
Pas propozimit të mazhorancës për Reformën e re Territoriale që shkaktoi një valë protestash në 15 bashkitë që mund të shkrihen, këtë të mërkurë Kryeministri Rama zhvilloi një takim në Kuç të Vlorës me të gjithë kryebashkiakët socialistë. Takimi me dyer të mbyllura zgjati për rreth 4 orë e gjysmë, kurse të pranishëm veç kryetarëve të bashkive ishin edhe ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor Ervin Demo, si dhe bashkëkryetari i Komisaionit për Reformën Territoriale, Arbjan Mazniku.
Komisioni i posaçëm nuk dorëzoi asnjë draft propozimesh, kurse mazhoranca socialiste kërkon reduktimin nga 61 në 46 bashki, ndryshe nga Partia Demokratike që kërkon shtimin e tyre, duke propozuar 100 bashki.
Drafti u është dorëzuar të gjitha bashkive të vendit, kurse pritshmëritë nga takimi ishin propozimet e kryebashkiakëve për hartën, bazuar te konsultimet me qytetarët.
Projekti është kundërshtuar në shumicën e bashkive që janë propozuar për t’u shkrirë me bashkitë më të mëdha, ku më të zhgënjyer kanë qenë vetë socialistët që kanë djegur edhe teserët e anëtarësisë së PS-së. Po ashtu, këshillat bashkiakë në Klos, Dimal, Poliçan etj., javë më parë thirrën mbledhje të jashtëzakonshme, kurse kryetarët e bashkive u zotuan se do të bëjnë dëgjesa publike me banorët e të gjitha njësive. Në kundërshtim të këtij drafti kanë dalë edhe nëpunësit e administratës së 15 bashkive, të cilët kanë bojkotuar punën.
Edhe për qytetarët, kjo nismë është parë si propozim i padrejtë, me arsyetimin se do të përkeqësohet marrja e shërbimeve për ta.


