E dekonspiroi shpejt maxhoranca dhe mediet afër qeverisë emrin e mjekut Ilir Alimehmeti si kandidat i opozitës për Bashkinë e Tiranës. Mjaftoi një përmbajtje që u kopjua nga të gjitha mediet me frymë pozitive mbi punët qeveritare që publiku të merrte vesh, para çdo njoftimi në kampin opozitar, emrin e një kandidati të mundshëm përballë “lalit punëmbaruar” socialist.

Ajo që spikaste qe prirja e medieve për të publikuar imazhin e tij të shtrembëruar në protestën e pedagogëve, duke nisur përnjëherë reklamën negative ndaj tij, me përkthimin: nuk ta mbush syrin.

Perceptimi i audiencave të rrjeteve sociale qe pak a shumë në mbrojtje të mjekut të njohur Alimehmeti, i cili duhet thënë, ka qenë ndër mjekët më profesionistë në trajtimin e ndjeshmërive publike të lidhura me pandeminë Covid19.

Alimehmeti gëzon reputacion të madh te publiku dhe kjo u vërtetua edhe në mbrojtjen që i bëhej punës dhe figurës së tij, përtej luftës së trolleve të propagandës qeveritare.

Por kjo nuk mjafton.

Mes reputacionit e besueshmërisë dhe kristalizimit të emrit të tij si rivali real përballë Veliajt “të pamposhtur” qëndron një hendek i rrezikshëm.

Në ditën e dekretimit të zgjedhjeve vendore nga presidenti Begaj, të cilat do të zhvillohen më 14 maj 2023, mjeku Alimehmeti nxitoi të shpërfaqte ambiciet konkrete të tij duke u shfaqur në televizionin afër PD-së së Berishës, “SyriTV”. Aty iu kujtua edhe dështimi i të singjashmit të tij, mjekut Halim Kosova.

Pas daljes në televizion Alimehmeti ka qartësuar edhe në rrjetet sociale që jo vetëm është angazhuar në politikë por edhe ka publikuar arsyen, për shkak të ikjeve masive të shqiptarëve nga vendi i tyre.

Po cili është ky hendek i rrezikshëm? Dakordësia e munguar jo vetëm e ish-kryeministrit Sali Berisha por edhe e kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

Fshehur publikisht pas “garës”, “primareve”, “ndershmërisë së konkurencës së kandidatëve”, teksa janë shpërfaqur edhe emra si Gert Bogdani apo Julian Deda, nuk kemi asnjë artikulim publik të mbështetjes që Berisha i jep realisht Alimehmetit dhe as ndonjë artikulim të Metës.

Nga ana tjetër, nxitimi i Alimehmetit për ta konfirmuar vetë publikisht kandidimin në televizionin afër opozitës, tregon se ka një nxitje për këtë vendim nga linja e Berishës, më së paku asnjë pengesë.

A po testohet në publik mjeku i njohur? A ka mbështetje totale të Berishës dhe Metës? A po priten prej tij gafa? A do luftojë opozita për një rival më politik? A ekziston mundësia që Meta të kandidojë vetë përballë Veliajt?

Janë këto pyetje që lindin në situatën kur nuk dihet se cili do jetë realisht kandidati opozitar në bashkinë më të rëndësishme të vendit.

Megjithatë, pyetja më e rëndësishme vazhdon të mbetet: A janë bashkë “ujqit e vjetër”, Berisha dhe Meta, në lojën e kontrollit të kryebashkiakut të mundshëm të Tiranës?!

Valmora Gogo është gazetare dhe lektore e Komunikimit dhe e Gazetarisë. Prej 17 vitesh ajo kontribuon në hapësirën mediatike në Shqipëri, duke nisur që prej gazetës Shekulli e deri te mediet online si Newsbomb.al, Shuplaka.al dhe Hashtag.al. Gogo mban gradën “Doktor në Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” dhënë nga Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, Universiteti i Tiranës. E fokusuar në kërkim dhe kryesisht në politikë, Gogo kujdeset në informimin e saktë të opinionit publik shqiptar.

Leave a Reply

  • (not be published)