
Luçiana Kokaj është e vendosur ta çojë deri në fund luftën e saj për të mbrojtur pronat në Rrjoll. Ajo është në protestë që në ditët e para kur ekskavatorët u futën në Rrjoll. Atë që nuk e gjeti te politika, vjen ta kërkojë çdo ditë para kryeministrisë, Shqipërinë e Re dhe largimin e sistemit të vjetër politik. Në intervistë për Gogo.al, Kokaj shprehet e zhgënjyer nga Partia Demokratike. “E vërteta ime në këtë mes, është se Luçiana është një vajzë që vjen nga një familje komplet e djathtë, e martuar, në një familje shumë të majtë dhe me një besim shumë të fortë tek Partia Demokratike deri para disa vitesh. E në momentin që më ndodhi situata e Rrjollit i kam kërkuar mbështetje, jo mbështetje por kam kërkuar në momentin që ata nuk po reagonin t’u tregoja të vërtetën e Rrjollit dhe më është refuzuar dëgjesa nga disa prej tyre e disa më kanë dëgjuar po vetëm kaq”.

Ndryshe nga heshtja me të cilën iu përgjigj Partia Demokratike, Kokaj vlerësoi punën e Partisë Mundësia apo edhe të Lëvizjes Bashkë. “Ka pasur parti politike që kanë qenë në Rrjoll disa herë e që kanë bërë një punë fantastike… siç është Partia Mundësia dhe Lëvizja Bashkë. Unë u jam mirënjohëse sa të jem gjallë për këtë mbështetje që më kanë dhënë në momentin që nuk më ka dëgjuar askush zërin, se sot që jam në shesh e kam mijëra shqiptarë këtu e më dëgjojnë, e kur shumë media janë të detyruara të na transmetojnë, është shumë më e lehtë të dëgjohet zëri, po kur të dëgjohet atëherë kur nuk kur të dëgjojnë shumë pak, ata janë për t’u vlerësuar dhe unë u jam mirënjohës atyre që më kanë mbështetur në ditë të vështira”, thotë ajo.
A është përpjekur politika ta bëjë pjesë të listave të veta Luçiana Kokajn
E pyetur nëse ka patur ftesa nga partitë politike, për t’u bërë pjesë e tyre, ashtu siç flitet në media, Kokaj sqaron: “Besoj që për sa kohë jemi në shesh, njerëzit do flasin shumë gjëra e do thonë të vërteta, të pavërteta”. Edhe pse është përkrahur nga Mundësia e Agron Shehajt dhe Lëvizja Bashkë e Arlind Qorit, Kokaj thotë se nuk është pjesë e askujt, por shton se “të ardhmes nuk i dihet”.
“Kjo nuk më bën pjesë të asnjë partie politike. Kam një video ku kam qenë pjesë e konventës së formimit të Forumit të Grave të Partisë Mundësia, por kam qenë e ftuar jo për të qenë pjesë e forumit e jo për të pasur asnjë detyrim ndaj partisë dhe kam mbajtur një fjalim si një vajzë luftarake më kanë prezantuar se po luftoja për të mbrojtur të drejtat e mia. Unë sot nuk jam pjesë e askujt. E ardhmja nuk i dihet asnjëherë”.
A është i ofruar kreu i PD-së Sali Berisha për ta bërë pjesë të listave? Kokaj thotë: “Kam dëgjuar një lajm që më ka ofruar Berisha të jem pjesë e listave që është e pavërtetë”. Përveç PD-së është folur edhe për Shqipëria Bëhet, e drejtuar nga Adriatik Lapaj. Edhe këtë lajm ajo e quan të pavërtetë. “Para disa ditëve ishte një video që më kishin bërë te Shqipëria Bëhet që është po prapë e pavërtetë dhe për momentin Luçiana është pa parti politike”, thotë ajo.
Protestuesja e bën të qartë qëndrimin e saj ndaj formacioneve politike duke u shprehur: “Për sa kohë kjo protestë të vazhdojë Luçiana është pa parti politike, është vetëm për protestën. Për momentin nuk ndihem e hapur për të qenë pjesë e asnjë partie politike dhe besoj që e ardhmja nuk mund t’i diktohet askujt, por e rëndësishme është që unë në këtë moment nuk jam për një karrige aty dhe nuk dua asnjë karrige nga kjo protesta. Nga kjo protestë dua që vetëm Shqipëria të bëhet e të bëhet siç është më e mira, një Shqipëri e re ku të gjithë jetojnë me dinjitet. Nuk jam e hapur për t’u bërë pjesë e asnjë partie dhe u kërkoj të gjitha partive të jenë pjesë e sheshit si qytetarë pa tentuar ta prekin protestën”.
Si organizohen fjalimet në protestë dhe a ka përplasje siç komentohet shpesh në rrjete sociale e media?
Kokaj tregon se ashtu siç janë grupet që merren me fëmijët që pikturojnë në trotuar, marshuesit me flamingo simbolike, ata që kujdesen për paraqitjen online në rrjete sociale të frymës së protestës apo krijuesit e pankartave, ajo e disa të tjerë kanë në përgjegjësi fjalimet. “Ne jemi një grup që na ka ngelur ajo pjesa e mikrofonit për t’u marrë dhe është një përgjegjësi shumë e madhe. E kemi marrë shumë sulme si nga media, si nga individë për këtë gjë. Jemi munduar shpesh herë të bëjmë më të mirën e mundshme dhe u kemi thënë të gjithëve hajdeni bujrum ta përmirësojmë në qoftë se kjo nuk është më e mira”, shpjegon Kokaj si janë ndarë pozicionet.
Për të shmangur keqkuptimet apo ndonjë hatërmbetje, ajo thotë se më parë ishte tentuar të funksiononte me lista: “Disa ditë u munduam që të bënim një listë, ta bënim me numra. Bëhej një rrëmujë shumë e madhe. Pastaj e lamë, okej, hajde mbaj radhën. Kur të vijë rradha do flasësh dhe kështu është, kështu funksionon. Njerëzit duan të flasin. Shqiptarët nuk janë dëgjuar për 35 vite dhe sot po dëgjohen dhe duan të flasin. Kjo është gjëja e bukur e atij mikrofoni”.

Edhe pse të pozicionuar kundër kastës së vjetër partiake në Shqipëri, folësit në podiumin e protestës sipas Kokajt nuk kanë qëllim të krijojnë një parti të re. “Për momentin aty te grupi që unë merrem… për protestën, nuk ka asnjë diskutim e nuk ka asnjë aspiratë për të krijuar lëvizje politike. Madje është një nga gjërat që e kemi marrëveshje të heshtur me njëri-tjetrin, që ne nuk do bëjmë asnjë parti politike që të jemi të qartë njëherë e mirë sepse në momentin që kjo do kthehet në një lëvizje politike, do jetë si çdo protestë tjetër shqiptare e kjo nuk është si të gjitha protestat e tjera ndaj nuk mund ta bëjmë”.


