Presidenti amerikan Joe Biden u largua nga gara presidenciale të dielën duke dhënë dhe preferencën e tij mbi kandidaten që duhet të garojë kundër Donald Trumpit.

Ai zgjodhi të mbështesë pikërisht zëvendëspresidenten e tij, Kamala Harrisin. Por a do të thotë kjo që Harrisi bëhet automatikisht e nominuara e Partisë Demokratike? Jo. Nuk ka asnjë protokoll të tillë. Harrisi do të duhet të fitojë shumicën e konventës demokrate ashtu si kushdo tjetër.

Si mund të hyjnë në garë kandidatët e tjerë? Sipas rregullave të partisë, kandidatët duhet të plotësojnë disa kërkesa që emrat e tyre të nominohen për të qenë kandidati presidencial i partisë.

Media amerikane CNN shkruan se ata duhet të mbledhin qindra nënshkrime nga delegatët (të paktën 300, por jo më shumë se 600) nga disa shtete. Kandidatët gjithashtu duhet të plotësojnë një sërë kërkesash të përcaktuara në rregullat e partisë.

Megjithatë duket theksuar se Harrisi është gruaja e parë, personi i parë me ngjyrë dhe e para me origjinë aziatike që u ngjit në postin e zv.presidentes. Dhe tani, mbështetja e Bidenit mund ta vendosë atë në rrugën e duhur për t’u bërë edhe presidentja e parë grua.

Por Harrisi duket se po hyn në një garë e cila akoma pa nisur, e ka tashmë një favorit dhe ai është pikërisht rivali nga republikanët, Donald Trumpi.

Gjatë muajve të fundit, Donald Trumpi ka fituar shumë pikë nëpër sondazhe, mbi të gjitha për shkak të paraqitjeve të çuditshme në publik të presidentit aktual Joe Bidenit.

Mirëpo atentati që iu bë atij më 13 korrik, e fuqizoi Trumpin akoma më shumë përpara publikut amerikan.

Megjithatë, gjithçka mund të ndodhë në 100 ditë.

Foto nga dita e atentatit, momenti kur Trump u largua nga podiumi nga Shërbimet Sekrete

A do e tejkalojë Harrisi dobësinë e saj para Trumpit?

Në ka një gjë për të cilën Harrisi është kritikuar herë pas here është të folurit në publik. Tendencat e zonjës Harris për terma të paqartë dhe përsëritje, ndonjëherë deri në absurditet, janë bërë, në mënyrë të drejtë ose të padrejtë, një tipar përcaktues i zëvendëspresidencës së saj dhe një burim i rregullt talljeje për republikanët.

Komedianja Desi Lydic e cila e ka imituar shpeshherë e përmbledh kështu qasjen e zonjës Harris ndaj të folurit publik.

“Është një proces që unë e quaj të folurit pa menduar. Nuk ka të bëjë me destinacionin e mendimit, ka të bëjë me udhëtimin dhe sa fjalë përdorni për të përshkruar udhëtimin.”– citohet të ketë thënë ajo nga gazeta britanike “The Telegraph”.

Ata që kanë punuar më parë me zonjën Harris ndahen gjerësisht në dy kampe: ata që e urrejnë dhe ata që e admirojnë.

Për mbështetësit e saj, zonja Harris është demokratja më e pozicionuar për t’u përballur me Donald Trumpin në nëntor.

Me pak më shumë se 100 ditë larg nga dita e zgjedhjeve, ata theksojnë se ajo ka nevojë për pak prezantim me votuesit. Kundërshtarët e saj thonë se kjo është pjesë e problemit.

Performanca katastrofike e debatit të Bidenit ka nënvizuar për ta imperativin e zgjedhjes së një zëvendësuesi të aftë për t’i bërë ballë ashpërsisë në ekran të një gare presidenciale.

