, azilkërkuesit do të nisen gjatë orëve të mbrëmjes të së hënës në Brindisi dhe do të transferohen më pas në një qendër për azilkërkues në zonën e Pulias për t’iu nënshtruar procesit të zakonshëm të aplikimit. Ndër të tjera në deklarimin e Gjykatës thuhej se për shkak të aktvendimit paraprak, gjyqtarët nuk kanë vendosur për kërkesat për vleftësim, por që detyrimisht të pezullojnë aktgjykimet përkatëse në pritje të vendimit të Gjykatës së Drejtësisë. Gjithashtu në deklaratë thuhet dhe se kriteret për përcaktimin e një shteti si një vend i sigurt të përcaktohen nga ligji i Bashkimit Evropian.
“Duhet të jetë e qartë, se përcaktimi i vendit të sigurt të origjinës është i rëndësishëm vetëm për identifikimin e procedurave që do të zbatohen, përjashtimi i një shteti nga lista e vendeve të sigurta të origjinës nuk pengon riatdhesimin ose dëbimin e personit migrant të cilit i është refuzuar kërkesa për azil ose që në çdo rast i mungojnë kushtet ligjore për të qëndruar në Itali.”-shtojnë gjyqtarët.
Në një artikull të Rai.it Luciana Sangiovanni, kryetarja e seksionit për të drejtat personale dhe imigracionin e gjykatës civile të Romës, shkruan se nëse shteti është një vend i sigurtë, atë duhet ta përcaktojnë ligjet e BE-së.
”Duhet theksuar se kriteret për përcaktimin e një shteti si vend të sigurtë të origjinës përcaktohen nga ligji i Bashkimit Evropian. Prandaj, pa cënuar prerogativat e ligjvënësit kombëtar, gjyqtari ka për detyrë të verifikojë gjithmonë dhe konkretisht, si në çdo sektor tjetër të sistemit juridik zbatimin e drejtë të ligjit të Unionit, i cili në mënyrë famëkeqe, mbizotëron mbi ligjin kombëtar ku me e papajtueshme është siç parashikohet edhe nga Kushtetuta italiane”– tha Sangiovanni.
Reagime ka pasur dhe nga politikanë të ndryshëm, Antonio Tajani, nënkryetari i Këshillit u shpreh se ky vendim nuk mund të merret nga një gjykatës. “Nuk është një gjykatës ai që vendos se cili vend është i sigurt, sepse ai nuk e di. Sepse ai nuk merret me këto gjëra. Nëse qeveria që ka mjetet për ta bërë këtë thotë se një vend është i sigurt, atëherë diçka nuk funksionon.”
Ndërsa zëvendëskryeminstri italian Matteo Salvini, e quajti këtë vendim si një tjetër dënim politik kundër italianëve dhe sigurisë së tyre. “Një tjetër dënim politik kundër qeverisë, por kundër italianëve dhe sigurisë së tyre. Qeveria dhe Parlamenti kanë të drejtë të reagojnë për të mbrojtur qytetarët dhe do ta bëjnë këtë. Me kusht që një gjyqtar tjetër, ndërkohë, të mos më dënojë me gjashtë vite burg për mbrojtjen e kufijve”- ka shkruar Salvini në platformën “X”.
Ajo që pritet pas këtij vendimi është përballja e Ministrisë së Brendshme me Gjykatën Evropiane të Drejtësisë për të mbështetur arsyet e saj pas vendimeve të gjyqtarëve të Gjykatës së Romës për pezullimin e ndalimit të 7 emigrantëve.



