
Ndërsa Partia Demokratike nuk ka kryer ende një analizë të plotë për humbjen e zgjedhjeve të 11 majit, brenda saj kanë nisur sinjalet e pakënaqësisë dhe lëvizjet për rifreskimin e strukturave.
Ish-deputeti Ervin Salianji organizoi një takim tre-orësh me më të votuarit e listave të hapura dhe fituesit e primareve në një lokal në Tiranë. Në këtë mbledhje morën pjesë figura të njohura të PD, si: Ilir Alimehmeti (më i votuari në Qarkun Tiranë), Hysen Kadiu (primaret), Aulon Kalaja (Durrës), Gent Cela (Fier), Qani Xhafa (Elbasan), Ted Kopliku (Shkodër), Xhemal Gjunkshi (Dibër), Alma Kore (Gjirokastër), Pardid Mahmutaj (Berat), Nada Daullja (Vlorë),Gentian Çela.
Salianji, theksoi se PD-ja ka nevojë për një analizë reale të problemeve dhe për ripërtëritje, duke vlerësuar meritokracinë dhe kontributin e figurave të spikatura. Ai shtoi se fakti që takimi u bë lajm tregon “urinë e demokratëve për vlerësim dhe analizë reale” brenda partisë, duke nënvizuar se në politikë “vota përcakton hierarkinë dhe peshën” dhe asnjë mekanizëm tjetër “hileqar” nuk mund ta zëvendësojë këtë.
Nga sa dihet deri më tani qëllimi i takimit ishte dëgjimi i mendimeve dhe eksperiencës së fituesve, si dhe identifikimi i mënyrave për të rifreskuar frymën dhe strukturën e partisë, duke vënë në qendër rikthimin e ADN-së fituese, promovimin e meritokracisë, hapjen e strukturave dhe forcimin e besimit qytetar.
Ilir Alimehmeti theksoi në këtë mbledhje nevojën për ndryshim, duke nënvizuar se “po ndiqen modele të gabuara” dhe se është koha për të rikthyer frymën fituese brenda partisë.
Aulon Kalaja deklaroi që, sipas tij, mbledhja nuk përbënte “lëvizje të re”, fraksion apo tentativë për parti të re por ishte thjesht “një kafe miqësore” midis demokratëve me vota të shumta, ku u diskutuan sfidat dhe pritshmëritë për të ardhmen e Partia Demokratike.

Për këtë mbledhje ka pasur edhe reagim nga Sali Berisha i cili ka qenë i qetë dhe i matur, ai theksoi se takimet në kafe apo informale nuk përbëjnë lajm, dhe çdo demokrat ka vendin e vet për të shprehur mendimin. Berisha vuri në dukje se PD-ja është partia më e hapur dhe demokratike në vend, ku diversiteti i opinionit ka ekzistuar gjithmonë dhe do të vazhdojë të ekzistojë. Ai gjithashtu nënvizoi se figurat si Salianji dhe Alimehmeti kanë instancat përkatëse ku mund të shprehin mendimet e tyre pa krijuar destabilitet në parti.
Megjithatë, ky grupim nënvizon tensionet brenda PD-së, pasi disa demokratë shprehin pakënaqësi për drejtimin e Berishës dhe mënyrën se si janë administruar listat e deputetëve dhe procesi i primareve. Pavarësisht se nuk ka një sfidë të hapur ndaj kryetarit aktual, lëvizja mund të shërbejë si një mesazh për nevojën e rifreskimit të frymës dhe strukturave brenda PD-së, duke treguar se disa nga më të votuarit dhe aktivistët e shquar kërkojnë më shumë hapësirë për të kontribuar në vendimmarrje.


