
Nga Abdulla Diku
Nga disa foto që qarkullojnë në media, për zjarret në Lurë, veçova këtë.
Modeli hapësinor i vatrave të dukshme në shpat ngre dyshime të arsyeshme për më shumë se një pikë origjine.
Nëse pikat e ndezjes ndjekin përafërsisht të njëjtën kuotë, kjo mund të përkojë me një linjë aksesi njerëzor si; shteg, rrugë, kalim blegtorie përgjat shpatit. Në hetimin e zjarreve do të ishte me shumë interes të kontrollohej pikërisht nëse përgjatë këtij brezi ekziston një rrugë ose shteg i tillë.
Në fotografi dallohen disa zona aktive që prodhojnë kolona tymi relativisht të veçuara. Ato nuk paraqiten thjesht si një front i vazhdueshëm që ka avancuar në drejtimin e pjerrësisë, por si vatra të shpërndara përgjatë një brezi afërsisht transversal të shpatit.
Ky është një element me rëndësi në hetimin e origjinës së zjarrit. Nëse këto vatra kanë filluar pothuajse njëkohësisht dhe midis tyre fillimisht ka pasur biomasë të padjegur, atëherë kemi një konfigurim që kërkon shpjegim. Një zjarr i nisur nga një pikë e vetme zakonisht zhvillon një model përhapjeje të lidhur me pikën e origjinës, të modifikuar më pas nga pjerrësia, era dhe heterogjeniteti i vegjetacionit.
Ky dyshim përforcohet nëse konfirmohet se vatrat janë shfaqur në një interval të shkurtër kohor dhe se era frynte nga poshtë drejt lartësive (siç duket në foto).
Në këto kushte, si efekti i pjerrësisë ashtu edhe ai i erës do të favorizonin avancimin e zjarrit përpjetë, ndërsa do ta bënin më pak të pritshëm krijimin natyror të disa vatrave të ndara në të njëjtën kuotë ose në drejtim të kundërt me erën, dhe duke zbritur poshtë shpatit.
Megjithatë, përcaktimi i zjarrvënies së qëllimshme kërkon verifikimin në terren të pikave të origjinës, kronologjisë së ndezjes dhe përjashtimin e mekanizmave të tjerë të përhapjes, përfshirë krijimin e vatrave dytësore të zjarrit përpara ose larg frontit kryesor, pa qenë e nevojshme që flaka të ketë përshkuar fizikisht gjithë hapësirën ndërmjet tyre.
Sot mund të përftohen të dhënat meteorologjike për çdo pjesë të vendit, ndaj raste të tilla nuk është dhe aq e vështirë të përcaktohen si zjarre të qëllimshme apo jo.
Nëse kombinohet edhe me gjurmimin e numrave te telefonit që kan qenë në zonë aty, përfundimi del akoma me i saktë.


