
Përpjekja e Donald Trump-it për të blerë Groenlandën mund të duket qesharake, por nuk është e pamundur. Nëse presidenti i sapo zgjedhur është vërtet i vendosur të marrë kontrollin e ishullit më të madh në botë, ai mund të përpiqet ta blejë atë drejtpërdrejt, nëse territori autonom shpall pavarësinë nga Danimarka. Ai mund të kërkojë ta bëjë atë një territor të asociuar, si Porto Riko. Ose mund ta përfshijë Groenlandën në një marrëveshje të ngjashme me atë që Shtetet e Bashkuara kanë me Mikronezinë dhe Ishujt Marshall, që i lejon ushtrisë amerikane akses të pakufizuar në këmbim të ndihmës mbrojtëse dhe financiare. “Ka shumë variante në lidhje me mënyrën se si administron Departamenti i Brendshëm. Nuk ka një model të vetëm, dhe ne kemi precedentë për të bërë shumë opsione.”– tha Alex Gray, shefi i stafit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare gjatë administratës së parë të Trump-it
Nëse nuk mund ta blejë Groenlandën, ai mund të përpiqet të shtojë më shumë baza ushtarake për të monitoruar Rusinë dhe Kinën aty pranë. Dhe nëse groenlandezët bien dakord, gjë që mund të mos ndodhë, ai mund të gjejë mënyra për të ushtruar më shumë autoritet mbi ishullin.
Blerja e Groenlandës
“Njerëzit pranë Trump-it po e marrin seriozisht mundësinë e negociatave që do ta bënin ishullin një territor amerikan, si pjesë e një përpjekjeje për të zhvendosur politikën e jashtme amerikane drejt Hemisferës Perëndimore, ndërsa Kina dhe Rusia shfaqin interes në rajon.Nuk mendoj se është e pamundur që ai të bëjë një blerje të drejtpërdrejtë.”– tha Gray

Gray solli një shembull historik: blerjen e ishullit St. Croix nga Danimarka në shekullin e 17-të, të cilin SHBA-ja e bleu si pjesë e një traktati në vitin 1916 dhe tani është pjesë e Ishujve të Virgjër Amerikanë. Nuk është një ide krejt e re. Dekada më parë, SHBA-ja i ofroi Danimarkës të blinte Groenlandën, një plan që mbeti sekret deri në vitet 1990. Por edhe nëse Groenlanda mund të shitej, shumë groenlandezë dyshojnë nëse do të donin të bëheshin pjesë e SHBA-së. Kryeministri i ishullit, i cili ka kërkuar pavarësinë nga Danimarka brenda dekadës së ardhshme, ka deklaruar se Groenlanda “nuk është në shitje dhe nuk do të jetë kurrë në shitje.” Edhe aleatët e Trump-it e pranojnë se negociatat për fatin e Groenlandës do të ishin të ndërlikuara për shkak të implikimeve të mëdha ekonomike: Groenlanda ka miliarda dollarë në minerale dhe hidrokarbure të pazbuluara nën akullnajat e saj në shkrirje. Në letër, Groenlanda tashmë ka shumë nga pushtetet e një kombi të pavarur. Ajo është një rajon me vetëqeverisje nën Danimarkë, që do të thotë se mund të zgjedhë liderët e saj, ndërsa Kopenhaga menaxhon politikën e jashtme dhe mbrojtjen kombëtare.

“Danimarka nuk pretendon se e zotëron atë. Jam i sigurt se qeveria daneze nuk mendon se ka autoritet ligjor për ta shitur Groenlandën.”-tha Scott Anderson, një ish-avokat i Departamentit të Shtetit dhe ekspert i sigurisë kombëtare. SHBA-ja nuk ka blerë territor në mënyrë të drejtpërdrejtë që nga fundi i shekullit të 19-të, kur bleu Filipinet nga Spanja. Dhe ligji ndërkombëtar e ka bërë të ndaluar, nëse jo tërësisht të paligjshme blerjen, shitjen ose rrëmbimin e territoreve. “Nëse nuk njihet ndërkombëtarisht si i vlefshëm dhe legjitim, atëherë kjo do të shkaktonte gjithfarë komplikimesh për të përfituar nga marrëdhënia me Grenlandën,” tha Anderson.
Pushtimi i Groenlandës
Një pushtim ushtarak, të cilin Trump-i nuk e ka përjashtuar, do të trondiste botën. “Kjo do të ishte si të ndiqje taktikën e Sadam Huseinit dhe Putinit.Kjo retorikë nga Trump është shqetësuese, sepse ai është presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së dhe fjalët e tij kanë pasoja në marrëdhëniet e jashtme.”– tha Brian Finucane, një ish-këshilltar ligjor në Departamentin e Shtetit.

Arritja e një marrëveshjeje
Edhe nëse Groenlanda shpall pavarësinë, SHBA-ja mund të gjejë një mënyrë për të ushtruar më shumë kontroll mbi ishullin. SHBA ka marrëveshje të ngjashme, të quajtura Marrëveshje të Asocimit të Lirë (COFA), me Mikronezinë, Ishujt Marshall dhe Palaun në Paqësorin Perëndimor. Një marrëveshje e tillë do t’i jepte SHBA-së akses ekskluziv ushtarak dhe të drejtën për të përcaktuar se cilat vende mund të kenë trupa ushtarake në Groenlandë. Do t’i jepte Pentagonit një bazë më të madhe në rajon, ndërsa do të kufizonte qasjen e Kinës në rrugët e transportit Arktik dhe bazat ushtarake të Rusisë në gadishullin Kola.
Është e ngjashme me marrëdhënien që Groenlanda ka me Danimarkën, por ndryshe nga këto vende të Paqësorit, Groenlanda nuk është ende një komb i pavarur. Administrata e parë e Trump-it e kishte konsideruar më parë idenë e një marrëveshjeje COFA me Groenlandën. Disa ish-zyrtarë amerikanë argumentojnë se ky model mund të lehtësonte presionin mbi Danimarkën, pasi ishulli është rreth 50 herë më i madh se territori danez. Ushtria daneze aktive është më e vogël se forca policore e Nju Jorkut. “Danimarka e kupton se Grenlanda do të marrë pavarësinë. Ata e kuptojnë se nuk kanë kapacitet për ta mbrojtur Grenlandën pas pavarësisë.”- tha Gray.
Por pas kërcënimit të heshtur të Trump për veprim ushtarak ndaj Groenlandës, që shkaktoi reagime nga Gjermania dhe Franca, edhe ndihma e SHBA-së për shkëputjen e ishullit nga Danimarka mund të ketë pasoja diplomatike.
Shtrirja e ndikimit
Nëse Trump nuk mund ta blejë Groenlandën apo ta përfshijë në një marrëveshje mbrojtjeje, ai mund të përpiqet të ndërtojë më shumë baza ushtarake atje. SHBA-të dhe aleatët e NATO-s kanë boshllëqe të mëdha në mbikëqyrjen e Atlantikut dhe Oqeanit Arktik. SHBA-të mund të vendos sensorë të sofistikuar për të forcuar radarët ekzistues në Bazën Hapësinore Pituffik, në veriperëndim të ishullit. “Norvegjia e monitoron, ne e monitorojmë.Kjo mbush një boshllëk të rëndësishëm.”-tha Jim Townsend, ish-zyrtar i Pentagonit. Gray shtoi se parandalimi i Rusisë dhe Kinës nga shfrytëzimi i Groenlandës është në interesin e të gjithëve.
Shënim: Ky shkrim është pronësi intelektuale e “Politico”. Lexo Këtu artikullin origjinal