Kandidatura e papritur dhe e shkurtër e zonjës Harris në Shtëpinë e Bardhë për vitin 2020 nuk ka frymëzuar shumë besim. Kur ajo njoftoi për herë të parë kandidaturën e saj, shumë panë premtime në aftësinë e saj për të udhëhequr një brez të ardhshëm demokratësh.

Ish-prokurorja e përgjithshme e Kalifornisë dukej se i kishte të gjitha: pamje të bukur dhe një biografi që mund të tërheqë centristët dhe progresistët. Por fushata e saj u pengua që në fillim me një sërë gabimesh themelore. Gjykimi i saj u vu në dyshim më shumë se një herë mes raporteve për keqmenaxhimin e stafit dhe pretendimet se motra e saj, Maya, po luante një rol të jashtëzakonshëm për të cilin nuk ishte as e përshtatshme dhe as e kualifikuar.

“Ata kishin dy anketues, dy menaxherë fushate dhe dy konsulentë të medias.”– tha një burim i brendshëm demokrat për gazetën britanike The Telegraph. “Nuk ishte e drejtuar mirë.”

Në fund të fundit, ishte paaftësia e saj për të magjepsur donatorët – thelbësore për çdo kandidaturë presidenciale – që e dënoi kandidaturën e saj të vitit 2020. Asaj i mbaruan paratë dhe u largua nga gara para se të fillonin zgjedhjet paraprake demokrate.

Po ashtu, më vonë në vitin 2021, ajo u ekspozua në mënyrë të panevojshme ndaj kritikave me përgjigje pa takt në intervista, kur u pyet pse nuk e kishte vizituar ende kufirin jugor me Meksikën. “Unë nuk e kam vizituar as Evropën.”– u përgjigj ajo. Një material që menjëherë u përdor nga kundërshtarët politikë.

E vërtetë apo histori e fabrikuar, kritikët besojnë se zonja Harris shihet si e paaftë dhe jopopullore nga votuesit. Në të vërtetë, për pjesën më të madhe të mandatit të tyre të parë, ajo ka dalë më keq se presidenti Biden në sondazhe – madje me vlerësimin më të keq të miratimit të çdo zëvendëspresidenti në një sondazh. A do të jenë të mjaftueshme këto tre muaj për Harrisin që të riformatojë veten dhe të dalë fituese mbi kandidatët e tjerë të mundshëm të Partisë Demokratike dhe më pas edhe ndaj vetë Trumpit? Mbetet për t’u parë.

Por, le të njihemi pak me Kamala Harrisin, jetën e saj, karrierë, futjen në politikë dhe historinë e saj të dashurisë.

Harris me motrën e saj, Maya, dhe nënën, Shyamala, jashtë banesës së tyre në Berkeley, Kaliforni, në janar 1970.

Fëmijëria e Kamala Harrisit

Harrisi ka lindur në Oakland të Kalifornisë, në vitin 1964. Prindërit e saj, Shyamala Gopalan, një studiuese e kancerit nga India dhe Donald Harris, një ekonomist nga Xhamajka, kishin emigruar në Shtetet e Bashkuara. Sikurse shkruan Washington Post, ata u takuan gjatë ndjekjes së diplomave të avancuara në Universitetin e Kalifornisë në Berkli. Harrisi ka një motër, të quajtur Maya.

Harris dhe motra e saj, Maya (në të djathtë) kalonin shumë kohë me kushërinjtë e tyre në Xhamajka.

Prindërit e saj ishin të përfshirë në aktivizëm, duke e çuar Harrisin në marshime për të drejtat civile kur ajo ishte ende në karrocë, të paktën sipas biografisë së saj në Shtëpinë e Bardhë. Prindërit e Harrisit u divorcuan kur ajo ishte shtatë vjeçe dhe vajzat qëndruan me nënën. Harrisi gjithmonë e ka vlerësuar nënën e saj, për zhytjen e saj dhe të motrës në kulturat e tyre indiane dhe afrikano-amerikane gjatë rritjes së tyre.

