
Ndonëse e gjithë vëmendja e publikut është përqëndruar te protesta që po mbahet prej një javë në Tiranë dhe qytete të tjera, lufta mes klaneve politikë-media ka vijuar në qarqe më të ngushta. Prej ditësh ka pasur zëra se pronarja e televizionit Top Channel Vjollca Hoxha është thirrur nga Prokuroria e Posaçme në lidhje me dosjen “Agasi”, duke pasur si afat përfundimtar për t’u paraqitur këtë të hënë. E hëna thuajse mbaroi, por Znj. Hoxha nuk u pa në dyert e godinës së qelqtë të SPAK-ut.
Fillimisht indicia se Vjollca Hoxha do të paraqitej në SPAK është dhënë nga një faqe memesh që ka dhjetra ndjekës, e cila për ta bërë më të besueshme këtë gjë ka paralajmëruar edhe natën e së dielës, se priste me padurim agimin e së hënës, status që e ripublikoi këtë mëngjes.
E gjithë kjo situatë e krijuar nuk mbeti vetëm në trajën e memeve për të argëtuar audiencën e faqes, por mori edhe një reagim nga gazetari Çim Peka, i cili publikoi një postim të gjatë, ku thuhej se buzëqeshja e dy moderatoreve dhe pronarëve të Top Channelit ka ngrirë, pikërisht nga një fletëthirrje e SPAK-ut.

Po e njëjta faqe memesh ka shprehur mbështetje të vazhdueshme ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku që prej momentit kur nisën problemet e saj me drejtësinë e deri kur u sulmua nga televizioni Top Channel që i vuri pas kamera e gazetarë, ndërsa edicione të tëra informative hapeshin me titull kryesor “Pse SPAK-u po e vonon arrestimin e Ballukut?”.
Po a fshihet Balluku pas përhapjes së këtyre thashethemeve? A e shfrytëzoi ajo këtë moment për hakmarrje ndaj Hoxhës? Emisioni Fiks Fare e ka sulmuar kohët e fundit shumë ashpër Ballukun.
Kështu, ndërlidhjet Agasi- Hoxha mbeten momentalisht në trajtën e spekulimeve, ndërsa objektivi i kamerave të shumë mediave të tjera qëndroi me idenë se “shakaja është gjysma e së vërtetës”, duke pritur që prej mëngjesit paraqitjen e CEO-s së Top Channel në SPAK. Kjo e fundit, ka zgjedhur të përgjigjet përmes rrjeteve sociale, ku ka publikuar pamje nga festa e ditëlindjes, të cilën e kremtoi këtë 19 tetor.


