Nga Irena Beqiraj

Në një vend ku kultura e pagesës së taksave është e dobët, ku besimi se pagesa e tyre mund të shndërrohet në shërbime më të mira publike është i ulët, ku perceptimi se qytetarët nuk trajtohen drejtësisht nga sistemi është i përhapur, ku administrimi i mbledhjes së taksave le për të dëshiruar dhe ku mazhoranca kishte vendosur të rrinte në pushtet edhe duke keqqeverisur, aplikimi i taksimit progresiv ishte i pamundur, siç edhe rezultoi.

Socialistët u mbështetën në fabulën intresante të taksimit progresiv “ku ai që fitonte më shumë do të duhet të paguante më shumë” por e zbatuan atë ekskluzivisht vetëm për të ardhurat nga punësimi duke përjashtuar nga tatimi progresiv jo vetëm të ardhurat nga investimet kapitale (interesa, dividend, qira) por edhe të ardhurat nga vetëpunësimi. Por socialistët nuk u mjaftuan me kaq. Në 10 vjet, me eksperimentet politike të pastudiuara të uljeve dhe përjashtimeve të njëpasnjëshme nga taksat, të cilat bëheshin jo pa qëllim para fushatave zgjedhore, ata cunguan dhe përkeqësuan karakteristikat e sistemit tatimor, i cili sot shfaqet jo efektiv, i padrejtë dhe aspak neutral, cilësi këto të cilat zvogëlojnë bazën tatimore, nxisin evazionin dhe informalitetin, si dhe përkeqësojnë klimën e biznesit. Disbalanca më e madhe që krijuan socialistët ishte trajtimi tatimor i të ardhurave nga vetëpunësimi.

1.Si edhe pse u ofrua një trajtim tatimor i disbalancuar për të vetëpunësuarit?

Të vetëpunësuarit janë ata persona, të cilët janë pronarë të vetëm ose bashkëpronarë të ndërmarrjeve të painkorporuara ose ndryshe të quajtur persona fizikë. Ndryshe nga vendet e tjera, përfshirë këtu edhe vendet e Ballkanit Perëndimor, problemi fillon me faktin që ligji shqiptar nuk i trajton të ardhurat nga vetëpunësimi si burime të ardhurave personale por gabimisht i trajton ato si të ardhura nga biznesi. Thënë këtë të vetëpunësuarit, në vend që t’i nënshtrohen tatimit mbi të ardhurat personale i nënshtrohen regjimit të përgjithshëm të tatimit mbi fitimin e biznesit.

Nuk e di nëse e keni harruar ju, por unë edhe ish- ministri Cani nuk mund ta harrojmë fushatën anti-informalitet të vitit 2015, e cila pa u ngjizur mirë dhe pa arritur akoma rezultate, u minua nga “kujdesi politik i barkut të Shën Mërisë së Kryeministrit”, i cili  në 2016 përjashtoi bizneset e vogla me xhiro deri në 5 milion lek nga tatim-fitimi si dhe reduktoi normën e tatim-fitimit në 5% për bizneset me xhiro 5 deri në 8 milion. Gabimi u zgjerua më tej, kur pragu i patatueshëm për këto biznese, me një tjetër të rënë të lapsit u rrit nga 8 milion në 14 milion në vitin 2018. Në kërkim të mandatit të tretë “dashuria socialiste” hapi një tjetër të çarë të madhe në sistemin tatimor me përjashtimin tërësisht nga tatim-fitimi i bizneseve me xhiro nën 14 milion lek, ku futeshin edhe të vetëpunësuarit.

Në Shqipëri ka rreth 256,000 individë të vetëpunësuar. Bazuar në të dhënat administrative, pothuajse 98.7 % e pagave të raportuara nga të vetëpunësuarit janë në nivelin e pagës mininale, edhe paga mesatare e deklaruar e të vetëpunësuarve ishte 39,340 lekë. Thënë këtë pas 2021 kontributi i vëtëm që të vetëpunësuarit japin në të ardhurat e buxhetit të shtetit është pagesa e sigurimeve shoqërore. Hendeku i barrës efektive tatimore midis punësimit dhe vetëpunësimit pas ndryshimeve të 2021 u bë mesatarisht 21.4 pikë përqindjeje. Kështu që individët në mënyrë që të minimizonin barrën e tyre tatimore u riorganizuan në biznese të vogla si të vetëpunësuar duke ofruar shërbimet e tyre kryesisht profesionle si nënkontraktorë në vend që të regjistroshin në listat e pagave si të punësuar.

Për më tepër, personat fizikë, shumica e të cilave janë të regjistruar si të vetëpunësuar, janë gjithashtu të avantazhuar në krahasim me bizneset e tjera të organizuara në forma të tjera juridike (si SHPK apo SHA ) pasi ata nuk paguajnë tatimin mbi dividentin. Të vetëpunësuarit mund të bëjnë investime kapitale në formën e objekteve apo pajisjeve dhe të ardhurat e tyre që janë de facto kombinim i të ardhurave nga puna dhe nga kapitali e taksohen me 0 %.

E parafytyroj ndonjë nga koleget e mia socialiste që reciton tribunave duke thënë: “Mbështetja e madhe tek vetëpunësimi e bën Shqipërinë një vend të jashtëzakonshëm në rajon, sepse përqindja e të vetëpunësuarve (nga punësimi total) është mbi 50 për qind në Shqipëri, më e larta në rajon edhe gati sa dyfishi i Serbisë, e cila renditet në vend të dytë sipas vlerësimve të ILO”. E saktë, por dardha e ka bishtin mbrapa. Struktura e të vetëpunësuarve tregon cilësinë e vetëpunësimit dhe arsyen pse u vendos të tatohen nga ato vetëm profesionet e lira.