“Nëna ime e kuptoi shumë mirë se ajo po rritte dy vajza me ngjyrë.”- shkroi Harris në autobiografinë e saj të vitit 2019, “dhe ajo ishte e vendosur të sigurohej që ne të rriteshim si gra me ngjyrë të sigurta dhe krenare”.

Harris (djathtas) me Gwen Whitfield në një protestë kundër aparteidit gjatë vitit të parë të saj në Universitetin Howard në vitin 1982.

Kolegji dhe fillimi i karrierës

Harrisi u transferua në Kanada me nënën dhe motrën e saj kur ishte 12 vjeç, dhe pas shkollës së mesme të cilën e kreu në Quebec, ajo u kthye në Shtetet e Bashkuara për të studiuar në Universitetin Howard, një shkollë historikisht për studentët me ngjyrë në Uashington, D.C.

Harrisi ka thënë se pasi ndoqi shkolla ​​ku shumica e studentëve dhe pedagogëve ishin të bardhë që prej shkollës fillore, ajo ishte gati për një përvojë ndryshe në kolegj.

Në librin e saj të kujtimeve “The Truths We Hold: An American Journey”, Harris thotë se e bukura e këtij kolegji qëndronte këtu: “çdo sinjal u thoshte studentëve se ne mund të ishim çdo gjë – se ne ishim të rinj, të talentuar dhe me ngjyrë dhe nuk duhet të lejonim asgjë të pengonte suksesin tonë.”

Ajo u diplomua në shkenca politike dhe ekonomi, duke kaluar shumë fundjava në protestat kundër aparteidit të Afrikës së Jugut. Ajo gjithashtu mori pjesë në një protestë në vitin 1983 në një ndërtesë administrative për të protestuar kundër përjashtimit të redaktorit të gazetës studentore.

Pas diplomimit nga Howard, ajo fitoi dhe një diplomë juridike në vitin 1989 nga Universiteti i Kalifornisë në Hastings. Harrisi u pranua në Barin Shtetëror të Kalifornisë në vitin 1990 dhe iu bashkua zyrës së prokurorit të qarkut Alameda në Oakland si ndihmës avokate e specializuar në ndjekjen penale të rasteve të sulmeve seksuale ndaj fëmijëve.

Harrisi ka thënë se ajo u bë prokurore sepse donte të punonte nga brenda për të ndryshuar një sistem të drejtësisë penale që prek në mënyrë disproporcionale pakicat. Ajo vazhdoi të shërbejë në Zyrën e Prokurorit të Qarkut të San Franciskos dhe më vonë drejtoi dhe Divizionin e Prokurorit të Qytetit të San Franciskos për Familjet dhe Fëmijët.

Harrisi kandidoi për prokurore të qarkut të San Franciskos në vitin 2003. Gjatë fushatës, kundërshtarët e saj vunë në pikëpyetje integritetin e saj për shkak të një historie romantike që kishte patur në kohën kur u emërua në dy poste të bordit shtetëror. Ajo ishte emëruar në role nga ish-kryetari i Asamblesë së Shtetit të Kalifornisë dhe kryebashkiaku i San Franciskos Willie Brown, me të cilin më parë kishte një lidhje romantike. Kandidatët në garë ngritën gjithashtu dyshime nëse ajo do të mund të hetonte drejt administratën e kryebashkiakut Brown, në një kohë kur ka patur lidhje romantike me të.

Ajo fitoi garën në vitin 2003, duke u bërë gruaja e parë afrikano-amerikane dhe gruaja amerikane-aziatike jugore në Kaliforni që mban këtë detyrë. Shtatë vjet më vonë, në mandatin e saj të dytë si prokurore e qarkut, ajo fitoi të njëjtat superlativa kur u zgjodh prokurore e përgjithshme e Kalifornisë.

