
Në ditën kur kuvendi me 82 vota mbrojti imunitetin e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, kur ambasadat reaguan duke kërkuar që drejtësia të vijojë punën e pavarur, vjen një takim surprizë në kryeministri. Ambasadorja e SHBA-ve në Greqi, Kimberly Guilfoyle zbret nga makina para hyrjes së godinës së qeverisë dhe pritet personalisht nga kryeministri Edi Rama në orët e mbrëmjes. Guilfoyle është një person i afërt e i besuar për presidentin Donald Trump, e njihet si figurë kyçe në rrethin e ngushtë të tij në politikën amerikane. Kryeministria më herët nuk ka njoftuar asnjë takim zyrtar me ambasadoren Guilfoyle, sipas “TV KLAN” dhe për këtë nuk është bërë asnjë deklaratë zytare. Faqja e ambasadës amerikanë në Tiranë nuk ka publikuar asnjë njoftim apo detaj nga takimi Rama-Guilfoyle, duke e shtuar enigmën e këtij takimi.
Diplomacia e huaj në Tiranë sot ka qenë e vëmendshme ndaj zhvillimeve të kuvendit ku u blindua imuniteti i Ballukut, si hallka e vetme që mund ta shpëtonte përkohësisht nga kërkesa e SPAK-ut për ta arrestuar. Ambasada e Gjermanisë është shprehur pro integrimit të Shqipërisë, duke kërkuar ndjekje penale ndaj korrupsionit edhe në nivelet e larta, ajo amerikane vlerësoi pavarësinë e institucioneve të drejtësisë në Shqipëri për vazhdimin e bashkëpunimit me SHBA-të, britanikët u shprehën se: “Imuniteti parlamentar nuk duhet të shndërrohet në një pengesë për llogaridhënien para drejtësisë dhe barazisë përpara ligjit”.
Lexo edhe shkrimin me titull: Reagimet e ambasadave pas vendimit kundër heqjes së imunitetit të Belinda Ballukut
Analisti Basir Çollaku shkruan: “Në mungesë ende të një reagimi të shpejtë nga ambasada amerikane në Tiranë, për refuzimin e drejtësisë me 82 vota, Rama shpërndan një takim-përqafim me ambasadoren amerikane në Greqi në zyrën e tij”.

Duke komentuar takimin e beftë me përqafime mes Ramës e Guilfoylesë, Çollaku komenton mungesën e një shoqëruesi nga ambasada për diplomaten: “Ndoshta VanHorn ka dijeni më shumë, ngaqë çdo zyrtar në këtë nivel, që shkon në një institucion, sidomos në KM, shoqërohet nga përfaqësues i Ambasadës së vendit përkatës..”-shtoi ai duke veçuar se: “Por diçka është e sigurtë, Ambasada në Tiranë do të ketë qëndrim të njëjtë me ambasadat e Gjermanisë, Britanisë, Holandës, Suedisë, BE-së. Ramën nga SPAK nuk e shpëton askush. Kur të paraqitet aty të marrë me vete edhe këto foto diversioni..”-shkruan ai.
Një takim-shashkë ky i sotmi, foto nga i cili u shpërndanë me shpejtësi në rrjet si për të kthyer kokën nga ana tjetër ku mbi ish-krahun e tij të djathtë rëndojnë akuza për “Shkelje të barazisë në tendera”. Rama i ka argumentuar duke thënë se nuk ka akuza për korrupsion, madje ka hedhur poshtë edhe provat e SPAK-ut. Në dosjen “Balluku” janë vënë në radhë shkeljet për Tunelin e Llogarasë, Unazën e Madhe, dyshimet për Aeroportin e Vlorës e jo vetëm.
Si deja vu, Rama të njëjtën gjë bëri kohë më parë dhe me Ivanka Trumpin. Pas një dite intensive bisedash me të në Vlorë, vajza e presidentit amerikan Donald Trump, Ivanka Trump është kthyer në Tiranë duke u pritur sërish nga Rama mes përqafimesh në kryeministri. Ai mungoi në takimin e Davosit në SHBA për të firmosur për Bordin e Paqes duke sqaruar se: “Isha në mes të një dileme nëse duhet t’i përgjigjesha babait, apo të prisja vajzën. Natyrisht që vajzën e zgjodha me lejen e babait”.