2. Struktura e Vetëpunësimit dhe rritja e barrës tatimore vetëm për profesionet e lira

Grafiku tregon se ndryshe nga mesatarja e vendeve të Ballkanit Perëndimor, shumica e të vetëpunësuarve në Shqipëri rreth 57 % e tyre janë individë me aftësi dhe arsim të ulët, kur mesatarja e Ballkanit Perëndimor për të vetëpunësuarit në këtë kategori është 42%. Ndërsa vetëm 9% e të gjithë të vetëpunësuarve janë me arsim të lartë edhe në këtë kategori futen edhe profesionet e lira. Fakti që vetëpunësimi është më i përhapur tek individët me aftësi dhe arsim të ulët, reflektohet edhe nga fakti që niveli më i lartë i varfërisë, pas të papunëve rezulton tek të vetëpunësuarit. Në Shqipëri rreth 45% e individëve që jetojnë në varfëri deklarojnë që janë të vetëpunësuar.

Një ekonomiste tjetër e majtë Joan Robinson, e cila ka prezantuar për herë të parë konceptin e papunësisë së fshehur ose “papunësisë së maskuar”, do t’u thoshte socialistëve optimistë se krijimi i kësaj armate “të jashtëzakonshme” të vetëpunësuarish, ku njerëzit punojnë me marzhe të ulta fitimi ose ndryshe punojnë për sigurimin e një rroge minimale, nuk është gjë tjetër veçse papunësi e fshehur.

Ka dhe një penalizim tjetër që ngre shqetësimin për një sistem tatimor de facto regresiv. Në shumicën e juridiksioneve që aplikojnë tatimin progresiv, jo të gjithë individët përballen me të njëjtën barrë tatimore vetëm në bazë të të ardhurave. Në disa vende, ka lehtësime shtesë tatimore për çiftet që rrisin fëmijë. Shumica e vendeve të OECD-së, të cilat aplikojnë tatimin progresiv ofrojnë përfitime për familjet me fëmijë përmes dispozitave tatimore preferenciale, duke ulur kështu barrën tatimore për individët me persona në ngarkim dhe fëmijë, qofshin këta të punësuar ose të vetëpunësuar. Ndërsa në Shqipëri një individ që ka fëmijë, apo persona të tjerë në ngarkim paguan për të njëjtat të ardhura të njëjtën barrë tatimore sa një individ beqar.

Ndaj nëse shikojmë strukturën e familjeve, të cilat jetojnë në varfëri, ajo tregon qartazi përse ka rënë lindshmëria edhe pse politika e bonusit të bebeve ishte e pamjaftueshme edhe pa efekt.

Për sa më lart socialistët aktualë nuk mund të ofronin përveçse “një rregullim” të shpejtë e minimal në sistemin e shpropocionuar progresiv tatimor ku dividendin nuk kanë ngurruar ta taksojnë edhe me 8% , ku të ardhurat e tjera taksohen me 15% ndërsa të ardhurat nga puna taksohen deri në 23%. Përfshirja e profesioneve të lira ose 9% të vetëpunësuarve në skemën e taksimit progresiv përmbush vetëm kalkulimet politike të socialistëve, ndërkohë që edhe efekti i këtij ndryshimi do të jetë i papërfillshëm në buxhetin e shtetit pasi xhiro e tyre vjetore është vetëm sa 1% e PBB-së.

Socialistët aktualë janë detyruar të ofrojnë arnimin e radhës në sistemin tatimor progresiv dhe ne duhet t’i kuptojmë dreqi e mori! Ata nuk mund të taksojnë të papunët që me anë të zerimit të taksave i shndërruan në të vetëpunësuar dhe votues por nuk i nxorën nga varfëria.

Ndërsa të majtët (nëse ka ndonjë të tillë akoma ndër socialistë) e dinë mirë që sistemi i tatimit progresiv është projektuar për të arritur barazi vertikale dhe horizontale duke taksuar nivelet më të larta të të ardhurave me norma më të larta, edhe duke synuar një rishpërndarje më të mirë. Një qeveri e majtë do të kujdesej të siguronte barazi horizontale në taksimin ku së pari llojet e ndryshme të të ardhurave personale përkatësisht, ato nga puna dhe kapitali trajtohen në mënyrë të ngjashme; Së dyti, kjo do t’i hapte rrugë konceptit të të ardhurave personale kumulative; së treti kjo do të çonte në rritjen e bazës tatimore, do të mundësonte rishikimin e shkallëve tatimore dhe normat përkatëse, duke futur edhe shkallë e norma më të ulta të ndërmjetme; dhe së katërti taksimi progresiv ofron mundësi të jashtëzakonshme për të arritur rishpërndarje më të mirë dhe për të ofruar politika sociale efikase siç mund të jetë njohja e shpenzimeve të zbritshme për të gjithë të punësuarit apo të vetëpunësuarit të cilët rrisin fëmijë, marrin kredi për shtëpinë e parë, apo për të nxitur sjellje të caktuara në shoqëri siç mund të ishte sigurimi i pronës nga fatkeqësitë natyrore.

Por hartimi i politikave tatimore është zanat, ndërsa qeverisja sipas socialistëve është thjesht mandat!

Leave a Reply

  • (not be published)