Harrisi në vitin 2004 gjatë kohës së saj si Prokurore e Qarkut në San Francisko.

Qëndrimi i Harrisit si prokurore e qarkut e ndihmoi atë në garën për prokurore të përgjithshme dhe kandidaturën e saj të mëvonshme në Senat, por disa nga të punët e saj kanë qenë të diskutueshme. Në kandidimin e saj presidencial të vitit 2020, vendimi i saj si prokurore e përgjithshme për të kërcënuar me akuza penale prindërit e studentëve të braktisur, u kritikua pasi disa juridiksione i dërguan prindërit në burg duke zbatuar politikën e saj. Harrisi i ka quajtur këto burgosje “pasoja të padëshiruara” dhe tha se ajo kurrë nuk dërgoi asnjë prind në burg.

Në vitin 2010, Harrisi sfidoi shanset duke fituar garën për prokuror të përgjithshëm të Kalifornisë, duke mposhtur Steve Cooley, një prokuror popullor republikan i qarkut të Los Anxhelosit, me një diferencë të ngushtë.

Si prokurore e përgjithshme, historia e Harrisit në drejtësinë penale ishte gjithashtu komplekse. Ajo ruajti, për shembull, autoritetin e juridiksioneve lokale për të përdorur kamerat e trupit të policisë dhe për të hetuar të shtënat e policisë (një çështje mjaft delikate momentalisht në SHBA). Ajo mbështeti përdorimin e kamerave të trupit, por nuk zbatoi standardet mbarëkombëtare për përdorimin e këtyre kamerave dhe kundërshtoi një projekt-ligj që do t’i kërkonte zyrës së prokurorit të përgjithshëm të hetonte të shtënat e policisë.

Harrisi, megjithatë, e kundërshtonte dënimin me vdekje si prokurore qarku. Ajo refuzoi në San Francisko të ndiqte penalisht rastet e dënimit me vdekje – madje edhe në një rast të profilit të lartë që përfshinte vrasjen e një oficeri policie, një vendim që solli zemërimin e sindikatave të policisë lokale. Por si prokurore e përgjithshme, ajo gjithashtu apeloi një vendim të gjykatës në Kaliforni që e shpalli dënimin me vdekje jokushtetues.

Ndërsa shërbente si prokurore e përgjithshme në Kaliforni në vitin 2014, Harrisi u martua me Doug Emhoff, një avokat në Los Angeles, në një ceremoni të vogël të drejtuar nga motra e saj, Maya. Bashkëshorti i saj kishte dy fëmijë nga një martesë e mëparshme – Ella dhe Cole. Këta të dy i dhanë Harrisit pseudonimin “Momala“.

Në vitin 2016, Harrisi kandidoi për Senatin e SHBA-ve me mbështetjen e Presidentit të atëhershëm Barack Obamës dhe të Zëvendës Presidentit të atëhershëm, Joe Bidenit. Ajo mposhti me lehtësi republikanen Loretta Sanchez, kandidaten tjetër të Senatit në zgjedhjet e përgjithshme në Kaliforni.

Fitorja e saj erdhi në një kohë kur demokratët panë Trumpin të siguronte presidencën. Në kohë dështimi kolektiv, vetë Harrisi po korrte fitore. Ajo u bë vetëm gruaja e dytë me ngjyrë që iu bashkua dhomës së sipërme.

Zëvendës presidenti i atëhershëm Joe Biden përkulet në mënyrë që familja e Harrisit të mund të shihet në një foto grupi, gjatë një ceremonie të betimit në Capitol Hill, kur filloi punën Kongresi i 115-të në vitin 2017.

Gjatë kohës së saj në Senat, Harrisi u dallua duke zbatuar aftësitë e saj prokuroriale kundër të nominuarve dhe të emëruarve të Trumpit gjatë seancave dëgjimore të komisionit.

