
NGA ENIS SULSTAROVA
Ndoshta sot nuk është koha e përshtatshme për të shtruar pikat e mëposhtme, mirëpo duhet të mendojmë e diskutojmë për hapat që rënia e pashmangshme e qeverisë Rama të jetë dhe hapja e mundësisë për një Shqipëri të Re. Disa pika për periudhën tranzitore, duke marrë shkas nga 5 pikat e Revolucionit të flamingove:
1. Dorëheqja e qeverisë Rama.
2. Krijimi i një qeverie teknike me mandat një-vjeçar, që do të përgatisë zgjedhjet e reja.
3. Krijimi i një mekanizmi konsultues Kuvend-forum i protestës-Bashkim Evropian për ndryshimet kushtetuese dhe disa nga ligjet që do të miratohen dhe zbatohen gjatë vitit tranzitor. Kuvendi do të jetë i përfaqësuar nga kryetari dhe partitë parlamentare. Forumi përbëhet përfaqësues të dalë nga protesta (mekanizmi i zgjedhjes së tyre të vendoset në sheshet e qyteteve). Pasi mekanizmi konsultues arrin një konsensus politik për ndryshimet dhe ligjet në fjalë, partitë parlamentare marrin përsipër votimin në Kuvend.
4. Kuvendi dhe qeveria të garantojnë vijimin e pandërprerë të institucioneve të drejtësisë. Çdo kërkesë e SPAK-ut për heqje imuniteti të miratohet menjëherë, ose të ndryshohet ligji për imunitetin për ta mundësuar këtë gjë.
5. Anulimi i katër ndryshimeve në ligjet për zonat e mbrojtura, trashëgiminë kulturore, paketën e maleve dhe për investimet strategjike, që i ka kërkuar edhe Bashkimi Evropian. Investimet e parashikuara në zonat përkatëse të anulohen apo të pezullohen deri në shqyrtimin e secilit prej tyre nga Kuvendi i ri.
6. Ndryshime kushtetuese për ndryshimin e kodit zgjedhor. Shqipëria një zonë e vetme zgjedhore, me sistem proporcional dhe lista të hapura, me prag 3-5 për qind për partitë dhe koalicionet dhe prag 1 për qind për kandidatë të pavarur. Ulja e numrin të deputetëve në 100. Ndryshimi i ligjit për financimin e partive politike me qëllim transparencën dhe monitorimin nga prokuroria dhe shoqëria civile.
7. Kufizimi i mandatit të kryeministrit në dy mandate (të plota ose të pjesshme) gjithsej.
8. Miratimi i ligjeve dhe akteve nënligjore për adresimin e drejtë dhe të menjëhershëm të nevojave të studentëve dhe të urgjencave të kategorive të tjera të qytetarëve (p.sh. ndërhyrje në çmimin e naftës apo të sistemit të taksimit). Këto duhen kuptuar si masa për të përballuar krizën e tanishme, sepse forcat politike do të paraqesin platforma për ndryshime afatgjata, që do t’i nënshtrohen votës së qytetarëve.
9. Depolitizimi dhe dekriminalizimi i Ministrisë së Brendshme dhe i Policisë së Shtetit përmes një komisioni mbikëqyrës me përfaqësues nga Kuvendi, forumi i protestës dhe BE-ja. Komisioni vijon punën edhe me mbarimin e periudhës tranzitore, sipas mandatit të marrë nga Kuvendi i ri. Gjatë vitit tranzitor një nga detyrat kryesore e Ministrisë së Brendshme do të jetë garantimi i zgjedhjeve të lira. Reparte si “Shqiponjat” dhe FNSH duhen riorganizuar nga fillimi me profesionistë.
10. Zgjedhjet dhe numërimi i votave të zhvillohen në praninë e vëzhguesve nga shoqëria civile dhe nga organizatat ndërkombëtare.


