
“Para se Sara Mila të na viktimizohet për peshën, të na tregojë si arriti t’i marrë ato mijëra votat, pa patur asnjë kontribut në politikë!” -gazetarja Klodiana Lala pyet deputeten socialiste Sara Mia duke shtuar se: “Rrjeti i patronazhistëve kërcënues të Sara Milas, super deputetes së Elbasanit që nuk arrin të shpjegojë dot sesi mori mijëra vota (nga krimi, me shantazhe apo i bleu) është i frikshëm”. Harron e ngrata që kësaj here i ka hasur sharra në gozhdë, se nuk trembem nga laraskat…”
Mila i përgjigjet Lalës, për kërcënimin, por nuk jep asnjë sqarim për numrin e lartë prej 22 600 votash. “Trego publikisht kush të ka kërcënuar. Trego me emër dhe mbiemër kërcënuesit. Trego çfarë të është thënë. Dhe mbi të gjitha, sqaro publikisht: ç’lidhje ka emri im me këtë çështje? E përsëris, besoj tek guximi yt. Trego gjithçka publikisht. E nëse kjo nuk është e mundur për arsye të tuat, të inkurajoj t’i drejtohesh organeve të drejtësisë dhe të denoncosh çdo kërcënim, çdo provë dhe këdo që qëndron pas tyre”.

Në brenda pak ditë Mila është shfaqur në disa ekrane televizive, ku është prekur edhe çështja e votave. E ftuar në panelin e emisionit “Vajza dhe gra”, Milas i është kërkuar nga moderatorja Rozana Radi t’i tregojë batutën më të veçantë që i ka thënë kreu i qeverisë, Rama. Duke e lidhur më çështjen e votave ajo thotë se Rama ka shumë humor dhe i është drejtuar në mbledhje duke i thënë: “Ku je o përfaqësuesja e krimit të Elbasanit?”
Në podkastin me gazetaren Luljeta Progni, në “Tema”, Mila është shprehur se pret që gazetarja Klodiana Lala të jetë shumë profesioniste edhe në këtë aspekt. “Në një akuzë që është bërë dje nën emrin tim se ajo është kërcënuar apo është ndjerë e kërcënuar nga persona që lidhen me mua, unë do të dëshiroja shumë që ajo të tregonte mbi integritetin e saj si gazetare, por edhe si grua dhe të mundet që ta bëjë publik këtë skandal të madh!”-tha Mila.
Duke u kthyer te i gjithë thelbi i debatit, si ajo i ka fituar aq shumë vota, Mila tha: “Unë nuk di nëse ndonjë deputet tjetër do mund t’i kthejë përgjigje pyetjes se si i ka marrë votat që i ka marrë, se kjo është një pyetje që nuk do ta konsideroja pyetje. Kjo është një pyetje për të të vënë në vështirësi për gjëra që ti i ke në mendje, por që nuk ekzistojnë”..
Deputetja i ka sugjeruar Lalës t’i drejtohet institucioneve si KQZ-ja, për të verifikuar mandatin e saj. Më tej Mile e quan si “dëmtim të imazhit” nga Lala duke u shprehur pa fakte dhe diçka konkrete… Po kthehet në një situatë tragjiko-komike ku nuk po ndaj më ku është e vërteta, ku është batuta, ku është ironia dhe çfarë arrihet me gjithë këtë tymnajë”, shtoi ajo.
E pyetur nga Progni nëse për kërcënimet që Lala ka marrë nga ndjekësit e Milas, ajo tha: “T’i publikojë se nuk ka gjë konkretë. Pra publikisht nuk ka ndonjë kërcënim. Unë e inkurajoj Klodianën dhe t’u shkojë deri në fund!”
Në një hark të shkurtër kohor ajo është shfaqur në një tjetër intervistë, në “Top News” me Anisa Bahitin. Gjatë një udhëtimi me makinë, deputetja socialiste komentoi një video të kreut të PD-së Sali Berisha i cili e quan “Princesha e burgut të Elbasanit, nga 102 vota të vlefshme, Sara Mila mori 92.” “Sulmi ka qenë në maksimumin e tij dhe i dirigjuar nga një kryetar non grata që ka moshën e gjyshit tim të ndjerë e ky e pastë jetën e gjatë. Si themi në shpesh te partia jonë: “Na duhet ky, ky na duhet neve aty!”-përgjigjet ajo.

Duke u kthyer të akuza e opozitës, thotë: “Unë nuk e kam trajtuar kurrë atë kuti, si një kuti të veçantë, krahasimisht më të gjitha kutitë e tjera të votimit në të gjithë qarkun e Elbasanit. Ka pasur një marzh të njëjtë me shumicën e të gjitha kutive kur janë numëruar në të gjithë qarkun e Elbasanit. Pa diskutim 22 600 votat që emri im ka grumbulluar, nuk kanë qenë vota vetëm për Sarën, por kanë qenë vota për kontributin e familjes time të përbërë nga sipërmarrës të hershëm qoftë të familjes time bërthamë, po ashtu sikundër edhe familjes time që unë sot jam nuse”.
Mile shkon edhe në detaje, kur thotë se: “Ka qenë një votë për Sarën si vajzë e re dhe ndoshta e papërlyer, ka qenë një votë për një shpresë të re dhe një frymë që për hir të së vërtetës u krijua në qytetet, frymë e mirë, pa cilën unë nuk do e kasha një karrige në parlamentin e Shqipërisë”. E pyetur nga Bahiti se si ndihet kur ato komente i vijnë nga kreu i opozitës me 30 vite në politikë, Mila tha: “Ai e di shmë mirë të vërtetën e ai është shumë i bindur për të vërtetën, por i duhet të gjejë një alibi, i duhet që të kapet diku, por humbi shumë thellë në fakt në qarkun e Elbasanit, që nuk i erdhi as nga Sara e as nga kolegët e mi, se PS-ja ka ruajtur të njëjtin marzh votash si 4 vite më parë, por i erdhi pikërisht nga largimi i elementeve të tij shumë të mirë, të listës së PD-së, bëri një listë skandaloze me njerëz të papreferuar nga demokratët.”-tha Mila, pa u lexuar kërkund si u fituan votat.