Harrisi, e cila shërbeu në Komitetin Gjyqësor të Senatit, i bëri presion në atë kohë të nominuarit për Gjykatën e Lartë Brett M. Kavanaugh, nëse dinte ndonjë ligj që i tregonte një burri se çfarë të bënte me trupin e tij, siç bëjnë ligjet e abortit për grate, duke e shtyrë atë të thotë se nuk e dinte këtë.

Senatorja Kamala Harris nis fushatën e saj presidenciale në një tubim me bashkëshortin e saj, Douglas Emhoffin dhe motrën Maya Harrisin në Oakland, Kaliforni, më 27 janar 2019.

Gara për Presidencën

Në vitin 2019, dy vjet pasi u betua në Senat, Harrisi njoftoi kandidaturën e saj për presidente. Dhe gjatë debatit të parë presidencial demokrat, momenti i shpërthimit të Harrisit erdhi kur ajo shkoi pas Bidenit.

Harrisi e cila ishte e vetmja kandidate me ngjyrë në skenë, i kërkoi llogari Bidenit për komentet që ai kishte bërë asokohe në një mbledhje fondesh. Bideni sugjeronte se ai është i mirë në bashkimin e njerëzve – duke përmendur marrëdhëniet e tij me segregacionistët në Senat në vitet 1970 si provë.

Harrisi tha gjatë debatit se komentet e Bidenit ishin “të lëndueshme për t’u dëgjuar”.

Joe Biden, senatori Bernie Sanders dhe Kamala Harris gjatë debatit primar presidencial demokrat të vitit 2020 në Atlanta.

Ajo gjithashtu e kritikoi Bidenin për kundërshtimin e tij ndaj përdorimit të autobusëve në vitet 1970 në terma personalë, duke theksuar se ajo ishte pjesë e klasës së dytë të studentëve në shkollën e saj në Kaliforni, e cila ishte e integruar racialisht përmes një politike që transportonte studentët me ngjyrë në shkolla me studentë kryesisht të bardhë.

Ndërsa Harrisi shihej brenda Partisë Demokratike si një yll në rritje, ajo përfundimisht u përpoq të merrte mbështetje të qëndrueshme në sondazhe gjatë kandidimit të saj presidencial. Harrisi u largua nga gara presidenciale në dhjetor të vitit 2019 – dy muaj përpara se të hidheshin votat e para paraprake. Në një shënim për mbështetësit e saj, Harrisi theksoi vështirësitë financiare të fushatës së saj si arsyeja kryesore e largimit.

Emërimi si Zv.Presidente

Në verën e vitit 2020, Bideni njoftoi se e kishte zgjedhur atë për të qenë në krahun e tij të djathtë, duke përmbushur premtimin e tij për të vendosur një grua si zv.presidente.

“Këtë mëngjes, anembanë këtij kombi, vajzat e vogla u zgjuan, veçanërisht vajzat e vogla me ngjyrë që aq shpesh mund të ndihen të neglizhuara dhe të nënvlerësuara në shoqërinë tone.”- tha Bideni. “Por sot, ndoshta, thjesht ndoshta, ato po e shohin veten për herë të parë në një mënyrë të re.”

Kur Bideni shpalli fitoren në nëntor të 2020-ës, Harrisi u bë zëvendëspresidentja e parë e zgjedhur që mbajti një fjalim fitoreje së bashku me presidentin e zgjedhur. Harrisi pranoi se ajo po bënte diçka që askush si ajo nuk e kishte bërë ndonjëherë.

Që në fillim të mandatit të saj si zëvendëspresidente, Bideni i caktoi Harrisit një çështje politikisht të mprehtë për administratën – të adresonte shkaqet themelore të emigracionit. Ajo gjithashtu mori mantelin e të drejtave të votës, një çështje që vazhdon të ndajë Uashingtonin sipas linjave partiake dhe ku asnjë legjislacion i madh nuk u miratua pavarësisht përpjekjeve të shumta. Pas vitit të saj të parë si zëvendëspresidente, zyra e saj pati gjithashtu disa largime të profilit të lartë, me shpërbërjen e stafit që çoi në shumë pikëpyetje rreth stilit të menaxhimit të Harrisit.

