
Nga Erlis Çela
Tani, që RTSH-ja nuk është bërë kurrë një “media publike” në këto 30 vite, por ka mbetur një televizion shtetëror, për të mos thënë qeveritar, kjo është e vërtetë. Kjo u konfirmua edhe një herë së fundmi me zgjedhjen me konsensus të anëtarëve të Këshillit Drejtues. Që RTSH-ja keqmenaxhohet dhe që një pjesë e fondeve publike abuzohet, edhe kjo është e vërtetë.
A duhet të ekzistojë RTSH-ja në tregun mediatik shqiptar? Për mua, kjo është një pyetje pothuajse retorike. Duhet të ekzistojë, sepse është e nevojshme për shoqërinë shqiptare, e cila përballet me një fluks të madh përmbajtjesh nga mediat komerciale që nuk njohin kufij kur vjen puna te interesi i tyre ekonomik. Pra, Shqipërisë i duhet sot një media publike më shumë se kurrë më parë. Por RTSH-ja duhet të reformohet, duhet të bëhet vërtet publike, duke i shërbyer interesit publik dhe jo interesit të qeverisë së radhës. Nevojitet një reformë e thellë, që nga formula e zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit, marrëdhënia me median lokale dhe atë private, e deri te numri i punonjësve dhe cilësia e programacionit.
Unë nuk jam dakord me z. Shehaj vetëm për krahasimin që ai bën mes RTSH-së dhe një mediaje komerciale private, pasi ky është një krahasim që nuk qëndron në asnjë aspekt. Nuk mund të krahasohet efikasiteti i një mediaje publike me logjikën komerciale të mediave private. Ne kemi nevojë për një televizion publik pikërisht sepse ai duhet të funksionojë ndryshe nga ai privat. Ndërsa për pjesën tjetër që ka të bëjë me nevojën për reformë dhe keqmenaxhimin e fondeve, jam plotësisht dakord.


