
Kryeministri Edi Rama me një videomesazh nga selia e PS-së njoftoi se nga janari 2026, pensionet në Shqipëri do të rriten. Ai gjithashtu bëri me dije se projektbuxheti i vitit të ardhshëm i ka kaluar parlamentit për shqyrtim. Rama është shprehur se ndihet shumë i lumtur duke e cilësuar këtë mandat si mandatin e rritjes dhe të përvjetshëm të pensioneve.
“Mbrëmë i përcollëm Parlamentit projekt buxhetin 2026 dhe jam i lumtur ,se kam përdorur ndonjëherë këtë fjalë, por jam i lumtur të them që ky mandat do të jetë mandati i rritjes së përvitshme të pensioneve. Më në fund pikërisht sepse nuk jemi më ai vendi që me zor mbahej në këmbë por me një ekonomi të qëndrueshme që rritet çdo vit, mund të bëjmë atë që premtuam. Të rrisim çdo vit pensionet sipas objektivave. Nga janari, rritje e shtrirë muaj për muaj përmbi indesksimin e përvitshëm”, u shpreh ai.
Ai bëri me dije edhe shifrat. “Pensioni urban me vite të plota pune të shkojë 40.000 lekë nga 27 350 që është sot. Pensioni urban i pjesshëm të shkojë mesatarisht 22.000 lekë nga 15 850 që është sot. Pensioni rural të shkojë 18 mijë lekë nga 11.500 lekë që është sot. Pensioni familjar të shkojë 18000 lekë nga 11.400 që është sot. Në vitet në vijim shifrat do të dy-fishohen, trefishohen dhe katërfishohen vit pas viti. Ky jam unë, këta jemi ne. Themi atë që bëjmë dhe bëjmë atë që themi”.
Çfarë është thënë deri tani?
Në vitet e fundit, Rama ka bërë disa deklarata të ngjashme për pensionet. Në 2023 ai premtoi “dy rritje në vit për pensionistët”, ndërsa në fillim të 2024 tha se “pensionet do të rriten çdo janar”. Megjithatë, përfitimet kanë qenë të ndryshme për kategori të ndryshme, dhe shumë pensionistë që kanë dalë në pension para 2014 vazhdojnë të ndihen të lënë pas dore.
Ndërkohë, kryeministri solli në vëmendje se sot disa kategori, si mjekët, mësuesit dhe ekonomistët që kanë dalë në pension pas reformës, marrin mbi 500 euro në muaj, ndërsa kolegët e tyre që dolën më herët marrin shumë më pak. Kjo pabarazi, siç pranoi vetë ai, mbetet ende një plagë që nuk është mbyllur plotësisht.
Nëse rritja e kontributeve dhe premtimet për një indeksim mujor të pensioneve do të zbatohet realisht, mbetet për t’u parë. Por një gjë është e sigurt, pensionistët kanë dëgjuar shumë premtime ndër vite dhe tani presin që fjala e dhënë të kthehet në vepër.