Vendimi i Gjykatës së Lartë në vitin 2022 për të përmbysur të drejtën themelore për abortin e vendosur në vitin 1973, ishte një pikë kthese për Harrisin. Ajo kishte qenë zëri i administratës për shëndetin e nënës dhe më pas u zgjerua më tej në të drejtat riprodhuese. Harrisi ka folur në terma më të qartë për kufizimet e aksesit të abortit sesa Bideni. Dhe ajo bëri histori këtë vit kur vizitoi një qendër shëndetësore që ofron aborte – duke shënuar herën e parë që një presidente apo zv.presidente amerikane ka vizituar një institucion të tillë ndërsa ishte në detyrë.

Në deklaratën e tij duke miratuar Harrisin që të jetë kandidatja e Partisë Demokratike për ta zëvendësuar atë në vitin 2024, Biden shkroi: “Vendimi im i parë si kandidat i partisë në vitin 2020 ishte të zgjedh Kamala Harrisin si Zëvendës Presidenten time. Dhe ky ka qenë vendimi më i mirë që kam marrë”.

Harrisi, Bideni dhe Jeff Say mbërrijnë për të folur për infrastrukturën e internetit me shpejtësi të lartë në Shtëpinë e Bardhë më 26 qershor 2023.

Historia e dashurisë me Doug Emhoffin

Të dy u takuan për herë të parë në vitin 2013 në një takim, që e kishte sugjeruar një mikeshë e përbashkët, Chrisette Hudlin.

Shoqja e saj i tha Harrisit se ajo kishte takuar një burrë “të lezetshëm” që jeton në Los Anxhelos që mendonte se ishte perfekt për të.

“Emri i tij është Doug Emhoff, por më premto se nuk do ta kërkosh në Google. Mos e mendo shumë.”– i thotë shoqja, citon media amerikane Today. “Vetëm takoje atë. Unë ia kam dhënë tashmë numrin tënd.”

Në një intervistë të vitit 2021 me median amerikane CBS News, Harrisi do të zbulonte se ajo në fakt e kishte kërkuar në Google përpara takimit të tyre.

Në librin e saj të kujtimeve, Harrisi ka treguar se disa ditë më vonë, Emhoff i dërgoi asaj një mesazh “të vështirë” ndërsa ai ishte në një lojë basketbolli me një mik dhe ata i dërguan shkurtimisht mesazhe përpara se të bënin plane për t’u lidhur në telefon ditën tjetër.

Të nesërmen në mëngjes, Emhoff e telefonoi Harrisin herët por duke qenë se ajo nuk u përgjigj, i la një mesazh zanor.

“Posta zanore, të cilën ende e kam ruajtur edhe sot e kësaj dite, ishte e gjatë dhe pak e zhurmshme. Ai dukej si një djalë i mirë, megjithatë, dhe unë isha e intriguar të mësoja më shumë.”– shkroi ajo. “Doug, nga ana tjetër, ishte shumë i sigurt se ai i kishte shkatërruar shanset e tij. Mënyra se si ai e tregon atë, ai mendoi se mesazhi i tij zanor kishte qenë katastrofik dhe se me siguri nuk do të dëgjonte më kurrë nga unë. Ai duhej të mbante veten që të mos telefononte përsëri, për të lënë një mesazh tjetër të gjatë duke u përpjekur të shpjegojë të parin.”

Të dy përfundimisht folën në telefon më vonë atë ditë dhe “biseda thjesht rrodhi“. Ata bënë plane për të ngrënë darkë në Los Anxhelos atë të shtunë.

