
Nga Ervin Kaçiu
Për herë të parë përgjatë tranzicionit shoqëria po apelon regjimin dhe establishmentin duke manifestuar e kultivuar njëkohësisht përmasën e munguar të vetëdijes politike. E gjithë struktura e pushtetit është dekonstruktuar në sheshin e protestës (fizike dhe virtuale) jo vetëm përmes denoncimit të të gjithë spektrit të problemeve (nga mungesa e shërbimeve bazike e deri te shkatërrimi i natyrës) por qartësisë në identifikimin e burimit të përhershëm. Nga ana tjetër, qëndrueshmëria e protestës është tejkalim i këtij stadi duke u shndërruar në pjekuri politike, për sa rutinizimi i rezistencës nuk është vetëm shprehje e një pakënaqësie zanafillore por akti më i plotë politik i përpjekjes për rrëzimin e regjimit dhe establishmentit që e riprodhon vazhdimisht. Ndaj, faza e saturimit të protestës është edhe sprova më e vështirë sepse inercia emocionale duhet të zëvendësohet nga racionaliteti i të domodoshmes, për sa nuk kemi heq dorë nga aspirata për ta bërë këtë vend normal.
Demokracia si pjesëmarrje, madje si mënyrë jetese është po aq e rëndësishme sa krijimi i kushteve formale të demokracisë, aq sa nuk mund të ekzistojnë pa njëra-tjetrën. Kemi jetuar shumë gjatë në një gjasme demokraci, një demokraci pa qytetarë. Kemi bërë zgjedhje pa patur mundësi të zgjedhim, ligje e politika pa përfshirje, me pak fjalë një shtet që e përjashtoi individin deri në masën që e tëhuajzoi prej vetë të përbashkëtës. Thënë ndryshe, ngrehina formale e demokracisë ka ekzistuar prej kohësh por ka qenë krejt e boshatisur nga brenda.
Ndaj për këdo që e redukton demokracinë në një kalkulim banal shifrash duhet të kujtohemi që elektorat ishim, tani po bëhemi qytetari që po mëson të ushtrojë rolin që i takon, gjë që me gjasa në perspektivë duhet të na bëjë më të përgjegjshëm edhe si zgjedhës. Brenda qerthullit të keqkuptimit politik se zgjidhjet gjenden vetëm brenda zgjedhjeve jetuam shumë vite të tjera në autokraci. Cfarë kuptimi ka të zgjedhësh kur zgjedhjet si proces dhe zgjedhësi si subjekt janë plotësisht të kushtëzuar. Nga kushtëzime bazike si pamundësia për të bërë realisht zgjedhje të ndershme e deri te klima e mosbesimit se vota ime nuk ndryshon asgjë. Rrugës së gjatë të tranzicionit humbëm parimin themelor të shtetit modern, qytetarin si burim i legjitimitetit politik, dhe sheshi ka mbetur e vetmja mundësi për ta rikthyer.

Nga revolta në kërkim të lirisë politike kemi përftuar shumë më tepër, qënien që e vendos në krizë përfytyrimin historik vetëafsiksues si paaftësi politike e shkruar në ‘adn’, duke vendosur një koordinatë të re në kulturën tonë politike. Kjo është edhe arsyeja kryesore se përse nuk ka aspak rëndësi se kush vjen më pas në momentin që qytetari mëson të vendosë për veten.
Si rezultat i këtij rrugëtimi propaganda dhe në tërësi hegjemonia diskursive e pushtetit që e mbante shoqërinë nën dhunën e algoritmit, ka pësuar fraktura serioze. Nuk arrin më të depërtojë te shoqëria dhe madje është lëvruar një gjuhë e re politike që e ka përjashtuar diskurin e pushtetit jo vetëm si të vjetëruar por të zhveshur nga domethëniet e përbashkëta.
Është në krizë të thellë cdo mbështjellje kuptimesh të realitetit, që normalizohej nga pushteti dhe përvetësohej nga shoqëria si normalitet. Një nga arritjet më të rëndësishme të një lëvizje shoqërore është ndryshimi i kategorive të perceptimit dhe përkufizimeve legjitime mbi botën dhe kjo potencialisht nuk mund të ç’bëhet. Rezistenca për Bourdieu fillon atëherë kur kundërshtohen kategoritë e ndërtuara nga grupet dominuese të legjitimes, normales, devijancës, të denjës etjetj.
