
Plot 21 deputetë kanë humbur ose dorëzuar mandatin gjatë kësaj legjislature të Kuvendit. Tre të tjerë janë në diskutim për t’ju hequr mandatin, Sali Berisha, Olta Xhaçka dhe Vullnet Sinaj. Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Studimeve Politike, një pjesë e deputetëve kanë dorëzuar mandatin lidhur me hetimet e SPAK-ut ndaj tyre, për shkak të përfshirjes së tyre në listën non grata të SHBA-ve apo dënimeve nga gjykatat. Të tjerë kishin motive më personale apo biznesi.
“Në mandatin e tretë të PS-së në qeverisje dhe në legjislaturën e 10-të të tranzicionit, kemi 21 deputetë që kanë ndërprerë kontratën e besimit me qytetarët votues (2021) dhe 3 të tjerë që mund ta humbasin mandatin në muajt e ardhshëm. Në total, rreth 160 mijë vota ose rreth 10% e votave të dhëna më 2021 nuk përfaqëson më në parlament. Disa dhanë dorëheqje menjëherë pas zgjedhjes (informacione paraprake për hetim nga SPAK, për qenie në listën e zezë amerikane apo arsye të tjera të komoditetit personal), disa dhanë dorëheqje gjatë mandatit duke iu rikthyer bizneseve më fitimprurëse, disa u detyruan të japin dorëheqje pas skandaleve personale apo familjare dhe disa u detyruan për shkak të hetimeve nga SPAK apo dënimeve nga sistemi i drejtësisë.”- thuhet në raportin e ISP-së. Kjo tabelë tregon diferencën e madhe midis asaj që partitë ofrojnë në fushatë dhe asaj që politikanët ofrojnë gjatë ushtrimit të mandatit. ISP ngre shqetësimin jo vetëm për mungesën e kontratës sociale midis të zgjedhurve dhe zgjedhësve, injorimin e premtimeve në fushatë apo pamundësinë e ushtrimit të llogaridhënies për të zgjedhurit deputetë, por edhe mbi integritetin e listës së kandidatëve.
Për më shumë lexo këtu raportin e plotë



