
Rajoni i Ballkanit ka hyrë në një vit me zhvillime të forta politike, ekonomike dhe sociale. Ditët festive të ndërrimit të viteve lanë pezull një sërë çështjesh të cilat pritet të rikthehen përsëri në qendër të vëmendjes me ardhjen e janarit.
Në Shqipëri zv.kryeministrja rrezikon arrestimin
Zv. kryeministrja Belinda Balluku rrezikon arrestimin me kërkesën e SPAK-ut nën akuzën për “Shkelje të barazisë në tendera”. Ajo është kthyer në detyrë me vendim të Gjykatës Kushtetuese pas ankimimit të Këshillit të Ministrave dhe kreut të qeverisë Edi Rama, ndërsa më herët GJKO-ja e pezulloi edhe i bllokoi pasaportën. Rikthimi nuk u mirëprit nga opozita e cila akuzoi Ramën se po i jepte kohë Ballukut dhe vetes të fshinin dhe të manipulonin provat. Mbledhja e parë u mbyll pa rezultat. Mbrojtja e Ballukut kërkoi tre javë kohë për t’u njohur me dosjen për shkak të volumit të madh. Sipas prokurorëve materiali mund të aksesohet vetëm nga anëtarët e Këshillit të Mandateve. Kuvendi u mbylli dyert e sallave opozitës e cila u parqit për mbledhje, takim i cili është planifikuar të mbahet në javët në vijim. Balluku nëse humbet mandatin, do përballet me drejtësinë. Ajo akuzohet për tenderat e Tunelit të Llogarasë dhe Unazës së Madhe.

Qeveria e re e Kurtit si shpresë për mandatin e ri të Osmanit në Kosovë
Zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025 rikonfirmuan shumicën e votave për Lëvizjen Vetëvendosja në Kosovë. Albin Kurti pret të marrë drejtimin e qeverisë, duke deklaruar se kabineti nuk do ketë ndryshime të mëdha. Sipas “Telegrafit” ai ka njoftuar pritjen e certifikimit të rezultatit. Në ditët në vijim mbyllet edhe numërimi i votave për emrat e deputetëve, pasi përqindja për subjektet është publikuar. Lëvizja Vetëndosja ndiqet nga Partia Demokratike, Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Numrat në kuvend janë vendimtare edhe për zgjedhjen e presidentit. Vjosa Osmani e mbyll mandatin e saj në prill, ndërsa shpreson të drejtojë presidencën edhe në një mandat të ri. Ajo ka negociuar dhe ka dalë krah Kurtit për krijimin e qeverisë dhe votëbesimit në kuvend, ndërsa tani pret që ai ta mbështesë duke patur numrat e nevojshëm në kuvend.

Protestat e ashpra të fermerëve grekë
Traktorët e fermerëve grekë kanë bllokuar rrugët kryesore në shenjë proteste. Ata nuk janë përmbajtur duke u futur edhe në aeroporte, ndërsa janë ngritur kundër korrupsionit me fondet që BE i kishte caktuar për ta, ndërsa janë përvetësuar nga agjensia shtetërore OPEKEPE. Protestuesit kanë ngritur zërin ndaj kostove të papërballueshme të energjisë elektrike dhe vështirësive nga rrezikimi i produkteve për shkak të motit. Kakavija është e bllokuar përsëri duke penguar edhe qarkullimin e automjeteve në dogana si edhe transportin e mallrave. Konfederata e Tregjeve Popullore të Greqisë, Federata Pan-Atike e Shoqatave të Shitësve të Tregjeve Popullore, Federata e Tregjeve Popullore Rajonale të Atikës, si dhe të gjitha Federatat e profesionistëve dhe prodhuesve në vend kanë paralajmëruar një protest kombëtare më 7 janar. Fermerët kërkojnë ulje të kostove të prodhimit, tërheqje të menjëhershme të taksimit shtesë prej 10%, ndryshime në Ligjin 4849/2021, pasi sipas tyre krijon kufizime serioze dhe nuk i përgjigjet kushteve reale të funksionimit të tregjeve të fermerëve.

Serbi, Vuçiç nën presion nga protestat e studentëve premton zgjedhje të parakohshme
Rrëzimi i një strehe në stacionin hekurudhor në Novi Sad që i mori jetën 15 të rinjve është kthyer në një shtysë për protesta masive në Serbi ku kërkohet largimi i Alaksandar Vuçiç nga qeveria. Të rinjtë e akuzojnë për korrupsion, nepotizëm dhe nivel të ulët shërbimesh shtetërore. Prej muajsh Beogradi e qytete të tjera të mëdha janë blinduar nga policia pas përleshjesh me protestuesit të cilët janë sulmuar edhe zyrat e partisë së presidentit. Ndaj tij ka patur edhe akuza për dhunë ndaj protestuesve, gjë të cilën e ka mohuar në publik. Rezistenca e studentëve u përshkallëzua kur ata morën nismën për të mbledhur firmat për ta hequr Vuçiçin me votë nga pushteti. Kjo solli reagimin e menjëhershëm të tij duke e bërë të paralajmërojë se ajo sipas “DW” mund të ishte dalja e tij e fundit dhe se vendi pritet të zhvillojë zgjedhjet e reja, ku ai mbrohet duke thënë se do i mposhtë kundërshtarët politikë me votë pasi ata sipas presidentit janë pa program dhe pa ide për drejtimin e Serbisë.

Bullgaria futet në Eurozonë me kryeministër të dorëhequr
Gjenerata Z ktheu kursin e politikës në Bullgari. Protestat masive çuan në dorëheqjen e Rosen Zhelyazkov nga drejtimi i qeverisë. Bullgarët kanë kundërshtuar futjen në zonën euro për shkak të kostove, edhe pse kjo tashmë është bërë realitet më datë 1 janar. Turmat dolën në rrugët e Sofjes me thirrjet kundër qeverisë. Bullgaria ka mbajtur 7 palë zgjedhje në vetëm 4 vite për shkak të situatës tejet të polarizuar politike në vend. Presidenti Rumen Radev ka mbështetur protestën duke i kërkuar qeverisë të japë dorëheqjen dhe iu drejtua ministrave: “Midis zërit të popullit dhe frikës nga mafia, dëgjoni sheshet publik!” Bullgaria rrezikon të shkojë sërish në një qeveri teknike deri në zgjedhjet e reja.