U rifitua rëndësia e një jete me dinjitet duke përcaktuar vijën e demarkacionit moral. Ishte imponuar prej vitesh alibia e një shoqërie të korruptuar që justifikonte gjallimin e cdo instance të korruptuar pushteti sipas parimit të së keqes më të vogël duke normalizuar në këtë mënyrë të keqen në vetvete. Nuk është se u zgjuam një ditë më të ndershëm por shpalosjes së aspiratës së fjetur për një jetë më të drejtë i duhej clirimi i vullnetit politik. Qartësimi i kufirit e ka thjeshtuar gjykimin politik për këdo, duke shmangur cdo formë relativizimi, je për një shtet të drejtë dhe një jetë bazuar në dinjitet apo për të kundërtën.
Me shpresë, në këtë proces të kthjellimit politik ju zbeh fuqia edhe mendësisë së kultit të individit. Në ditët e para të protestës, mbaj mend një ‘2 metra burrë’, në fundin e të 50-ve që bërtiste duam emra duam emra…. Atë ditë iku i zhgënjyer e me gjasa s’është kthyer më në protestë ose është kthyer krejt i habitur se si mund të ekzistojë një botë pa enverin e radhës. Një nga kritikat më të zakonshme ndaj protestës ka qenë mungesa e një lideri apo lidershipi politik. Shpalosje e disa shtresëzimeve të kulturës politike të trashëguar nga komunizmi dhe tranzicioni traumatik që gjen prehje në konspiracionin bashkëkohor. Sipas kësaj kozmologjie politike, nuk mund të kuptohet asnjë ekzistencë politike pa një lider apo lidership të fortë por edhe nëse ndodh që të na shfaqet është me rëndësi të zbulojmë se cilat janë forcat e errëta globale që fshihen pas atij apo atyre. Ndërkohë që deri më tani e kundërta e kësaj bindjeje, ruajtja e horizontalitetit të protestës, ka qenë një tjetër vlerë që kemi përftuar nga kjo lëvizje. E provuam me ‘lider të fortë’ që i premtuan parajsën këtij populli dhe përfunduam në riciklimin e përhershëm të formave të reja të autokracisë. Mirë, mirë por si do të bëjmë thotë racionalizmi semplist, që i redukton njerëzit në numra dhe demokracinë në një strukturë burokratike. Përgjigja e thjeshtë logjike është thënë me kohë nga shumë individë, të krijojmë parakushtet për një vend normal dhe një klasë politike normale. As në demokraci nuk ka garanci absolute që të mos shfaqen rrugës autokratë pavarësisht rregullimeve formale, sepse gjithcka mund ti nënshtrohet intepretimit, ndaj i vetmi ‘rojtar’ sikurse dihet, mbetet qytetari i angazhuar që supozohet të fitojmë me këtë lëvizje shoqërore.

Në këtë lëvizje afirmimi i potencialit politik të qytetarit ka shfaqur edhe një trajtë të re të sovranit dhe sovranitetit të artikuluar në shesh dhe përtej tij. Demokracia dhe drejtësia nuk mund të transplantohen por vetëm të fitohen e kultivohen nga vetë shoqëria duke i sugjeruar edhe ndërkombëtarëve një këndvështrim të ri mbi shqipërinë. Ndaj sheshi ka shpalosur refuzimin e stabilokracisë dhe aderimin në BE jo si lëmoshë por idealisht si rrugëtim për përvetësimin e të njëjtit sistem vlerash.
Këto janë disa prej tipareve të arkitekturës së shpirtit politik që mendoj se kemi përftuar nga ky revolucion dhe sikur vetëm këto (pa përmendur të tjera), mendoj se nuk janë pak.
Në momentin që rrëzohet ligjërimi, morali, besimi, modeli i qeverisjes e për rrjedhojë legjitimiteti, autoriteti politik brenda dhe jashtë vendit ka rënë ndaj precipiton vetëm pushteti që mbahet përmes regjimit. Kjo e fundit do kohë, ndaj për mendimin tim s’duhet me u lodh se ska rrugë tjetër vec sheshit që mban gjallë tensionin mes të moralshmes dhe të pamoralshmes, të vërtetave dhe të pavërtetave, qytetarit politik dhe patronazhistit, shumicës dhe pakicës, deri në arritjen e qëllimit final.
