
Ngritja e shtatores së mbretëreshës ilire, Teutës në Lezhë me iniciativë të gazetarit Marin Mema dhe me financim të qytetarëve ka shkaktuar polemika të shumta, duke filluar nga struktura e jashtme, deri tek ajo çfarë përfaqëson historikisht. Për gazetarin Marin Mema nuk ka qenë një nismë e lehtë, për finalizimin e së cilës iu nevojitën 4 vite me radhë. Mema rendit disa arsye, duke filluar nga mospërkrahja institucionale. Pikërisht te kjo e fundit lindin edhe polemikat në rrethin e historianëve dhe njohësve të tjerë të figurës së Teutës, ndër ta Auron Tare dhe Edmond Arizaj.
Studiuesi Auron Tare përmes një postimi në rrjetet e tij sociale, ngre pyetjen nëse për vendosjen e shtatores në Lezhë është pyetur Akademia e Shekncave, thënë kjo me tis ironie. Tare nuk ndalet me kaq, duke hequr paralele mes asaj çfarë Teuta përfaqësonte në Mbretërinë e Ardianëve, duke e krahasuar me aktualitetin institucional të Shqipërisë.
“Mua Teuta më kujton pak këto Drejtoreshat e sotme që trashëgojnë institucione të mëdha, por në fund arrijnë t’i çojnë drejt falimentimit. Teuta mori në dorë regjencën e një mbretërie që Mbreti Agron e kishte fuqizuar ndjeshëm. Ai e shtriu sundimin e tij deri në Epir dhe ushtria e tij vetëm pak kohë pasi vdiq pushtoi Finiqin, kryeqendrën e Epirit. Por Teuta pas konfliktit me Romën, jo vetem e humbi shtetin Ilir, por pas saj fuqia ilire nuk ishte me dominuese ne Ballkan. Mos harro ajo njihet si Mbretëresha që preu në Besë legatët romanë që kishin ardhur në shtepine e saj, duke i vrarë ata”.
Në të njëjtën linjë qëndron edhe gazetari Edmond Arizaj, duke sqaruar se Teuta nuk arriti ta çonte përpara mbretërinë që trashëgoi, duke sqaruar se ajo nuk ishte mbretëreshë sovrane, por regjente.
“Së pari, Teuta nuk ishte mbretëreshë sovrane në kuptimin që na sugjeron monumenti. Ishte mbretëreshë regjente dhe ushtronte pushtetin në emër të thjeshtrit të saj, djalit të mitur të Agronit, mbretit të vdekur, trashëgimtari i mbretërisë. Së dyti, ajo nuk ishte “Mbretëreshë e Ilirisë”, sepse nuk ekzistonte një shtet i vetëm dhe i bashkuar i të gjithë ilirëve. Ishte regjente e Mbretërisë Ardiane, njëra prej mbretërive që ekzistonin në hapësirën ilire”, shkruan Arizaj.
I habitur në mënyrën sesi është konceptuar ideja për këtë skulpturë, Arizaj nuk ngurron ta cilësojë “Nacionalizëm qesharak” për “Nëntë metra monument, për dy-tre vjet regjencë”.
Përpos përmbajtjes, Tare dhe Arizaj janë ndalur edhe te forma e shtatores, duke analizuar elementët ndërtues dhe simbolikat që kanë në mitet ilire. Teuta në shtatoren e ngritur përballë Adriatikut, pikërisht në kufirin ku bashkohen e ndahen Lezha me Shkodrën, mban në krahë armë lufte, por sipas burimeve historike që Tare e Arizaj përmendin, nuk ka marrë pjesë në asnjë betejë.
“Së treti, për aq sa na lejojnë të dimë burimet, Teuta nuk mori pjesë personalisht në ndonjë betejë. Paraqitja e saj si Athinaja, me parzmore, mburojë, shtizë dhe gjarpër të mbështjellë rreth armës, mund të jetë e dobishme për turistët dhe selfiet, por nuk është as përafërsisht rindërtim historik. Gjarpri kishte rol simbolik te disa popullsi ilire, por nuk kemi ndonjë dëshmi se ishte emblemë personale e Teutës, aq më pak se ajo mbante një shtizë të tillë, as nuk dimë nëse ka mbajt ndonjëherë shtizë, shpatë, apo thikë”, sqaron Arizaj.
Të dy bashkohen në atë që mund të ishte një figurë më përfaqësuese për historinë e Ilirisë, duke renditur mbretër e prijës të ndryshëm. Auron Tare në trajtën e një bashkëbisedimi me një mik nga Lezha, vijon me ironi:
“Po Ju në Lezhë e doni me shpatë or mik, prandaj do të propozoja Mbretin Agron, por me qe ju vutë gruan e tij, ndërmend më vjen Bardhyli, Mbreti i Dardanëve. Një nga figurat më të fuqishme ushtarake të botës ilire. Për vite me radhë u përball me Maqedoninë, e cila kishte bërë zap qytetet greke, Bardhyli me fuqine e tij bëri që Filipi i II-të, ati i Aleksandrit të Madh të pranonte kushtet e tija”, shkruan Tare.
Arizaj thotë se do të ishte më me vlerë që shqiptarët të kërkojnë që historia të hulumtohet më shumë, të verifikohet e dokumentohet nga historianët, duke vijuar ta quajë nismën e gazetarit Mema “nacionalizëm që ushqehet me ëndrra”.
“Sa mirë do të ishte sikur ne shqiptarët të kërkojmë me ngulm që historia jonë të hulumtohet, verifikohet, dokumentohet dhe vetëm pastaj të vuloset, nga shkencëtarë dhe jo komentues rrjetesh sociale, në vend se të kënaqemi edhe me gjysmë të vërteta prej bronzi së fundmi pranë të cilave mund të bëjmë selfie. I japim vetes lavdi dhe dafina, që realisht as i hyjnë kujt në punë përveç vetëmbushjes sonë me krenari të rreme.”
Pas këtyre kritikave, ku cilësohej se Teuta nuk ka qenë mbretëreshë e mirëfilltë, ka reaguar edhe gazetari Marin Mema, duke shkruar përbri fotos së statujës: Gruaja shqiptare është Mbretëreshë!