Mëngjesin pas takimit të tyre të parë, Emhoff i dërgoi email asaj me të gjitha datat e tij të disponueshme për muajt e ardhshëm.

“Unë jam shumë i vjetër për të luajtur lojëra ose për të fshehur topin.”– i shkroi Emhoff në email. “Më pëlqen shumë dhe dua të shoh nëse mund ta bëjmë këtë.”

Siç shkruan revista People, Emhoffi i propozoi Harrisit në apartamentin e saj më 27 mars 2014, pas rreth një viti lidhje.

Emhoffi i kërkoi Harrisit të martohej me të “në mes të një bisede krejtësisht joromantike (ajo ishte duke zgjedhur mes pulës ose karkalecave).

Dyshja u martuan në një dasmë në gjykatë në Santa Barbara, Kaliforni, më 22 gusht 2014. Motra e Harrisit, Maya drejtoi ceremoninë, e cila u shoqërua nga një violonçelist. Mbesa e quajtur Meena, lexoi poezinë e Maya Angelou “Touched by an Angel” gjatë ceremonisë dhe çifti lexoi betimet e veta.

Foto nga dasma e Harrisit me Emhoffin

Harrisi kur takoi fëmijët e Emhoffit

Emhoff ishte martuar më parë me Kerstin Emhoff. Pasi u martuan në vitin 1992, çifti i atëhershëm mirëpriti dy fëmijë, Cole dhe Ella, përpara se të divorcoheshin në vitin 2008.

Në një artikull të majit të vitit 2019 për Elle, Harrisi u shpreh se donte t’i merrte gjërat ngadalë kur bëhej fjalë për takimin me fëmijët e Emhoff.

“Si një fëmijë i divorcuar, e dija se sa e vështirë mund të ishte kur prindërit tuaj fillojnë të takohen me njerëz të tjerë.”– shkroi ajo. “Dhe unë isha e vendosur të mos futesha në jetën e tyre derisa Doug dhe unë të kishim vendosur se ishim për një kohë të gjatë.”

Cole Emhoff, Douglas Emhoff, Kamala Harris dhe Ella Emhoff.

Në librin e saj, Harrisi tha se ajo dhe Emhoff pritën “rreth dy muaj” që ajo të takonte fëmijët pas takimit të tyre të parë, por në fund, fëmijët “nuk mund të ishin më mikpritës“.

“Ata janë fëmijë të shkëlqyer, të talentuar, me humor, që janë tani janë rritur dhe janë bërë të mrekullueshëm.”– tha ajo në esenë e Elle.

Harrisi dhe Emhoffi u martuan më 22 gusht të vitit 2014 në një ceremoni të vogël të drejtuar nga motra e vogël e Harrisit, Maya.

Fëmijët vendosën se nuk donin ta quanin “njerkë” kështu që ranë dakord të përdornin emrin “Momala”.

Harrisi dhe vajza e bashkëshortit, Ella

LËR NJË KOMENT

Klevi Metaj u përball i vetëm me 6 policë. Rrjeti është dominuar në fotoja e portretit të tij. Qëndresa e e Metajt ka tërhequr vëmendjen e komentuesve. Në protestën e...
/ Oct 13
Nga Dorian Matlija Gjatë gjithë jetës sime profesionale kam besuar te zgjidhja paqësore e konflikteve, te ligji dhe institucionet. Helbete, avokat hesapi dhe kështu i bie të mendoj në kohëra...
/ Oct 14
Gogo.al hap studion e podkastit duke ftuar një pjesëtar të audiencës sonë besnike, Olard Siqecën. Një qëndrim mbi Call Centerat i themelueses dhe gazetares Valmora Gogo, u bë shkak për...
/ Oct 12
“Sa më shumë polici, aq më shumë studentë” është parulla me të cilën studentët u bëjnë thirrje të rinjve t’i bashkohen protestës së sotme, më 14 tetor, në orën 14:00,...
/ Oct 14