
Mbretëria e Bashkuar do të ofrojë 5 milionë paund për të ndihmuar institucionet qeveritare të frenojnë fluksin e migrimit të paligjshëm nga Ballkani Perëndimor drejt Europës, si dhe për të luftuar së bashku krimin e organizuar që mundëson trafikimin e emigrantëve. Financimi pritet të ofrojë trajnim dhe ekspertizë britanike, për të forcuar shkëmbimin rajonal të informacionit dhe për të ndaluar shfrytëzimin e punës së migrantëve. Ndihma e re mbështetet në mbi 100 ndërhyrje ndaj migrantëve të kryera prej qershorit të vitit 2026, duke forcuar shkëmbimin e inteligjencës dhe veprimet kundër krimit të organizuar të emigracionit.
Para Samitit që po mbahet në Mal të Zi, Ministri i Shtetit për Europën i Mbretërisë së Bashkuar, Lordi Wood i Anfield, tha: “Bandat kriminale e kanë shfrytëzuar Ballkanin Perëndimor për shumë kohë, duke përfituar nga njerëz të pambrojtur dhe duke vënë në rrezik jetë njerëzore. Së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë, ne po i ndalojmë këto rrjete. Por nuk mund të jemi të vetëkënaqur. Me financimin e ri britanik, ne po forcojmë këtë përpjekje për të luftuar trafikantët dhe për të forcuar sigurinë kolektive të Europës.”

Ndihma e re mbështetet në punën e suksesshme të personelit britanik dhe forcave të zbatimit të ligjit në rajon, nëpërmjet Task Forcës së Përbashkët të Migracionit (JMTF), e cila bashkon specialistë nga vende të ndryshme të rajonit për të hartuar dhe zbatuar operacione për të zbuluar, parandaluar dhe ndërprerë migrimin e paligjshëm.
Ballkani Perëndimor është një rrugë kyçe kalimi e përdorur nga kriminelët, por veprimi ndërkombëtar i Mbretërisë së Bashkuar po e bën atë më pak të qëndrueshme për trafikantët dhe migrantët e paligjshëm. Agjencia e kufirit e BE-së, Frontex, regjistroi 12.528 kalime të paligjshme nga Ballkani Perëndimor vitin e kaluar, një ulje e ndjeshme nga 144.197 në vitin 2022.
Në deklaratën e shpërndarë nga Ambasada britanike në Tiranë sqarohet se qeveria e Mbretërisë së Bashkuar është e përkushtuar të rikthejë kontrollin e kufirit dhe të sigurojë se ata që lehtësojnë emigracionin e paligjshëm drejt Mbretërisë së Bashkuar të përballen me drejtësinë. Ka pasur një rritje prej 74% të arrestimeve për emigracion të paligjshëm bilanc ky nga viti 2025 deri në mars të 2026. Sipas ambasadës, kjo qeveri do të punojë ngushtë me partnerët ndërkombëtarë për të mbrojtur kufirin deri në hallkën e fundit të migrimit, duke konfiskuar pajisjet e varkave të vogla dhe duke ndaluar bandat para se të kenë mundësi të veprojnë.
I njohur zyrtarisht si “Procesi i Berlinit”, Samiti bashkon liderët e Ballkanit Perëndimor me ministra nga vende të tjera europiane, për të rritur bashkëpunimin në të gjithë rajonin, për të promovuar stabilitetin dhe sigurinë dhe për të mbështetur integrimin më të ngushtë europian. Para mbajtjes së Samitit në vitin 2025, Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar identifikoi një bandë kosovare që trafikonte emigranrë sipas Regjimit të Sanksioneve të Migracionit të Mbretërisë së Bashkuar – e para e këtij lloji në botë – duke çuar në arrestimin ose dorëzimin e shtatë anëtarëve të saj tek autoritetet lokale.


