
Diaspora iu bashkua protestës në ditën e 42-të. Ata e kanë bërë të qartë se do qëndrojnë deri në largimin e Edi Ramës nga qeveria. Florian Haçkaj njëri prej organizuesve të diasporës në Zvicër tha se tubimet do vazhdojnë. Ai u dha kurajo qytetarëve duke u shprehur se qeveria po përpiqet të intimidojë qytetarët përmes publikimeve në rrjetet sociale. Haçkaj tha se protestuesit nuk kanë frikë dhe do të vijojnë kundërshtimin e tyre. Ai bëri të ditur se organizata “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”, ka depozituar një padi në Gjykatën Kushtetuese për fondin prej 4.2 milionë eurosh, për koncertin e Kanye Westit. Në fjalime aktivistët shprehën pakënaqësitë për fondin e shpenzuar për koncertin. “I gjithë shteti është vënë në funksion të tij”, tha njëri prej folësve duke nxitur qytetarët me thirrjen “Rama jepe dorëheqjen!”, që zërat e tyre të dëgjoheshin deri te stadium në Kashar ku bëhej koncerti. “Edhe autobusat kishin marrë emrin e Kenye West. Edhe autobusat që nuk vijnë asnjëherë për qytetarët. Transporti publik që nuk është kurrë aty për qytetarët.”
Në marshimin e tyre në rrugët kryesore të Tiranës qytetarët janë ndalur para kuvendit. Protestuesit kanë hedhur thirrje kundër politikës së vjetër dhe institucioneve shtetërore. “Parlament i krimit”, “Ju erdhi fundi”, ata kanë akuzuar deputetët e partive të vjetra si të lidhura me rrënjët e komunizmit. Sipas tyre vendi është keqqeverisur dhe keqmenaxhuar. Aktivisti Visuar Dalipi ka paralajmëruar protesta më datë 23 korrik, kur do jetë edhe seanca e fundit plenare e kuvendit.
Lexo edhe: Diaspora vjen për protestë, policia bllokon rrugët për koncertin e Kanye Westit
Ndërsa në Tiranë vijojnë protestat prej 42 ditësh, në stadiumin e ri në Kashar, këngëtari Kanye West ka mbajtur koncertin e tij. Sipas A2CNN koncerti filloi me vonesë pasi kishte ende shumë vende bosh në stadium. Kostoja e eventit është komentuar nga qytetarët në rrjete sociale, ndërsa atyre u është përgjiur kryeministri Edi Rama duke thënë se: “Kjo shumë nuk duhet parë si shpenzim për një natë, por si një investim që, sipas tij, do të rikthehet përmes rritjes së numrit të turistëve, konsumit dhe të ardhurave për ekonominë.”


