
Inteligjenca Artificiale është një realitet në punën e gazetarëve, deri në procese rutinë, por a do kemi në të ardhmen gazetarë që ulen në redaksi e ndërtojnë lajmin apo analizojnë targetin e caktuar të një produkti mediatik? Në vitet e ardhshme parashikohet shtim i numrit të përmbajtjeve që mund të gjenerohen me AI si edhe një sofistikim i algoritmeve për të rekomanduar lajme, po të gjitha këto nuk duhen kuptuar se AI do zëvendësojë gazetarinë cilësore, por ajo që duhet theksuar është fakti se ajo do e transformojë mënyrën si do realizohet kjo lloj gazetarie. Një shumicë në shifra të konsiderueshme, deri në 80% të të anketuarve janë të bindur se AI nuk mund të zëvendësojë gazetarët, ndërsa një pjesë prej 20% besojnë se AI ka potencialin të zëvendësojë gazetarët dhe redaktorët.
Duke iu përgjigjur pyetjes se si e parashikojnë të ardhmen e tregut mediatik të ndikuar nga Inteligjenca Artificiale dhe çfarë ndryshimesh presin në vitet e ardhshme, të anketuarit e shohin ndërhyrjen e AI-t në personalizimin e përmbajtjes, automatizimin e prodhimit dhe përshpejtimin e shpërndarjes së lajmeve. Një tjetër efekt që parashikohet të ndodhë është ndryshimi i roleve në punë dhe një pikë delikate është etika, dezinformimi dhe të drejtat e autorit, për të cilat do kërkohen më shumë trajnime dhe informacion i detajuar mbi AI. Redaksitë e Ballkanit Perëndimor e konsiderojnë sfidë të punës automatizimin dhe ruajtjen e cilësisë.
Në studimin e autoreve Valmora Gogo dhe Jona Kaso me titull: “Ndikimi i Inteligjencës Artificiale mbi gazetarët në Ballkanin Perëndimor, Avantazhet dhe Sfidat”, citohet se: “Disa të anketuar nuk janë të sigurt se çfarë do të ndodhë, duke theksuar se: “…është e vështirë të imagjinohet çfarë vjen përtej AI, sepse ajo ka tejkaluar kapacitetin mendor njerëzor, por gjithsesi besoj se inteligjenca artificiale nuk mund të zëvendësojë gazetarinë e vërtetë” ose “ndoshta disa procese njerëzore mund të zëvendësohen”, ose “inteligjenca artificiale do të zëvendësojë gazetarët në të ardhmen e largët”. Në përfundim ndër të tjera, autoret Gogo e Kaso vërejnë se: “Gazetarët dhe mediat në rajonin e Ballkanit ende kanë njohuri të kufizuara për inteligjencën artificiale dhe përfitimet që mund të marrin nga përdorimi i saj në punën e përditshme”.