Ne nuk u bezdisëm 35 vite nga rutina e nënshtrimit, e përjashtimit dhe e largimit masiv nga vendi pse duhet të bezdisemi nga rutina e rezistencës.
Natyrisht po shfaqen edhe kthina e kthesa herë të errëta e herë me dritë. Por kjo që ka ndodh e me gjasa do të vijojë, është shumë më tepër se përkatësitë, besimet, bindjet, doktrinat a dogmat, identitetet e gjithcka tjetër është e rëndësishme për njeriun në sferën publike. E gjithë kjo materie politike është e mundur të marrë formë e të përballet seriozisht në një dialektikë normale në kushtet e lirisë ndërsa në kushtet e autokracisë të gjitha përpëliten në një gjasme ekzistencë. Për kujtesë, i forti me pushtet politik. në lagje, katun apo qytet vijon të vendosë për jetët tona. Mos harrojmë gravitetin e banalitetit të së keqes që gjendet kudo, ndërkohë që fluturohet me ose pa vetëdije dhe madje me ose pa dije në projeksione dogmatiko-populiste që në këndvështrimin tim në cdo rast do të ishin një problem serioz.

Sikurse edhe dihet, ndarjet, keqkuptimet, moskuptimet e deri te mospranimi i njëri-tjetrit janë normaliteti i një shoqërie plurale dhe bëhen edhe më të pranishme KUDO sa herë që merr jetë ndonjë revoltë shoqërore, por thelbi është të mësohemi të administrojmë veten në funksion të një kauze të përbashkët, (nëse me shpresë jemi vërtetë gati për këtë). Në vështrimin tim të gjitha këto shprehi politike kanë qenë ndër ne dhe nuk po i prodhon protesta, sepse në një formë apo tjetrën do ta gjenin rrugën për të dalë në sipërfaqe. E rëndësishme është të mos lejohen të shkatërrojnë cka u ndërtua në 89 ditë.
Mosbesimi ndaj tjetrit, si kulturë e trashëguar nga komunizmi, e kultivuar për shumë arsye gjatë postkomunizmit dhe e instrumentalizuar nga cdo lidership politik në funksion të pushtetit motivon përjashtimin e të kundërtës dhe jo bashkëjetesën përmes përballjes ndaj është edhe pengesa e fundit që duhet kaluar. Jo rastësisht taktika më e qëndrueshme e pushtetit për shuarjen e protestës vijon të mbetet përçarja përmes konspiracionit kombinuar me taktika të tjera.
Në kushtet e lirisë politike shohim c’do bëjmë pasi është e mundur të ketë debat dhe përballje të vërtetë dhe një hapësirë ku mundet të kujdesemi me sa mundemi që të fitojë alternativa më e drejtë, por së pari na duhet me e kriju atë kusht.
Në shesh dhe përtej tij po kërkohet një vend normal pa një qeverisje dhe autoritet politik që mbështetet në oligarki, kriminalitet dhe korrupsion. Por për ta realizuar këtë qëllim duhet krijuar shtrati që e bën të mundur ndaj dhe akti më i arsyeshëm e i matur i mundshëm ku mund të bëhemi bashkë ndërkohë që vijon debati i botëkuptimeve, janë kërkesat e shtruara që në ditët e para të protestës me synim plotësimin e disa parakushteve që do ta bënin të mundur themelimin e parimeve të një kontrate të re sociale. Pa këto parakushte, ne do të vijojmë të riprodhojmë të njëjtin regjim, e me këtë të fundit të njëjtën strukturë pushteti.
Ndaj e vetmja zgjidhje si faza e fundit e tranzicionit, mbetet sheshi i revolucionit paqësor, i banuar nga sa më shumë qytetarë, që të sheshojmë ndasitë e qëllimshme e të paqëllimshme dhe cdo formë radikalizmi politik. Pas kësaj me gjasa përftojmë kushte të reja të gjallimit të politikes dhe njëkohësisht instancën më të rëndësishme për jetësimin e demokracisë, qytetarin që me shpresë nuk do të lejojë që të mbijnë më në këtë tokë regjime të ngjashme apo cdo formë tjetër e keqqeverisjes.





